Vendimet e para të pushtetit të tashëm po i japin kënaqësi masës, dhe kjo mund të vazhdojë edhe për një kohë, madje edhe të gjatë. Megjithatë, jemi të pashpresë. Na mungon opozita për të ardhmen
Nuk është që PDK-ja ka pësuar rënie veç si pushtet. Nga 2007-a, kur doli e para në zgjedhje kombëtare, më 2019 ra në vendin e tretë. Nga një opozitë e mirorganizuar para 2007-s, më 2020 u shfaq si një grup deputetësh me probleme në lexim e me aksione simbolike joinventive.
Nuk e di se cili devalvim i dhemb më shumë. Përshtypja është që ende i pari – humbja si pushtet. Kjo, ngase gabimi në seancën e votimit të Qeverisë së re ishte aq i madh, sa veç një dëshpërim i pamenaxhueshëm do të mund ta shkaktonte. E gabimi është zbulimi i kapaciteteve të të zgjedhurve të vet. Dhe ky qe gabim që erdhi si pasojë e një gabimi tjetër – i mosmbajtjes për vete të emocionit të humbësit. I mungoi takti për t’u paraqitur denjësisht, së paku deri në një moment të duhur. Dhe denjësisht përmes kamuflimit të të metave serioze që në seancën e 3 shkurtit shuan si ide mundësinë e ekzistimit të një opozite të fortë e përmbajtjesore përballë një pushteti të ri.
Natyrisht aty janë edhe AAK-ja, Nisma/AKR e Lista Serbe, dhe në Kuvend veç një votë e vetme bën dallimin, por qasje e strukturuar (hiç këtu Listën Serbe) nga ta as nuk është pritur. Kjo, pavarësisht ngjitjes së AAK-së për tarifën 100 për qind, që vjen si rrjedhojë e shpërfilljes së realitetit të ri, ku tarifa më nuk e ka rolin mbrojtës nga një proces dialogues që rrezikon kufijtë e Kosovës.
Si gazetë çdoherë jemi akuzuar që jemi me partinë që ka qëlluar në opozitë. Ka ndërruar pushteti, rrëfimi ka mbetur i njëjtë. Në të vërtetë, nuk është se e ka pasur kush përnjëmend, siç nuk do ta kenë ndonjëherë. Por qëndron fakti që si medium, rolin dhe fuqinë e opozitës e njohim më mirë.
Para 2007-s, në kohën e “Qeverisë në hije” të PDK-së, zyrtarët e kësaj partie patën qenë shumë të efektshëm në sigurimin e dokumenteve autentike që dëshmonin për shkelje e keqpërdorime brenda Qeverisë LDK-AAK. Shërbimet që i patën mbetur aty nga periudha paraprake e Qeverisë së Përkohshme, bënë për PDK-në atë që nuk mundi ta bënte ndonjë njeri i AAK-së që mund të ketë qëndruar në Qeverinë e 2008-s. AAK-ja si opozitë e pushtetit PDK-LDK kryesisht organizonte konferenca për shtyp për shkeljet që bëheshin brenda Qeverisë pasi që lexonin për to në gazetë. Nga ajo kohë deri në mandatin e kaluar, AAK-ja nuk lëvizi nga opozita. LDK-ja herë andej e herë këndej, ngjashëm si edhe Nisma e AKR-ja. Ndërkohë që më 2010 skenës iu shtua Vetëvendosja me një formë e përmbajtje që nuk i ngjante asnjërës parti. Zgjedhjet e vitit 2019 e sollën atë në pushtet. E hoqën PDK-në pas 12 vjetësh. LDK-në e rikthyen në Qeveri, e AAK-në, Nismën e AKR-në sërish në opozitë. Sikur pas Qeverisë së Përkohshme, edhe pas pushtetit të katër mandateve (ndonëse jo të plota) brenda mbetën njerëzit e PDK-së. AAK-ja mori mësim dhe nuk e përsëriti “gabimin” e herës së parë kur ishte në pushtet. Madje shkoi përtej, duke mbushur me njerëz të vet secilin qosh të institucioneve.
Qeveria e VV-së dhe LDK-së ia nisën punës pikërisht në këtë pikë. Shkarkoi Bordin e Telekomit; i largoi gjashtë sekretarë të ministrive; anuloi emërimin e noterëve; shkarkoi 14 konsuj, dhe paralajmëroi edhe vendime të reja në misionin e saj të pastrimit jo veç nga zyrtarët, por dhe nga vendimet kundërthënëse të qeverive të kaluara. Në hapat e parë të Qeverisë së re nuk ka brumë për opozitën. Përkundrazi, e dobësojnë atë edhe më shumë duke e bërë çfarëdo paraqitjeje të saj irrituese për qytetarët. Të larguarit janë njerëz për të cilët është raportuar ngjashëm, si edhe për vendimet e anuluara. Raportimet, sikurse edhe pakënaqësia e qytetarëve, nuk u adresuan për më shumë se një dekadë. Gjithë kjo kohë pushtetit të deritashëm do t’i kushtojë në rikthim besimi, nëse mund të ketë. Dikur larg mbase kur të kenë ndërruar gjeneratat dhe kryer shkollat. Por tash opozitë nuk ka. Dhe mungesa e një alternative të denjë është e dëmshme aq sa një pushtet i keq.
Vendimet e para të këtij të tashmit po i japin kënaqësi masës, dhe kjo mund të vazhdojë edhe për një kohë, madje edhe të gjatë. Megjithatë, jemi të pashpresë. Na mungon opozita për të ardhmen.