Sa më shumë e mendon, nxjerr përfundimin se për hajni vyen nëse jo inteligjencë, atëherë gjithsesi imagjinatë. E këta hajnat tanë kishin pasur shumë imagjinatë ,meqë përvoja e zhvatjes së buxhetit të Kosovës tregon për një llojllojshmëri taktikash dhe sistemesh që janë zbatuar në praktikë
Lajmi i mirë i dy javëve të fundit qe numri i zvogëluar i vdekjeve dhe i infektimeve, që nuk di njeri si t'i shpjegojë ndryshe pos si rënie e intensitetit të veprimit të virusit. E, pas kësaj rënieje rri edhe rreziku potencial i shfaqjes së një vale të re infektimesh, për një arsye ose tjetrën, e më së shumti për shkak se ata që bartin maska, së paku në Prishtinë, duken të jenë mohikanët e fundit.
Lajmi i tjetër i ndërlidhur me ardhjen e vaksinave, jep shpresë që shumica do të jemi në gjendje ta marrim vaksinën mbase nga fundi i këtij muaji, e që ta marrim edhe dozën e dytë pas katër javësh, diku nga fundi i korrikut. Nëse asgjë tjetër, do të ndihemi bile një grimë më të sigurt, duke e pasur parasysh se ky virus nuk do të zhduket kaq lehtë, dhe se mbase do të detyrohemi të vazhdojmë t'i mbajmë maskat. Së paku ne mohikanët, që nuk i hoqëm që nga marsi i vitit të shkuar.
Dje, shifrat COVID të Kosovës qenë si vijon: 107.417 të infektuar, 103.711 të shëruar dhe 2.241 të vdekur. Uroj që trendi të mos pësojë ndryshime për të keq.
* * *
Lajmi tjetër që po bën bujë ka disa javë është emërimi i partiakëve në poste politike e edhe të shërbimit civil, që kanë afërsi me partinë në pushtet. Xhaxhallarë, mbesa, nipa etj., po gjejnë vend në qeveri e agjenci, me emërime të drejtpërdrejta nga ministrat e kabinetit qeveritar. Veprim i shumëkritikuar nga opozita, e cila dorën në zemër nuk ka asnjë të drejtë morale për t'u ankuar a akuzuar, duke e pasur parasysh se çfarë kanë bërë këta 20 vjet. Por, i cili ka arsye të kritikohet nga popullata. E në veçanti nga votuesit të cilëve u është thënë se kjo dukuri do të ndalej me vendosjen e pushtetit të ri.
Arsyetimi i kryeministrit se këta njerëz janë të emëruar politikë dhe se vijnë nga radhët e ekspertëve të partisë, do të kishte mbështetje, po qe se këta njerëz nuk do të paguheshin nga buxheti i Kosovës. Po qe se ky do të ishte një projekt - për angazhimin e ekspertëve të partisë nga ndonjë fond i krijuar nga donacionet, siç kishte qenë rasti me projektin e UNDP-së gjatë Qeverisë së parë të Kosovës pas luftës, nuk do të kishte pasur hapësirë për asnjë kritikë.
Kështu, trendi i punësimit të nipave e mbesave e besa edhe të militantëve - pavarësisht se a në poste politike apo të shërbimit civil, në fakt nuk flet për meritokracinë e proklamuar, por për vazhdimin e avazit të vjetër, që duhet ndalur sa më parë.
Fare në fund, dhe në lidhje me këtë temë, do të ishte mirë që dikush të dalë e të na tregojë se sa zëvendësministra dhe sa këshilltarë politikë i ka kjo Qeveri - dhe rrugës të na tregojë se sa para të buxhetit na shkojnë për nevojën e akomodimit të këtyre njerëzve në Ekzekutiv.
* * *
Dje në Kuvend u debatua nëse duhej falur gjobat bizneseve private dhe qytetarëve ose jo. Propozimi rrodhi nga AAK-ja dhe u përkrah nga partitë e tjera opozitare që në të kaluarën kur e mbanin pushtetin, kishin vepruar në këtë formë: kishin falur shumë borxhe dhe obligime të qytetarëve dhe firmave, dhe kjo jo për t'ua lehtësuar punën aq sa për ta lehtësuar buxhetin e Kosovës për shumë milionë borxhesh të grumbulluara.
Kolumnia fenomenale e Agron Demit të mërkurën e shkuar zbuloi se në kohën e Qeverisë Thaçi 1, më 2008 dhe më 2010 nuk u bënë publike as listat e as vlerat e borxheve të falura, ashtu siç nuk u kuptua se për sa para bëhej fjalë kur u miratua edhe Ligji famëkeq për amnistinë më 2013, gjatë Qeverisë Thaçi 2. U kuptua se në kohën e Mustafës, u falën nja 400 milionë borxhe, e në kohën e Hotit u hoqën ca tantiema që i bënin hair vetëm një kompanie minerare.
Pra, zakoni i keq i faljes së borxheve pa ndonjë kriter, e ka varfëruar Kosovën për shumë miliona që në kushte të tjera do të duhej të shfrytëzoheshin për zhvillimin ekonomik të Kosovës, a përmirësimin e arsimit apo edhe të shëndetësisë, ta zëmë.
Në vend të kësaj, ata të cilët i kanë shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit janë shpërblyer për shkak se paratë i kanë mbajtur për vete. Nga kjo distancë dhe pa i pasur informatat, nuk mund të paragjykoj se kush ka dalë i pasur nga kjo fizkulturë. Por gjithsesi, mund ta kem një ide.
Kuvendi nuk e miratoi rezolutën dhe borxhet kësaj radhe nuk u falën, me gjithë akuzat që vinin nga opozita, tashmë e mësuar t'i harxhojë paratë e përbashkëta të buxhetit për t'i rritur rrogat e për të falur para gjithandej për favore. Mbase do të mund të kishte kaluar ky propozim, po qe se deputetët e opozitës do të vendosnin t'i falin rrogat e tyre, ta zëmë për tre muaj, që ta ndihmojnë sektorin privat të prekur nga pandemia. Vetëm rrogat e tyre bazë, pa pjesëmarrje në seanca e komisione shtetit i kushtojnë nja gjysmë milioni eurosh.
Porse nga ana tjetër, Kosova është shteti i cili më së paku e ka përkrahur sektorin privat njëmend të prekur nga pandemia. Ndihma e fundit qe për gastronomët dhe natyrisht kjo ishte fare e pamjaftueshme.
Përderisa Ligji për Rimëkëmbjen ka qenë një fontanë dëshirash pa i pasur paratë në dispozicion, rishikimi i buxhetit duhet të sigurojë me çdo kusht që një ndihmë e konsoliduar t'u ofrohet atyre që me shumë mund i kanë ruajtur vendet e punës në kohën e katrahurës financiare kovidiane. Kjo, edhe për shkak se Kosova do të jetë mbase ndër të rrallat shtete në Evropë ku rrogat e sektorit publik janë më të mëdha sesa ato të sektorit privat.
* * *
Përfundimisht, një grumbull lajmesh ekskluzive erdhën nga gazetarët e KOHËS, që ditë më ditë na tregonin se si na kanë këputë tue vjedhë në gjithë këto vite. Sa më shumë e mendon, nxjerr përfundimin se për hajni vyen nëse jo inteligjencë, atëherë gjithsesi imagjinatë. E këta hajnat tanë kishin pasur shumë imagjinatë, meqë përvoja e zhvatjes së buxhetit të Kosovës tregon për një llojllojshmëri taktikash dhe sistemesh që janë zbatuar në praktikë.
Brenda pesë ditëve e kuptuam se:
a) Kur u ndërtua autostrada për në Shkup, në emër të dislokimit të disa varrezave, u kontraktua një firmë që ta kryente punën për 66 mijë euro. Në fund u pagua madje 800 mijë euro, se kinse janë zbuluar më shumë varreza seç ishin paraparë me tender. Do të kenë pikur nga qielli, me siguri.
b) Ministria e Infrastrukturës e kishte angazhuar një firmë që ta bënte mirëmbajtjen e urave në Kosovë, dhe në vend se të paguhej 500.000 euro, u pagua 5.000.000 euro. Njëmend, nuk e di se përse po e bëjmë gjithë këtë problem. Po veç një zero bre i është shtuar...
c) Kosova me vite të tërë blen barna, e shumë prej atyre barnave lihen në depo që t'u skadojë afati. E ndonjëherë edhe nuk skadojnë, por që të mos "rrinë aty" të vetmuara, atyre barnave u shtohen të njëjta, por të reja, dhe natyrisht me çmime të reja.
d) Telekomi i Kosovës, dikur krenaria e vetme ekonomike e këtij vendi, pos që punëson familje të tëra dhe plot badihavxhinj, blen edhe telefona që nuk ekzistojnë. Dy drejtorë të kësaj kompanie kanë lidhur marrëveshje me dy firma për blerjen e telefonave për klientët besnikë në vlerë prej 400 mijë eurosh. Nuk u gjetën as klientët besnikë, e as telefonat, për shkak se në fakt ajo që ka ndodhur është se TK-ja i ka shpenzuar 400 mijë euro për të blerë mjegull. Drejtorët dhe dugojxhinjtë janë momentalisht në burg. Se a do të mbesin aty, mbetet të shihet.
* * *
E kam dilemën nëse ndonjëherë do ta kuptojmë përnjëmend dimensionin e vjedhjeve që i kanë bërë njerëzit e ndryshëm në pozita të ndryshme për vete, apo për dikë për të cilin kanë punuar.
Nuk e di a do të ketë të tillë që do të dalin t'i zbulojnë të gjitha dhe nuk e di nëse do të ketë vend të mjaftueshëm nëpër lajmet televizive, gazetë dhe portale që të përshkruhen të gjitha të zezat që i kanë bërë këta që e kanë katandisur këtë vend në këtë formë.
Këputë na kanë... por çka është më keqja është se, me gjasë, akoma nuk kemi parë gjë.
Dëshpëruese deri në skaj.