Mungesa e shërbimeve bazike nga shteti, nga certifikata e lindjes e deri te vaksina kundër Covid-19
Tashmë është bërë rutinë që shteti të mos mund të sigurojë shërbimet bazike për qytetarët. Për disa muaj, në fillim të vitit 2019, komunat e Kosovës u përballën me mungesë të letrës për lëshimin e certifikatave të lindjes. Sipas një raporti të Institutit GAP, mesatarisht brenda një viti komunat lëshojnë 1.6 milionë dokumente të gjendjes civile, 43% prej të cilave janë certifikata të lindjes. Por institucionet nuk arrijnë të kryejnë me rregull procedurat e prokurimit dhe qytetarëve u lëshohen certifikata në letër të thjeshtë, të cilat nuk pranohen nga institucionet ndërkombëtare, siç është rasti i aplikimit për viza.
Që nga qershori i vitit 2020, Ministria e Punëve të Brendshme nuk i pajis qytetarët me targa të automjeteve. Sërish arsyetimi i institucioneve është se procedurat e tenderimit kanë vonuar procesin e furnizimit me targa. Kjo nuk është hera e parë kur shteti nuk arrin të përmbushë një obligim bazik për qytetarët. Edhe në vitin 2016, për disa muaj institucionet e shtetit në vend të targave kanë pajisur qytetarët me letër të thjeshtë si zëvendësim të targave adekuate.
Në gusht të vitit të kaluar mediat raportuan se qytetarët nuk po mund të pajisen për disa muaj me letërnjoftime, me arsyetimin se mungon materiali për të prodhuar letërnjoftimet. E vetmja mënyrë për t’u pajisur me letërnjoftim ishte nëse qytetarët paguanin 50 euro për marrjen e letërnjoftimeve në procedurë të përshpejtuar.
Rasti i njëjtë është edhe me pajisjen e patentë shoferëve dhe pasaportave. Në vitin 2018, Ministria e Punëve të Brendshme me mburrje lajmëroi se ka filluar procesin e pajisjes së qytetarëve me patentë shoferë elektronikë dhe se Kosova është vendi i parë në botë që aplikon një sistem të tillë. Por asnjëherë një shërbim i tillë nuk u lansua, edhe pse MPB-ja ka paguar rreth 7.5 milionë euro për shërbimet elektronike, ku përfshihet edhe aplikacioni për patentë shoferë.
Njësoj ndodh edhe me sigurimin e shërbimeve bazike shëndetësore. Më 30 nëntor 2020 ministri i Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, me mburrje tregonte se ka filluar shpërndarja e vaksinave të gripit sezonal, ani pse dhënia e tyre do të duhej të përfundonte shumë më herët.
Tani kur jemi në fillim të muajit mars të vitit 2021, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk e ka siguruar vaksinën kundër koronavirusit. Vaksina kundër virusit u përdor për fushatë zgjedhore, duke thënë se brenda muajin shkurt do të arrijnë vaksinat e para. Por krejt çka mbërriti janë shiringat për administrimin e vaksinave dhe frigoriferët për ruajtjen e tyre.
Edhe 22 vjet nga përfundimi i luftës, edhe më tej qytetarët përballen me mungesë të furnizimit të rregullt me ujë e energji elektrike.
Shtetet si Kosova që nuk arrijnë të kryejnë funksionet bazë shkencëtarët politikë i quajnë si “shtete prej letre”. Sipas Daron Acemoglu dhe James A. Robinson, në “shtetet prej letre” (Paper Leviathan) nuk ka qytetarë me të drejta, por pacientë me nevoja, të cilët kurrë nuk e marrin kujdesin e shtetit. Në këso shtete pushteti është arbitrar, i cili shkakton pasiguri dhe frustrim, manipulon dhe redukton qytetarët në lypës. Në këso shtete nuk ekziston rutina, nuk ka procedura, ka pasiguri e paqartësi. Askush nuk e di orarin zyrtar të punës apo dokumentet që kërkohen për të marrë një shërbim.
Në “shtetet prej letre” elitat nuk kërkojnë më shumë pushtet, ngase i frikësohen kundërreagimit shoqëror. Andaj pushtetin e përdorin për t’u pasuruar, për të ofruar favore me resurset shtetërore, për të përlyer të gjithë dhe kësisoj për të mbetur në pushtet vazhdimisht. “Shtete prej letre” janë shumica e shteteve të Amerikës Latine e të Afrikës, e që Kosova po ashtu hyn në këtë klasifikim.
Elitat politike që ndërtuan dhe mirëmbajtën këtë “shtet prej letre” e morën dënimin e qytetarëve përmes votës më 14 shkurt 2021. Qeveria e re duhet të sigurohet që qytetarët të marrin së paku shërbimet bazike nga shteti dhe gradualisht nga një “Leviatan prej letre” Kosova të kalojë në një “Leviatan të mbërthyer” (Shackled Leviathan), i cili, sipas Acemoglu&Robinson, është shtet që garanton liritë qytetare, mundëson prosperitet ekonomik, aplikon ligje të drejta për të gjithë dhe ofron shërbime publike.