OpEd

Mos u plaksh

Urimi i zakonshëm për ardhjen në jetë të një fëmije ose në kremtimet e ditëlindjeve gjatë jetës është “U plaksh!”. Nëse institucionet vazhdojnë t’i shpërfillin dhe të mos u ofrojnë të moshuarve trajtim dinjitoz, siç kanë bërë deri tash, shumë shpejt do të mundë ta “urojmë” njëri-tjetrin “Mos u plaksh!”

Mungesa e përkujdesjes shtetërore ndaj moshës së tretë në Kosovë trajtohet në këtë numër të gazetës me sugjerimin e dy veteranëve të gazetarisë, për të cilët kam respekt të veçantë - Nehat Islami dhe Ibrahim Osmani. “Duhet të mendoni pak edhe për të ardhmen tonë, ta sensibilizoni pak mungesën e ‘kopshteve’ të pleqve”, më thanë ata gjithë gaz para disa javësh. Nehatit dhe Ibrës mosha nuk ua ka pakësuar aspak humorin që kryesisht e bëjnë në llogari të vetes apo të njëri-tjetrit. Edhe pse tashmë nuk merren aktivisht me gazetari, ata vazhdojnë të kontribuojnë në forma të tjera. Propozimi i tyre për temën më shumë është ndjesi prej gazetari për aktualizimin e çështjeve që shkojnë në dobi të qytetarëve sesa problem i tyre personal.

Të kesh një shtëpi të sigurt, një pension që të mundëson të bësh jetë komode, shërbim adekuat mjekësor dhe të jesh i rrethuar me ngrohtësinë e familjarëve dhe njerëzve të dashur, është pleqëria ideale që e ëndërron çdo njeri. Në vendet e zhvilluara dhe me standard të lartë jetese shteti kujdeset që sa më shumë qytetarë të vet t’i kalojnë vitet e mbetura të jetës në qetësi dhe rehati materiale dhe shpirtërore. Ky përkujdes nis fillimisht me ofrimin e pagave të mira kur qytetarët janë në moshë të aftë për punë, me sistem të rregulluar të shërbimeve dhe sigurimeve shëndetësore, për të vazhduar pastaj me pensione dinjitoze kur ata e arrijnë moshën e pensionimit. Obligimi i shtetit të fortë ndaj qytetarit të moshuar nuk përfundon me pensionimin. Vazhdon me trajtimin njerëzor, së pari duke i siguruar kushte të mira banimi, qoftë në shtëpinë e të moshuarit, qoftë në azilet për të moshuar, pastaj duke i ofruar shërbime profesionale mjekësore dhe programe rehabilitimi fizik e emocional.

Të moshuarit kosovarë mund vetëm të ëndërrojnë trajtim të tillë nga institucionet. Shteti, për ndërtimin e të cilit kanë kontribuar me para, me punë intelektuale e fizike dhe me sakrifica mbinjerëzore për çlirimin e tij nga regjimi serb, ka tetëmbëdhjetë vjet që e shpërfill këtë kategori shumë të ndjeshme të popullatës.

Pensionet që marrin 6.7 për qind e popullatës, aq sa ka dalë të jetë numri i qytetarëve mbi moshën 65-vjeçare sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2011, nuk mund të quhen pensione, por një formë e ndihmës sociale. Me shumën që marrin nuk mund të paguajnë as barnat dhe mjekimet e nevojshme të moshës, e lëre më të mbulojnë shpenzimet e tjera.

Fatmirësisht shumica e familjeve shqiptare ende e ruajnë formën tradicionale të jetesës së fëmijëve së bashku me prindërit, gjë që ua lehtëson pleqërinë të moshuarve si në aspektin material, ashtu edhe në atë emocional. Edhe nëse nuk jetojnë në një shtëpi të përbashkët, në të njëjtin qytet apo edhe jashtë Kosovës, fëmijët shqiptarë ende e ndiejnë si obligim moral të përkujdesen jo vetëm materialisht për prindërit. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndryshojë në një të ardhme të afërt. Dinamika e shtuar e jetës, obligimet e çdoditshme, vështirësitë për të ruajtur një vend pune nëpërmjet të cilit sigurojnë ekzistencën, mund të sjellin shumë fëmijë para sfidës nëse do të mundë t’u ofrojnë prindërve të tyre kujdesin e mjaftueshëm dhe adekuat. Sidomos në rastet kur vuajnë nga sëmundje që kërkojnë kujdes profesional shëndetësor dhe vendosje në institucione që do të mundë t’ua ofronin atë.

Secili prind do të dëshironte që vitet e fundit të jetës t’i kalonte afër fëmijëve të tij. Përderisa në vendet perëndimore vendosja e prindërve në azile pleqsh nuk është një temë tabu, madje vetë prindërit kursejnë gjatë gjithë jetës për të shkuar në këto institucione që të mos bëhen barrë e fëmijëve, shumica e prindërve kosovarë ende kanë paragjykime rreth kësaj çështjeje. Të largohesh nga shtëpia për të cilën ke derdhur mund e djersë, të mos mund të shijosh kënaqësinë e lojës e të bisedës me nipër e mbesa, të muhabeteve me fqinjin apo vizitën e farefisit, duhet të jetë shumë e vështirë. Edhe nënçmuese para rrethit. Kështu mendojnë shumica e prindërve kosovarë.

Por edhe sikur të mos i kishin këto paragjykime, në cilin institucion do të shkonin kur ato mungojnë. Edhe ato që janë funksionojnë në kushte të mjerueshme. Aktualisht në Kosovë ekziston Shtëpia e personave të moshuar pa përkujdesje familjare në Prishtinë, ku ka të strehuar persona nga e gjithë Kosova, si dhe tri shtëpi të komunitetit, ku strehohen persona të moshuar, që funksionojnë për rajone të caktuara. Njëra është e vendosur në Skënderaj, një në Istog dhe një tjetër në Graçanicë.

Sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut që i kanë monitoruar, këto shtëpi nuk ofrojnë kushte për një jetë të dinjitetshme në to. Aty tash për tash janë vendosur kryesisht të moshuar që nuk kanë pasardhës ose familje që kujdeset për ta, dhe që mjaftohen me faktin se e kanë një strehë, ushqim dhe shërbime elementare mjekësore.

Udhëheqësit e këtyre qendrave i kanë thënë gazetës se kërkesat për strehim të të moshuarve po rriten vazhdimisht, por ata nuk kanë kapacitete për të pranuar më shumë. E shteti nuk ka as plane e as vizione se si t’u ofrojë strehim e kujdes të moshuarve që do të mbesin në dorën e tij. Nuk ka plane për ndërtim të objekteve të reja, ndërsa investimet e mundshme private ose në partneritet me institucionet publike nuk janë të rregulluara me ligj. Shtatë shtëpi strehuese private funksionojnë në Kosovë, por ato nuk mbikëqyren nga shteti, punojnë pa licenca dhe janë të regjistruara si biznese apo shoqëri aksionare.

Ligji për shërbime sociale ekziston që nga viti 2005. Sipas këtij ligji, komunat ose organizatat e tjera qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë edhe ndërmarrjet private, mund të ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.

Ky ligj e obligon Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale që me udhëzime administrative të rregullojë se kush i kryen këto shërbime, por Ministria nuk e ka bërë këtë asnjëherë.

Zgjidhja që e propozojnë aktivistët për të drejta të njeriut dhe udhëheqësit e qendrave strehuese është ndërtimi i shtëpive të tilla për të moshuarit në të gjitha komunat ku banorët e tyre do të ishin edhe afër familjarëve. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale duhet të angazhohet që sa më shpejt të rregullojë aktet nënligjore që ua mundësojnë edhe investitorëve privatë të ndërtojnë azile pleqsh që do t’i kishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Do të duhej të kujdesej që edhe çmimet e pagesave për qëndrim në to të jenë më të përballueshme për xhepin e varfër të pensionistëve kosovarë, ose të angazhohej për rritjen e pensioneve.

Politikat publike synojnë që t’i mbajnë sa më shumë të moshuar nëpër shtëpitë e tyre që të mos bëhen barrë e shtetit, por kur një i moshuar për arsye të ndryshme mbetet pa përkujdesje familjare, zgjidhjen do ta kërkojë te institucionet. Ato e kanë obligim dhe borxh t’i ofrojnë mbështetje.

Urimi i zakonshëm për ardhjen në jetë të një fëmije ose në kremtimet e ditëlindjeve gjatë jetës është “U bëfsh 100 vjeç!” ose “U plaksh!”. Për të arsyetuar lëvizjet e kufizuara dhe dobësimin e kujtesës që i sjell mosha e shtyrë, shqiptarët e përdorin shprehjen “Eh, mos u plaksh...”.

Përderisa në vendet e zhvilluara diskutohet se si të avancohet edhe më shumë kujdesi shëndetësor, si të zvogëlohet izolimi social i moshës së tretë, përpilohen programe për përfshirje sa më të madhe të tyre në aktivitete rekreative e sociale, realiteti me të cilin përballen të moshuarit kosovarë nuk lë vend për të shpresuar se përkujdesja shtetërore ndaj tyre do të arrijë standardet evropiane në një të ardhme të afërt. Në qoftë se pushtetarët nuk do të angazhohen në zbatimin e ligjit dhe në rritjen e buxhetit për shërbime më të mira ndaj kësaj kategorie shoqërore, kosovarët në të ardhmen lirisht mund ta “urojnë” njëri- tjetrin “Mos u plaksh në Kosovë!”.

[email protected]