OpEd

Mos lejoni që gjeopolitika të vrasë ekonominë botërore

Fuqitë e mëdha (dhe në të vërtetë të gjitha vendet) kujdesen për interesat e tyre dhe mbrojnë sigurinë e tyre kombëtare, duke marrë kundërmasa kundër fuqive të tjera sipas nevojës. Por, siç kemi argumentuar unë dhe Stephen M. Walt, një rend botëror i sigurt, i begatë dhe i qëndrueshëm kërkon që këto përgjigje të kalibrohen mirë

Në Kongresin XX Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës muajin e kaluar, sundimi i vendit nga një person, Xi Jinping, u rrënjos plotësisht. Megjithëse Kina komuniste nuk ka qenë kurrë demokraci, udhëheqësit e saj post-Mao i mbajtën veshët në tokë, u kushtuan vëmendje zërave nga poshtë dhe kështu ishin në gjendje të kthenin politikat e dështuara përpara se ato të bëheshin katastrofike. Centralizimi i pushtetit i Xi-t përfaqëson qasje ndryshe dhe nuk parashikon mirë se si vendi do të përballet me problemet e shumëfishuara – ekonominë e tankeve, politikat e kushtueshme zero-COVID, abuzimet në rritje të të drejtave të njeriut dhe represionin politik.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka shtuar ndjeshëm këto sfida duke nisur atë që Edward Luce i “Financial Times” e ka quajtur në mënyrë të përshtatshme “luftë e plotë ekonomike kundër Kinës”. Pak përpara Kongresit të Partisë, SHBA-ja njoftoi disa kufizime të reja në shitjen e teknologjive të avancuara për firmat kineze. Siç vë në dukje Luce, Bideni ka shkuar shumë më tej se paraardhësi i tij, Donald Trump, i cili kishte synuar kompani individuale si “Huawei”. Masat e reja janë mahnitëse në ambicien e tyre, duke synuar asgjë më pak se parandalimin e rritjes së Kinës si fuqi e teknologjisë së lartë.

Shtetet e Bashkuara tashmë kontrollojnë disa nga nyjat më kritike të zinxhirit global të furnizimit të gjysmëpërçuesve, duke përfshirë “pikat e mbytjes” të tilla si kërkimi dhe dizajni i avancuar i çipave. Siç thotë Gregory C. Allen i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, masat e reja përfshijnë “një shkallë të paprecedentë të ndërhyrjes së Qeverisë amerikane jo vetëm për të ruajtur kontrollin e pikës së mbytjes, por edhe për të filluar politikën e re të SHBA-së për të mbytur në mënyrë aktive segmente të mëdha të teknologjisë kineze – mbytje me qëllimin për të vrarë”.

Siç shpjegon Allen, strategjia Biden ka katër pjesë të ndërlidhura, duke synuar të gjitha nivelet e zinxhirit të furnizimit. Qëllimet janë të mohojnë qasjen e industrisë kineze të inteligjencës artificiale në çipa të nivelit të lartë; të parandalojë Kinën nga dizajnimi dhe prodhimi i çipave të inteligjencës artificiale në shtëpi duke kufizuar qasjen në softuerin amerikan të projektimit të çipave dhe pajisjet e prodhimit të gjysmëpërçuesve të ndërtuar në SHBA; dhe të bllokojë prodhimin kinez të pajisjeve të veta të prodhimit të gjysmëpërçuesve duke ndaluar furnizimet me komponentë amerikanë.

Qasja është e motivuar nga pikëpamja e administratës Biden, mbi të cilën ekziston një marrëveshje e gjerë dypartiake, se Kina përbën kërcënim të madh për SHBA-në. Por një kërcënim për çfarë? Ja se si Biden e shpreh atë në parathënien e Strategjisë së tij të Sigurisë Kombëtare të publikuar së fundmi: “Republika Popullore e Kinës ka synimin dhe, gjithnjë e më shumë, kapacitetin për të riformuar rendin ndërkombëtar në favor të atij që anon fushën e lojës globale në dobi të saj”.

Pra, për të qenë i qartë, Kina është kërcënim jo sepse minon çdo interes themelor të sigurisë së SHBA-së, por sepse do të dëshirojë të ushtrojë ndikim mbi rregullat e rendit global politik dhe ekonomik ndërsa bëhet më e pasur dhe më e fuqishme. Ndërkohë, “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të menaxhuar konkurrencën mes vendeve tona me përgjegjësi”, që do të thotë realisht se SHBA-ja dëshiron të mbetet forca e pakundërshtueshme në formësimin e rregullave globale në teknologji, siguri kibernetike, tregti dhe ekonomi.

Duke u përgjigjur në këtë mënyrë, administrata Biden po dyfishon përparësinë e SHBA-së në vend që të përshtatet me realitetet e një bote post-unipolare. Siç e bëjnë të qartë kontrollet e reja të eksportit, SHBA-ja ka hequr dorë nga dallimi midis teknologjive që ndihmojnë drejtpërdrejt ushtrinë kineze (dhe për rrjedhojë mund të përbëjnë një kërcënim për aleatët e SHBA) dhe teknologjive komerciale (të cilat mund të prodhojnë përfitime ekonomike jo vetëm për Kinën, por për të tjerët. Gjithashtu, duke përfshirë firmat amerikane). Ata që argumentojnë se është e pamundur të ndahen aplikimet ushtarake nga ato tregtare kanë fituar.

SHBA-ja tani ka kaluar kufirin. Një qasje e tillë e gjerë ngre vetë rreziqe të konsiderueshme – edhe nëse mund të justifikohet pjesërisht nga natyra e ndërthurur e sektorëve tregtarë dhe ushtarakë të Kinës. Duke i parë saktë kufizimet e reja të SHBA-së si një përshkallëzim agresiv, Kina do të gjejë mënyra për t'u hakmarrë, duke rritur tensionet dhe duke rritur më tej frikën reciproke.

Fuqitë e mëdha (dhe në të vërtetë të gjitha vendet) kujdesen për interesat e tyre dhe mbrojnë sigurinë e tyre kombëtare, duke marrë kundërmasa kundër fuqive të tjera sipas nevojës. Por, siç kemi argumentuar unë dhe Stephen M. Walt, një rend botëror i sigurt, i begatë dhe i qëndrueshëm kërkon që këto përgjigje të kalibrohen mirë. Kjo do të thotë se ato duhet të jenë të lidhura qartë me dëmin e shkaktuar nga politikat e palës tjetër dhe synojnë vetëm të zbusin efektet negative të këtyre politikave. Përgjigjet nuk duhet të ndiqen me qëllimin e shprehur për të ndëshkuar palën tjetër ose për ta dobësuar atë në planin afatgjatë. Kontrollet e eksportit të Biden-it për teknologjinë e lartë nuk e kalojnë këtë provë.

Qasja e re e SHBA-së ndaj Kinës krijon gjithashtu pika të tjera të verbra. Strategjia e Sigurisë Kombëtare thekson “sfidat e përbashkëta”, të tilla si ndryshimet klimatike dhe shëndeti publik global, ku bashkëpunimi me Kinën do të jetë kritik. Por ajo nuk e pranon se ndjekja e një lufte ekonomike kundër Kinës minon besimin dhe perspektivat e bashkëpunimit në ato fusha të tjera. Ai gjithashtu shtrembëron agjendën e brendshme ekonomike duke ngritur objektivin për të tejkaluar Kinën mbi qëllimet më të vlefshme. Investimi në zinxhirët e furnizimit me gjysmëpërçues me shumë kapital dhe aftësi – në të cilat fokusohet aktualisht politika industriale e SHBA-së , është pothuajse mënyra më e kushtueshme për të krijuar vende pune të mira në ekonominë amerikane për ata që kanë më shumë nevojë për to.

Sigurisht, Qeveria kineze nuk është viktimë e pafajshme. Ajo është bërë gjithnjë e më agresive në projektimin e fuqisë së saj ekonomike dhe ushtarake, megjithëse veprimet e saj janë kufizuar kryesisht në lagjen e saj. Pavarësisht garancive të mëparshme, Kina ka militarizuar disa nga ishujt artificialë që krijoi në Detin e Kinës Jugore. Ajo vendosi sanksione ekonomike ndaj Australisë kur ai vend bëri thirrje për një hetim mbi origjinën e COVID-19. Dhe shkeljet e saj të të drejtave të njeriut në vend sigurisht që kërkojnë dënim nga vendet demokratike.

Problemi me hiper-globalizimin ishte se ne i lamë bankat e mëdha dhe korporatat ndërkombëtare të shkruanin rregullat e ekonomisë botërore. Është mirë që tani po largohemi nga kjo qasje, duke pasur parasysh se sa e dëmshme ishte për strukturën tonë shoqërore. Ne kemi mundësinë të formësojmë një globalizim më të mirë. Fatkeqësisht, fuqitë e mëdha duket se kanë zgjedhur një rrugë tjetër, edhe më të keqe. Ata tani po ua dorëzojnë çelësat e ekonomisë globale institucioneve të tyre të sigurisë kombëtare, duke vënë në rrezik paqen dhe prosperitetin global.

(Dani Rodrik, profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare në Shkollën e Harvardit Kennedy, është president i Shoqatës Ekonomike Ndërkombëtare dhe autor i librit “Straight Talk on Trade: Ideas for a Sane World Economy” (Princeton University Press, 2017). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore” Përktheu: Gent Mehmeti)