OpEd

Monitorimi nga shoqëria civile: Një hap thelbësor për meritokracinë e proceseve rekrutuese në administratën publike

Në një shtet demokratik funksionimi i institucioneve publike është themel për të siguruar mirëqenien e qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit publik. Megjithatë, mbikëqyrja e tyre nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësi e organeve të kontrollit të rregullt shtetëror, por edhe nga akterë të tjerë jashtë këtyre organeve. Shoqëria civile si organizim joshtetëror, në rolin e saj si një forcë e pavarur, luan një rol kyç në monitorimin e punës së institucioneve publike, duke i bërë ato më transparente, llogaridhënëse dhe më efektive ndaj qytetarëve.

Një nga elementet kryesore që fuqizon rolin e shoqërisë civile në këtë proces është mbikëqyrja publike. Në Kosovë që nga paslufta, organizatat joqeveritare (OJQ-të) janë bërë zëri kritik që adreson mangësitë dhe abuzimet e mundshme në sektorin publik. Këto përpjekje ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes dhe promovojnë një kulturë të transparencës dhe përgjegjësisë, e cila jo rrallëherë mungon në shoqëritë që janë duke kaluar transicionin demokratik.

Kur jemi te administrata publike, meritokracia, transparenca, konkurrenca dhe llogaridhënia janë parime dhe predispozita që garantojnë funksionimin dhe efikasitetin e saj në praktikë. Për të garantuar që këto parime zbatohen, është jetike që shoqëria civile të luajë një rol aktiv në monitorimin e administratës publike, veçanërisht në procesin e rekrutimit. Rekrutimi në shërbimin civil është një nga aspektet më thelbësore të qeverisjes, pasi prek drejtpërdrejt cilësinë e nëpunësve civilë të cilët supozohet që do të merren me hartimin dhe zbatimin e politikave dhe legjislacionit, por edhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Në Kosovë, si në shumë vende të tjera që janë në transicion, raportohen  raste të ndikimeve politike në rekrutim, të nepotizmit dhe mungesës së transparencës në procesin e rekrutimit të nëpunësve civilë. Këto mangësi dobësojnë jo vetëm cilësinë e administratës publike, por edhe besimin e qytetarëve në institucionet publike. Prandaj roli i shoqërisë civile është i pazëvendësueshëm dhe dobiprurës në disa aspekte dhe sidomos duke ndikuar që kriteret dhe procedurat e rekrutimit të jenë publike, por edhe duke vëzhguar se si zbatohen këto kritere dhe procedura për të ndikuar në mbrojtjen e një sistemi të drejtë dhe meritokratik.

Monitorimi i proceseve rekrutuese nga shoqëria civile, përtej një parimi demokratik, në Kosovë është garantuar me Ligjin për Zyrtarët Publikë (LZP)  i cili parasheh dispozita konkrete për vëzhgimin e proceseve rekrutuese nga shoqëria civile dhe nga sindikatat në të gjitha kategoritë e shërbimit civil. Kjo garanci ligjore nënkupton përgjegjësinë e institucioneve publike për të mundësuar kushte të përshtatshme për vëzhgimin e shoqërisë civile të proceseve rekrutuese që nga faza e shpalljes së konkursit publik, verifikimit paraprak (krijimit të listës së ngushtë), testit me shkrim, intervistës dhe përzgjedhjes përfundimtare në një pozitë. 

Kohët e fundit ka filluar të vendoset një praktikë e paligjshme nga disa institucione të Republikës së Kosovës ku e drejta për vëzhgimin e proceseve rekrutuese sidomos për pozitat e nivelit të lartë drejtues tkurret ose edhe mohohet në tërësi, siç është rasti me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve e cila ka refuzuar vëzhgimin e proceseve rekrutuese për pozitat e larta drejtuese nga Iniciativa Corrwatch.

Këto raste janë shembulli më i keq i funksionimit demokratik të institucioneve publike ku përmes pamundësimit të vëzhgimit të proceseve rekrutuese nga ana e shoqërisë civile, përveç shkeljes së një të drejte të garantuar me LZP, cenohet transparenca e procesit e që është thelbi i meritokracisë. 

Si përfundim, monitorimi i procesit të rekrutimit nga shoqëria civile është e drejtë ligjore e cila garantohet me LZP, por edhe vlerë demokratike për të ndërtuar një administratë publike transparente, efikase dhe të drejtë e cila përmbush interesin publik dhe furnizon me shërbime qytetarët. Vetëm përmes këtij kontrolli të jashtëm të pavarur mund të sigurohemi që të eliminojmë korrupsionin, favorizimet politike dhe parregullsitë që dëmtojnë efektivitetin dhe efikasitetin e shërbimit civil. Shoqëria civile, në rolin e saj monitorues, u jep zë qytetarëve dhe siguron që proceset e rekrutimit të jenë të bazuara në meritë dhe profesionalizëm.

(Ky publikim është pjesë e nismës “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe të organizatave zbatuese)