OpEd

Moment reflektimi

“Freedom House”, “Transparency International”, “Reporterët pa kufij” dhe tash Projekti për Drejtësi Botërore janë unikë në vlerësimin e tyre: Kosova është në rrugën e mbarë të demokracisë, mirëqeverisjes dhe sundimit të ligjit. Patjetër se ne që jetojmë këtu çdoherë do të kërkojmë më shumë dhe më mirë nga partitë tona politike, por nganjëherë është e dobishme të vlerësojmë se sa shumë kemi arritur për kaq pak kohë

Me lajme që Kosova është e para ose e dyta në botë jemi mësuar të na vijnë vetëm nga xhudoja. Kësisoj ishte befasi kur javën e kaluar kuptuam që Kosova është shpallur “nënkampione e botës” në sundimin e ligjit. Javën e kaluar u publikua Indeksi për Sundimin e Ligjit nga ana e Projektit për Drejtësi Botërore, i cili bën vlerësimin e sundimit të ligjit në 140 vende të botës përmes vlerësimit të perceptimit të 154.000 të qytetarëve dhe 3.600 profesionistëve juridikë anembanë botës. Në kuadër të Indeksit çdo vend fiton pikët në shkallën nga zero deri në një. Zero të qenit vlerësimi më i ulët, një të qenit vlerësimi më i lartë.

Në këtë sfond Indeksi i fundit për Sundimin e Ligjit ka sjellë tre mesazhe kyç.

I pari, raporti konfirmon se Kosova vazhdon të bëjë progres në fushën e sundimit të ligjit. Kosova është pjesë e vlerësimit të Indeksit që nga viti 2020 dhe që nga ajo kohë vlerësimi i Kosovës ka njohur vetëm ngritje. Në vitin 2020 Kosova mori 0.54 pikë, në vitin 2021: 0.55 pikë dhe këtë vit 0.56 pikë. Ky avancim ia dhuroi Kosovës çmimin e vendit të dytë në botë për progres në fushën e sundimit të ligjit. Me këtë ritëm të progresit Kosovës do t’i duhen dymbëdhjetë vjet për të arritur nivelin e sundimit të ligjit të Sllovenisë dhe njëzet e shtatë vjet atë të Gjermanisë.

I dyti, përderisa e gjithë vëmendja është në vlerësimin e përgjithshëm të Kosovës në kuadër të Indeksit është shumë me rëndësi të shikohet më në detaje se kush ishin bartësit e progresit në kuadër të Indeksit. Vlerësimi në kuadër të Indeksit bëhet duke marrë pikë brenda secilës nga tetë indikatorë të vlerësimit dhe në këtë drejtim nëse analizohet vlerësimi i Kosovës brenda secilit nga këta tetë indikatorë një mesazh i rëndësishëm shfaqet në sipërfaqe: progresi i Kosovës në kuadër të Indeksit ka ndodhur me gjithë ngecjen apo regresin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Pra, Kosova ka bërë progres dhe ka fituar pikë në të gjithë gjashtë indikatorët, përveç në dy indikatorë që kanë të bëjnë me rolin dhe performancen e sistemit prokurorial dhe gjyqësor. Në indikatorin shtatë “drejtësia civile” sistemi prokurorial dhe gjyqësor i Kosovës është vlerësuar si i stagnuar dhe nuk ka marrë asnjë pikë më shumë se vitin e kaluar, ndërsa në indikatorin tetë “drejtësia penale” Indeksi ka vlerësuar se sistemit prokurorial dhe gjyqësor ka shënuar regres krahasuar me vitin e kaluar. Në të gjithë gjashtë indikatorë të tjerë Kosova ka marrë më shumë pikë se vitin e kaluar. Nga ana tjetër, indikatori në kuadër të të cilit Kosova ka marrë më së shumti pikë është “rendi dhe siguria”, ku forcat e rendit dhe sigurisë janë vlerësuar më mirë se ato në Belgjikë apo Spanjë.

E treta, Kosova është i vetmi vend në rajon me trend ngritjeje në kuadër të Indeksit. Të gjitha vendet e rajonit vazhdojnë të shënojnë rënie në kuadër të Indeksit. Të gjitha vendet e rajonit kanë cilësi më të dobët të drejtësisë sot se në vitin 2015, kur ka filluar publikimi i Indeksit. Gjetjet sikur këto sforcojnë argumentin e vendeve të BE-së, sikur Franca, kur kritikojnë meritokracinë e procesit të zgjerimit. Pra, si është e mundur që të gjitha vendet e rajonit kanë hapëruar në kuadër të procesit të zgjerimit, me gjithë regresin në atë që BE-ja e cilëson si “themelet” e procesit të zgjerimit? Mungesa e përgjigjes kredibile në pyetjet sikur këto u kanë ofruar argumente bindëse vendeve të BE-së për të vështruar me skepticizëm procesin e zgjerimit.

***

Mendoj se janë dy përfundime të rëndësishme që mund të nxjerrim nga publikimi i Indeksit të fundit për Sundimin e Ligjit.

E para, gjetjet e Indeksit nuk mbështesin akuzat e opozitës për keqqeverisje në Kosovë. Indeksi është raport ndërkombëtar i radhës, i cili konfirmon se Kosova është në rrugën e duhur. Raporti i fundit i “Freedom House” konfirmoi se jeta demokratike e Kosovës është në stadin e saj më të mirë historik. “Transparency International” konfirmoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka bërë progres rekord vjetor. “Reporterët pa kufij” konfirmuan renditjen më të lartë të Kosovës në dhjetë vjetët e fundit, ndërsa tani Indeksi konfirmoi vlerësimin më të lartë për sundimin e ligjit që nga fillimi i matjeve të tij. Kam shkruar edhe më herët se këto vlerësime të jashtme dhe objektive duhet t’i shërbejnë opozitës si momente këndelljeje për të hequr dorë nga akuzat dembele opozitare sikur “autoritarizmi”, “rikapja e shtetit”, “komunist” etj. Kosovës i duhet një opozitarizëm ndryshe. Një opozitë inspiruese, jo një opozitë denigruese. Një opozitë që adreson shqetësimet reale të qytetarëve, jo një opozitë që merret me probleme imagjinare.

E dyta, raporti ngre pikëpyetje të rëndësishme për metodologjinë e procesit të zgjerimit. BE-ja ka shpallur demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si “fundamentals first” apo “themelet” e procesit integrues. Sipas kësaj politike të BE-së, progresi në këto fusha ndikon në ecurinë e gjithë procesit anëtarësues të vendeve të Ballkanit. Dhe në këtë sfond nëse lexojmë konstatimet e “Freedom House”, “Transparency International” dhe Indeksit të Sundimit të Ligjit i bie që të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës, sot kanë demokraci më të dobët, perceptohen më të korruptuara dhe kanë sundim më të dobët të ligjit se para dhjetë vjetësh. Prandaj, natyrshëm lind pyetja se si është e mundur që i vetmi vend, i cili ka bërë progres në këto fusha të rëndësisë kyç për procesin integrues, nuk ka avancuar drejt BE-së në dhjetë vjetët e fundit? Përgjigjen në këtë pyetje duhet ta gjejë BE-ja, ndërsa ne kemi çdo arsye për të qenë krenarë për progresin që kemi bërë si shtet më i ri i Ballkanit për vetëm katërmbëdhjetë vjet pavarësi. Patjetër se ne që jetojmë këtu çdoherë do të kërkojmë më shumë dhe më mirë nga partitë tona politike, por nganjëherë është e dobishme të vlerësojmë se sa shumë kemi arritur për kaq pak kohë.