Gjatë tërë këtij viti, opozita ka tentuar ta ndërtojë opozitarizmin e saj rreth akuzës për “autoritarizëm” dhe “rikapjen e shtetit” nga ana e Qeverisë. Raporti i djeshëm i Komisionit Evropian e shembi këtë përpjekje dembele të opozitës
Dje Komisioni Evropian e publikoi Raportin vjetor për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën. Zakonisht publikimi i raportit është moment i sikletshëm për pushtetin, sepse identifikon dështimet e ndryshme në qeverisje. Dhe po, kështu ishte edhe këtë vit. Raporti, ndër të tjera, konfirmoi se mazhoranca ishte e paaftë ta kontrollojë në mënyrë efektive shumicën e saj parlamentare për të shtyrë përpara reformat evropiane. Reforma zgjedhore ende nuk ka lëvizur, shumë pak progres është shënuar në reformën e administratës publike, arsim, mbrojtjen e mjedisit apo shëndetësinë. Dhuna familjare është dyfishuar në krahasim me vitin 2020, bullizmi në shkolla është në rritje, ndërsa janë rritur rastet e sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve. Pra, në pak fjalë, raporti i këtij viti ishte i zakonshëm, sepse bëri përsëri atë që bënë çdo vit – sikleton qeverinë me dështimet në qeverisje. Por në një sens tjetër raporti ishte jo i zakonshëm, sepse bëri diçka që nuk bën çdo vit – sikletoi opozitën.
Gjatë tërë këtij viti opozita ka tentuar të ndërtojë opozitarizmin e saj rreth akuzës për “autoritarizëm” dhe “rikapjen e shtetit” nga ana e Qeverisë. Raporti i djeshëm i Komisionit Evropian shembi këtë përpjekje dembele të opozitës. Them dembele, sepse ajo për çfarë opozita akuzonte Qeverinë ishte qartësisht e paqëndrueshme për të gjithë ne që tentojmë të vëzhgojmë diskursin tonë publik me një dozë objektiviteti që na lejon subjektivizmi i të jetuarit në Kosovë - dhe ndoshta për shkak të kësaj edhe humbim të drejtën për të konsideruar veten objektiv. Prandaj, raportet ndërkombëtare, sikur raporti i BE-së, na ndihmojnë që t’i bëjmë një “reality check” vetes si shoqëri.
Pra, po t’i kishe besuar narracionit njëvjeçar të opozitës për “autoritarizmin” dhe “rikapjen e shtetit”, dje raporti i BE-së është dashur të evidentojë manipulimin e proceseve zgjedhore, arrestimin e figurave politike kundërshtare, mbylljen e selive opozitare, shuarjen e shoqërisë civile, kapjen e RTK-së, sanksionimin e mediave private, emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve politikë, politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike dhe shërbimit civil, etj. Por raporti nuk i evidentoi këto. Në fakt raporti evidentoi krejtësisht të kundërtën.
Le të fillojmë nga zgjedhjet komunale, pasi që çdo regjim “autoritar” natyrshëm nuk do të lejonte t’i ikë ky shans i artë për “rikapjen e shtetit”, i cili do t’i lejonte që të zgjerojë dhe thellojë pushtetin nga niveli qendror në nivelin lokal. Kjo do të ishte arritur duke manipuluar procesin zgjedhor, duke ia mohuar mundësitë opozitës për garë politike fer dhe duke i militarizuar politikisht institucionet shtetërore. Por asgjë nga kjo nuk ndodhi. Në fakt raporti konkludon: “Zgjedhjet komunale të vitit 2021 u organizuan mirë, në mënyrë transparente dhe në frymë konkurruese.” Dhe rrjedhimisht pushteti “autoritar” humbi pothuaj në të gjitha komuna. Fillim jo i mbarë për akuzat e “autoritarizmit” në Kosovë.
Qëllimi i radhës i çdo pushteti “autoritar” do të ishte “rikapja e shtetit” përmes sistemit prokurorial dhe gjyqësor, pasi që natyrshëm asnjë regjim autoritar nuk mund të tolerojë kontroll nga pushtete të ndara. Prandaj, opozita na paralajmëroi për tmerrin që do të përjetojmë me gjyqet politike dhe shembjen e drejtësisë. Por asgjë nga kjo nuk ndodhi. Në fakt, raporti e vlerësoi si të “mirëseardhur” qasjen e qeverisë për vettingun. Pra, kemi një qeveri e cila dëshiron vullnetarisht të fuqizojë kapacitetet e gjyqësorit për të kontrolluar vetë pushtetin e qeverisë. Por, dakord, të mos jemi të ashpër me opozitën, ndoshta ky regjim “autoritar” është mjaft inteligjent sa që ka kamufluar planin e vet djallëzor për “rikapjen e shtetit” duke lënë zgjedhjet dhe gjyqësorin për një stad të mëvonshëm. Fillimisht do të fokusohet te mediat, shoqëria civile dhe institucionet e tjera të pavarura. Pra, është një plan brilant – fillojmë me betejat që fitohen lehtësisht. Kësisoj, liria e mediave është një gjë të cilën asnjë regjim “autoritar” nuk mund ta tolerojë. Zgjedhjet - ndoshta, gjyqësorin e pavarur – ndoshta, ama lirinë e mediave - kurrë jo. Llogaridhënia nuk është ana e fortë e autoritarëve. Rrjedhimisht, opozita na paralajmëroi për një epokë të zezë për lirinë e medias, ku jo vetëm se do të sanksionohet media e lirë, por edhe mendimi i lirë i shoqërisë civile do të jetë i ndaluar. Por asgjë nga kjo nuk ndodhi. Në fakt raporti vlerësoi se “Kosova karakterizohet me mjedis plural dhe vibrant mediatik i cili është pasuruar nga mediat e reja dhe ndryshimet në pronësi dhe ekipet editoriale”, ndërsa “shoqëria civile vazhdon të pasurojë demokracinë dhe pluralizmin, duke marrë pjesë në procese vendimmarrëse, duke monitoruar politikat qeveritare dhe duke promovuar qeverisjen e mirë dhe progresin shoqëror... Organizatat e shoqërisë civile janë në përgjithësi të lira të ushtrojnë të drejtën e tyre për asocim dhe shprehjen e kritikes ndaj pushtetit.” Dhe jo vetëm kaq. Për herë të parë në histori të publikimit të raporteve të BE-së për Kosovën transmetuesi publik, RTK-ja, nuk dyshohet për ndikim politik, por përkundër vlerësohet lartë për procesin e emërimit profesional, transparent dhe bazuar në meritë të bordit të ri të RTK-së dhe marrjen e masave për kthimin e profesionalizmit dhe besimit në RTK.
Ok, ok, por ndoshta ky regjim “autoritar” është shumë më dinak se që kemi imagjinuar. Ndoshta, kanë lënë edhe median dhe shoqërinë civile për “rikapjen” në stade të mëvonshme. Ama së paku ndoshta kanë kapur institucionet që i kanë nën kontroll. Këto i kapin edhe në demokraci të konsoliduara, e lëre më në regjime autoritare. Edhe për këtë na ka paralajmëruar opozita kur ka akuzuar pushtetin për “punësime të militantëve” dhe politizim të administratës. Por, fatmirësisht as kjo nuk ndodhi. Në fakt, raporti për herë të parë në histori të tij nuk identifikoi “politizimin” e institucioneve të pavarura publike dhe shërbimin civil si dukuri të kapjes së shtetit. Ndër të tjera, raporti konfirmoi se zgjedhja e katër zëvendësavokatëve të Popullit dhe e bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave është bërë në harmoni me parimet e transparencës dhe meritës. Ndërsa, rezultatet e emërimeve të bazuara në meritë kanë filluar të vërehen qartazi te puna profesionale e Komisionares për Informim dhe Privatësi. Në fakt, raporti shkon aq larg sa që konkludon se ndikimi politik është larguar edhe nga Shërbimi Korrektues dhe “trajtimi preferencial i të burgosurve të nivelit të lartë”. Pra, nga institucionet e pavarura e deri te burgjet, raporti thotë se jemi në rrugë të mbarë për shkapjen e ndikimit malinj politik nga punët e shtetit.
Raporti i djeshëm i Komisionit Evropian duhet t’u shërbejë Qeverisë dhe opozitës si moment këndelljeje. Qeverisë për përshpejtimin e reformave, pasi që efektivisht jemi në gjysmën e mandatit të saj. Pra, duke mos e llogaritur vitin 2024 si vit zgjedhor, qeverisë i ka mbetur edhe një vit e gjysmë qeverisjeje. Ndërsa opozitës raporti duhet t’i shërbejë si mesazh për ndryshimin radikal të sjelljes opozitare. Nga akuzat dembele për “autoritarizëm” dhe “rikapje të shtetit” vëmendja e saj duhet të jetë tek arsimi, shëndetësia dhe mjedisi. Opozita duhet të zbresë nga universi paralel që ka krijuar në universin tonë real që jetojmë çdo ditë në shkolla, spitale dhe rrugët e Kosovës.