Thuhet se shkrimtari francez, Gustave Flaubert, dilte në dritare dhe i thoshte fjalitë e tij me zë të lartë për të testuar nëse tingëllojnë bukur. Pse të shkruarit elegant është me rëndësi për të gjithë?
“Më mirë vdes si qen sesa ta përshpejtoj për një sekondë një fjali, e cila ende nuk është pjekur”. Shkrimtari francez, Gustave Flaubert (1821-1880), ishte i pamëshirshëm - pikësëpari ndaj vetvetes. Nuk ka autor tjetër klasik të rangut të tij që flet aq shumë në shkrimet e tij mbi stilin. Mbi rëndësinë e shkrimit elegant. Mbi përkushtimin dhe pasionin për të formuluar një fjali të bukur, të saktë, të qartë.
“Vuaj nga çibanët stilistikë dhe fjalitë më shkaktojnë të kruara, pa u ngjitur te koka”. Një fjali tipike e Flaubertit. Si kjo: “Stili arrihet vetëm nëpërmjet punës së tmerrshme”, shkroi ai më 1846. “Mania për fjalitë ta ka vyshkur zemrën” - këtë nuk e ka shkruar Flaubert, por e ëma e tij - ajo, afërmendsh, shqetësohej, bëhej merak për të birin e saj. Por Gustave Flaubert e kishte paralajmëruar rrugën e tij që në moshën 13-vjeçare, kur shkroi: “Duhet edhe më tutje t’i përkushtohemi asaj që është më madhe se popujt, kurorat dhe mbretërit: perëndisë së artit”.
Thuhet se Flaubert dilte në dritare dhe i thoshte fjalitë e tij me zë të lartë për të testuar nëse tingëllojnë bukur. Udhëtarët që kalonin atypari në anijet e lumit të Seines (Senës) e shikonin me admirim këtë atraksion. Një anekdotë tjetër, të cilën e ka treguar (dhe me gjasë shpikur) shkrimtari gjerman Daniel Kehlmann, flet për Flaubertin, i cili merr pjesë në një takim me shokët e tij të dikurshëm të klasës. Njëri nga shokët nuk mori pjesë për shkak se ishte i sëmurë. Flaubert u tërhoq në një kthinë për t’ia shkruar disa fjalë - një betejë që zgjati disa orë. Dikur u kthye dhe ua dorëzoi shokëve letrën për ta nënshkruar. Në letër Flaubert kishte shkruar këto fjalë: “Shërim të shpejtë”.
Më 19 shtator 1851 Flaubert i shkroi të dashurës së tij Louise Colet: “Dje kam filluar të shkruaj një roman. Tani ndiej vështirësi stilistike, të cilat po më çmendin. Të shkruash thjeshtë nuk është punë e vogël”. Romanin që kishte filluar Flaubert mbante titullin “Zonja Bovari” - një kryevepër e letërsisë botërore. Nga korriku në nëntor të vitit 1853 ai punoi në një skenë të vetme.
“Të shkruash thjeshtë nuk është punë e vogël”. Çfarë mendonte Flaubert para më shumë se 150 vitesh, vlen edhe sot, madje më shumë se kurrë. Edhe në arën e gjuhës korr çfarë mbjell. Në epokën digjitale çdokush ka diku një profil. Vrulli për t’u shprehur në platforma të ndryshme është shpeshherë i pafrenueshëm sidomos në mesin e atyre njerëzve (përfshirë edhe gazetarët), të cilët ndiejnë nevojë t’ia hedhin mendimet publikut ashtu si blegtori i mllefosur ua hedh tagjinë kafshëve pasi i ka kërkuar tërë ditën nëpër lëndina e kodrina.
Shpesh njerëzit e ngatërrojnë performancën gjuhësore në mediat sociale me llafet që fliten në plazh, në kafehane apo në oborr - pa i peshuar mirë. Aty fjalët mund t’i marrë era. Çfarë shkruhet mbetet - andaj së paku le të jetë e shkruar me respekt ndaj gjuhës, pa marrë parasysh përmbajtjen. Respekti ndaj gjuhës është edhe respekt ndaj lexuesve. Një formulim elegant, një fjalë a fjali që nxit kureshtjen, një fjalëformim befasues ka potencial të gëzojë lexuesin dhe të kuptohet (në rastin më të mirë edhe të mirëkuptohet) nga lexuesi. Kësisoj besueshmëria bëhet e kapshme dhe e imagjinueshme nga publiku.
Shkrimi nuk duhet të lërë indiferent askënd. Së paku kjo është ambicia e çdokujt që shkruan (e sidomos e atyre që profesionalisht merren me gjuhën - politikanë, profesorë, gazetarë, klerikë). Sot çdokush është “gazetar” apo - edhe më keq - “shitës i dokrrave”: falë një profili në youtube, një blogu, një emisioni “autorial”, për shembull. Në të shumtën e rasteve ligjëratat e “shitësve të dokrrave” (veçanërisht ligjëratat e maskuara me gëzof fetar) shërbejnë për zbavitjen e masave. Nuk është humor çfarë del nga goja e “shitësve të dokrrave”, është maltretim i shkronjave dhe keqpërdorim i gjuhës. Shën Agostini, ipeshkvi romak, i cili jetoi mes viteve 354 dhe 430, përkujtonte se zoti ua ka dhënë njerëzve gjuhën jo për të mashtruar njëri-tjetrin, por për të shkëmbyer mendime mes vete. Fjalët dhe gjuha janë shenja të shpirtit.