Çdo veprim i njeriut i përngjan një gare për të qenë i pari në listë, kuptohet për të mirë, por garat kanë edhe rregulla, bile disa të parapara dhe të sanksionuara me akte ligjore siç janë garat në rrugë.
Rruga si sipërfaqe për qarkullimin e pjesëmarrësve në trafik, mund të shfrytëzohet edhe për manifestime të ndryshme, qoftë për qëllime edukative, sportive apo të ngjashme, por duke iu përmbajtur rregullave.
Në Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor Nr. 05/L- 088 në Kapitullin VI përcaktohet si “Manifestimet sportive dhe aktivitetet tjera në rrugë.” Për mbajtjen e këtyre manifestimeve, organizatori duhet të marrë leje nga organet kompetente.
Ka manifestime të ndryshme në rrugë siç janë defilimi i nxënësve me biçikleta, defilimi i mjeteve old timer, vrapime e aktivitete tjera, por kur janë pyetje mbajtja e garave të automobilave, motoçikletave e biçikletave duhet zbatuar rregulla më të ashpra.
Sipas dispozitave të ligjit të përmendur, këto gara mund të lejohen në rrugë, kur nuk ka rrugë tjera alternative, por vetëm në kohën kur ka pak lëvizje në rrugë.
Kërkesa për dhënien e lejes paraqitet 30 ditë para se të fillojë manifestimi. Kërkesës i bashkëngjitet programi, cilat janë aktivitetet, siguria e pjesëmarrësve në trafik, shenjat që duhet hekur, e cilat duhet të vendosen, shënimi i pjesëmarrësve dhe mjeteve të garuesve.
Kërkesa do të refuzohet, nëse vlerësohet se organizatori nuk është në gjendje t’i zbatojë masat, që parashihen me ligj ose trafiku ndalet në vende të rëndësishme.
Kur kufizohet apo ndalohet trafiku organizatori ka obligim ta njoftojë opinionin përmes mjeteve të informimit publik më së voni 48 orë para fillimi të manifestimit.
Në qoftë se konstatohet që organizatori nuk i ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë, manifestimi do të ndërpritet. Organizatori duhet ta ndërpres mbajtjen e manifestimit sportiv apo ndonjë aktivitet tjetër në rast se rrezikohen pjesëmarrësit në trafik, paraqiten rrethana që pamundësojnë mbajtjen e aktivitetit, prishet rendi dhe qetësia publike. Këtu duhet kuptuar se ndërprerjen e bënë vetë organizatori e jo organi kompetent, por nëse këtë nuk e bën organizatori, atëherë e urdhëron policia.
Pas përfundimit të këtyre aktiviteteve, organizatori duhet t’i largojë shenjat dhe mekanizmat që i ka vendosur dhe ta kthejë gjendjen normale në rrugë.
Se sa serioze janë mbajtjet e garave sportive në rrugë, shihet se në dispozita të Ligjit nuk shkruan “mundet” por “duhet.” Pastaj procedura për marrjen e lejes për gara zgjatë 30 ditë, e për ndërprerje pak minuta.
Këso garash janë mbajtur edhe më parë e sidomos garat kodrinore në rrugën Radavc-Savinavodë, ku ai shteg është vlerësuar si më i miri në Rajon dhe kurrë nuk ka pasur aksidente.
Përveç sigurimit të pjesëmarrësve në gara, organizatori duhet të kujdeset edhe për shikuesit. Caktohen vendet e sigurta, kufizohen me balla të kashtës, goma të vjetra e mjete tjera.
Ligji ka paraparë dispozita sanksionuese nga 500 – 1500€ për këto kundërvajtje: organizimi i garave pa leje, nuk e njofton opinionin, nuk e ndërprenë garën në rast të prishjes së rendit, nuk e ndërprenë garën ne rast se kur rrezikohet trafiku, nuk i ka shënuar mjetet dhe pjesëmarrësit me shenja të posaçme, nuk i largon shenjat qe i ka vendosur. Dënohet edhe shoferi përcjellës i garave, nëse nuk e ka shënuar mjetin e përcjelljes. Kuptohet këto dënime janë për secilën kundërvajtje të përmendur që në mënyrë kumulative del se janë rreth 10 000€.
Ka gara shumë interesante, që nuk mbahen te ne si p.sh. ngasja në pishinë me akull, e cila nuk është vetëm garë por edhe stërvitje, ngasja në terren me baltë, ngasja e ngadalshme në mes koneve, ngasja me një kovë me ujë e vendosur në kulmin e automobilit (por kabriolet) si dhe shumë gara tjera interesante që nuk paraqesin rrezik.
Organizator nuk është një person por një klub, organizatë sportive apo asociacion i ngjashëm. Organizatori duhet t’i ketë në dispozicion trajnerin, mjekun, ambulancën, psikologun e të tjerë sipas nevojës. Në rrugët tona nuk mund të mbahen gara si në “Formula1” andaj duhet përgatitur garuesit. Organizatori duhet të bëj alkotestin, mos t’i lejojë shoferët fillestarë të marrin pjesë në gara. Psikologu duhet të kontrollojë refleksin e garuesve (ekziston reflexmetri).
të na befasojë nëse në tregun e automobilave dëgjojmë marrëveshjen e pazarit: “ky kerr ka kalue 200 000 km, është i ruajtur, i ka gomat e reja, e për shpejtësi e provojmë në autostradë”.
(Autori është njohës i rregullave dhe sigurisë në trafik)