OpEd

Mjaft më me premtime kot

Është tepër me rëndësi për secilën komunë që në krye të saj të vendoset dikush që e ka vizionin për t'ua përmirësuar jetën qytetarëve në ato treva. Do të ishte ideale po qe se komunat do t'i udhëhiqnin njerëzit që njëmend e kanë qytetarin në rend të parë dhe që tregohen shumë praktikë dhe të efektshëm për të zgjidhur probleme

Pas sa javësh, të enjten qe dita e parë kur nuk u shënua asnjë i vdekur nga COVID-i, ndërkohë që numri i të infektuarve ka rënë drastikisht krahasuar me fundin e gushtit dhe të gjithë shtatorin. Është kurbë nëpër të cilën tashmë kemi kaluar edhe më herët, pra kur ka pasur ngritje e më pas rënie të rasteve, për shkak se nuk jemi treguar të disiplinuar në mbajtje të distancës dhe higjienës.

Porse sulmi i variantit Delta, pas lirimit të pakuptimtë të masave në atë ekstrem gjatë muajit qershor, duke i pasur parasysh shifrat megjithatë jo të kënaqshme të vaksinimit, do të duhej të na e mësonte se nuk mund të lirohemi posa të bëhen gjërat më mirë, për shkak se përherë ia dalim t'i përkeqësojmë.

Është fakt impresiv që Kosova të ketë mbërritur t'i administrojë mbi 1.4 milionë doza vaksinash dhe se thuajse 600 mijë veta tashmë e kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës. Porse, mbetet fakt i cili brengos, ai që në pesë ditët e fundit janë administruar mesatarisht nga 9 mijë vaksina në ditë, krahasuar me deri 20 mijë vaksina në ditë në kohën e shpërthimit të Deltas. Nuk e kuptoj ende hezitimin e njerëzve për ta marrë vaksinën. Nuk e kuptoj teorinë e konspiracionit të çipave e të ngjashme. Me gjasë nuk jam në trend.

* * *

Porse tashmë jemi në tetor, dhe ky është zakonisht muaji kur sigurohen vaksinat kundër gripit sezonal. Vjet u vonuan shumë, sivjet nuk e di nëse dikush i përmend. Porse atë që e lexova nga autoritetet shëndetësore amerikane është se insistohet që vaksina kundër gripit patjetër të administrohet tash, pas marrjes së asaj kundër COVID-it. Është mbrojtje e dyfishtë dhe kjo vaksinë e mbron organizmin nga një virus tjetër që di të jetë shumë i rrezikshëm nëse nuk ka mbrojtje apo edhe shërim të duhur.

Uroj që Ministria e Shëndetësisë tashmë të ketë nisur procedurat për blerjen e këtyre vaksinave dhe që të mos na ndodhë sikurse vjet, kur një numër tepër i madh vaksinash kundër gripit sezonal u asgjësuan për shkak se erdhën vonë dhe më nuk kishte efekt për t'i administruar.

Vjet, për herë të parë e mora vaksinën kundër gripit dhe u detyrova ta blej në barnatore private, natyrisht, për shkak se shteti nuk i kishte siguruar. Në dimrin e shkuar për herë të parë më bëri vaki që ta kaloja gripin në këmbë, e jo ratë. Dhe, përfundimisht, e di që kjo është për shkak se e kisha marrë vaksinën kundër gripit. Prandaj, fuqimisht ua rekomandoj të gjithëve ta merrni atë - sepse parandalim më të mirë nuk e di që ka.

* * *

Dhe, derisa tema e vaksinave nuk na hiqet nga rendi i ditës, e me gjasë nuk do të hiqet edhe për një kohë të konsiderueshme, në Kosovë zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet komunale. Tashmë po hyjmë në javën e fundit të një fushate që ishte shumë më ndryshe sesa cilado fushatë paraprake, sidomos komunale.

Sinqerisht me të nisur, ia kisha drojën debateve, fjalëve dhe premtimeve të pafund. E paramendoja këtë proces si tepër të lodhshëm e të mërzitshëm, porse e kisha pasur gabim. Dinamika e debateve kësaj radhe, kufizimi i takimeve me numër të madh njerëzish, përdorimi i mediave sociale gjatë fushatës thuajse e dinamizuan atë. Pati çfarë të dëgjohej; pati arrogancë, pati akuza, pati ngritje tonesh dhe pati premtime që përsëriten në secilën palë zgjedhjesh të çfarëdo niveli - për shkak se kjo është karakteristika kryesore e zgjedhjeve: të premtosh, sa më bindshëm, se mund ta ndërrosh realitetin, ani që nuk është e vërtetë.

Prej kësaj që kam parë këto tri javë dhe prej trendit nga zgjedhjet e shkuara, nuk ka dyshim se zgjedhjet do të na zgjaten edhe një apo dy muaj, për shkak se do të ketë balotazh në jo pak komuna. Sa për rikujtim, në zgjedhjet e shkuara komunale, madje 19 komuna shkuan në rundin e dytë të votimeve, që u mbajt një muaj pas rundit të parë. Rezultatet përfundimtare u bënë publike një muaj pas rundit të dytë.

Pra, edhe kësaj radhe, është shumë e mundur që mos t'i kemi kryetarët e rinj komunalë dhe kuvendet komunale të konstituuara para javës së parë të dhjetorit, po qe se do të vazhdohet me trendin e njëjtë, të pafund, të numërimit të votave dhe të një milion ankesave për vota të vjedhura. Sido që të jetë, do të duhej të ishte e pritshme që Kosova t'i ketë të zgjedhur kryetarët e të gjitha komunave deri nga fundi i vitit.

* * *

Është tepër me rëndësi për secilën komunë që në krye të saj të vendoset dikush që e ka vizionin për t'ua përmirësuar jetën qytetarëve në ato treva. Do të ishte ideale po qe se komunat do t'i udhëhiqnin njerëzit që njëmend e kanë qytetarin në rend të parë dhe që tregohen shumë praktikë dhe të efektshëm për të zgjidhur probleme.

Edhe për Prishtinën është shumë me rëndësi që të kryesohet nga dikush që e di se ku do të futet në çastin kur do ta fitojë besimin e votuesve. Qytetin do ta gjejë në një kaos urbanistik, të trafikut, të ndotjes, të mobilitetit etj., dhe do të ketë shumë punë për ta ngritur kryeqytetin në një nivel më të pranueshëm të cilësisë. Dhe, sinqerisht, nuk ka pse të merren e të bëhen krahasime mes Prishtinës dhe kryeqyteteve të tjera. Janë të pakrahasueshme, për shkak se Prishtina e ka humbur bërthamën e saj origjinale në kohë të socializmit, e më pas e ka humbur edhe atë pak çehre qyteti pas luftës, me ndërtimin e pakontrolluar dhe, për më keq, me mungesën absolute të llogaridhënies, si të udhëheqësve, ashtu edhe të qytetarëve karshi ligjit.

Kushdo që ta marrë pushtetin, për t'u parë i suksesshëm, sipas meje, do të duhej t'i realizonte këto punë:

Ta rikthejë gjelbërimin e humbur nga tarracat e lokaleve në objektet e banimit kudo nëpër qytet;

Ta rregullojë me vendim komunal, në mungesë të ligjit, zhurmën që e shkaktojnë këto lokale, kudo nëpër qytet;

Ta krijojë një 'flea market' në afërsi të stadiumit dhe t'i zhvendosë të gjithë shitësit ambulantë aty, përfshirë edhe veturat e plastikës që sillen nga Zahiri;

Në mungesë të ligjit, me vendim komunal dhe në bashkëpunim me policinë e trafikut, ta zvogëlojë numrin e veturave në qarkullim ditor në Prishtinë;

Ta imponojë ndarjen e mbeturinave dhe të ndërtojë impiante për procesimin e mbeturinave të ndryshme, posaçërisht që mund të riciklohen.

T'i shndërrojë krejt shkollat e kryeqytetit në shkolla model, pavarësisht objekteve në të cilat funksionojnë dhe t'i bëjë ato më të këndshme për fëmijët;

Ta rikthejë stadiumin e vogël te ish-Kino Rinia, e t'i rikthejë garat komunale shkollore në sporte ekipore;

Ta riaftësojë sallën e madhe në Pallatin e Rinisë - nëse jo për sport, atëherë për hapësirë panairesh të vogla, që do ta akomodonin për shembull, Panairin e Librit si duhet;

T'i fusë të gjitha kabllot nën tokë - në bashkëpunim me ofruesit e shërbimeve të telefonisë dhe internetit me partneritet publiko-privat, kur edhe këta të fundit kanë për detyrim të investojnë dhe mirëmbajnë infrastrukturën;

Të koordinojë, ama përnjëmend koordinojë, me të gjitha palët e interesuara, që gropimi i rrugëve të bëhet vetëm njëherë dhe që krejt punët të kryhen brenda afateve optimale, për shkak të penalizimeve të mëdha që ngërthejnë vonesat;

Që t'i zbulojë rrugët në qendër dhe Prishtinën e vjetër që janë ende krejt kalldrëm, për t'i kthyer bile pak veçanti qytetit të asfaltuar;

Që të mbjellë sa më shumë drunj e lule shumëvjeçare nëpër hapësirat e gjelbra të uzurpuara nga lokalet dhe tarracat e tyre, e që duhet liruar;

Që punimet e rinovimit të banesave të mund të bëhen vetëm me leje paraprake komunale dhe vetëm në ditë pune;

Që të ndërpresë dhënien e lejeve për ndërtimin e edhe më shumë objekteve shumëkatëshe në Prishtinën e ngufatur;

Që të ndalojë ndërtime lagjesh pranë burimeve të ujit;

Që t'i heqë qentë endacakë prej qytetit;

Që ta ndërtojë një park, në dalje të Prishtinës dhe ta ruajë hapësirën e gjelbër në zonat rurale që e rrethojnë qytetin;

Që ta rregullojë ndriçimin në të gjitha rrugët e qytetit...

Këto janë vetëm disa nga gjërat që do të na e përmirësonin jetën që na ka degraduar në Prishtinë qe sa vjet. Pas katër vjetësh do të shohim se çfarë do të ndodhë. Kushdo që të fitojë, do të ketë punë të rëndë për ta kthyer në normale një vend që nuk ka pasur arsye të shëmtohet edhe më shumë seç ishte para dy dekadash.

Porse faji nuk mund të jetë vetëm i atyre që e udhëhoqën keq qytetin. Faji është edhe i qytetarëve që kurrë nuk kërkuan përgjegjësi derisa këta ende ishin në detyrë, kur mbase ende ka pasur kohë që gjërat të ndryshoheshin për të mirë.

[email protected]