OpEd

Misioni rus: frikësimi i gjermanëve!

Disa dokumente konfidenciale të një instituti rus shpalosin strategjinë e Kremlinit në raport me Gjermaninë. Kancelari Olaf Scholz përshkruhet si “ende më i miri ndër të këqijtë”

Gjatë shtatorit dhe tetorit Vollodimir Zelenski ka qëndruar në disa kryeqytete të vendeve Perëndimore. Qëllimi i vizitave të tij ishte prezantimi i “Planit të fitores” kundër Rusisë. Përkthyer në gjuhë të kuptueshme: Zelenski kërkoi edhe një herë që Perëndimi të furnizojë Ukrainën me armë, të cilat mund të godasin caqe thellë në Federatën Ruse. 

Zelenski iu lut sidomos kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që Gjermania të furnizojë Ukrainën me raketa Taurus. Kryetari ukrainas shpreson se nëse e godet Rusinë me këto armë efikase, Vlladimir Putini do të detyrohet të ulet në tavolinën e negociatave për të arritur një marrëveshje për armëpushim me Ukrainën. Përgjigjja e kancelarit gjerman për Zelenskin ishte dëshpëruese, por jo e papritur: Scholz e përjashtoi sërish mundësinë që Berlini ta furnizojë Kievin me raketa Taurus.

Paralelisht me këto debate mes Zelenskit dhe partnerëve perëndimorë, televizioni publik gjerman ARD njoftoi se bashkë me gazetën e përjavshme “Die Zeit”, ka arritur të sigurojë një analizë të një instituti rus. Dokumentet konfidenciale tregojnë se si e shikon elita ruse politikën gjermane dhe politikanët e veçantë gjermanë. 

Analiza është shkruar nga Instituti Evropian i Akademisë Ruse të Shkencave, i cili drejtohet nga Aleksej Gromiko. Ai është i biri i Andrej Gromikos, i cili për afro 30 vjet ka qenë ministër i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik. Plaku Gromiko nga diplomatët perëndimorë është quajtur “Zoti Njet”, pra njeriu që përherë thotë “jo”. Që në vitin 1959 revista “Der Spiegel” e përshkruante atë si mjeshtër për negociata që kurrë nuk arrijnë të përfundojnë në konferenca, një njeri që “në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka vënë veton e tij 26 herë me një fytyrë të palëvizshme”.

Mediat gjermane supozojnë se dokumentet nga instituti i Aleksej Gromikos i janë dërguar nomenklaturës ruse, përfshirë Ministrinë e Jashtme në Moskë dhe ambasadorin rus në Berlin. Dokumentet tregojnë se qëllimi i elitës ruse është nxitja e frikës në opinionin gjerman. Lidhur me gjendjen në Gjermani pas zgjedhjeve në dy lande të Gjermanisë Lindore thuhet: “Përmes kanaleve ekzistuese duhet të rritet presioni për të nxitur frikën e qytetarëve gjermanë për një konflikt të mundshëm midis NATO-s dhe Federatës Ruse.”

Instituti rus vë në shënjestër veçanërisht tre politikanë gjermanë, të cilët, sipas analizës, po provokojnë konflikt mes Rusisë dhe Perëndimit. Ata janë: ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, eurodeputetja Marie-Agnes Strack-Zimmermann dhe politikani konservator Roderich Kiesewetter. Pistorius është njëri nga politikanët më të popullarizuar në Gjermani. Gjatë vizitës në Serbi në fillim të këtij viti ai paralajmëroi presidentin serb se “nuk mund të vallëzosh në dy dasma njëkohësisht”.

Shpresa të mëdha analistët rusë kanë te politikania komuniste gjermane, Sahra Wagenknecht, e cila ka braktisur partinë “Die Linke” (e majta) dhe ka themeluar Aleancën Sahra Wagenknecht (BSW). Ajo është kritike e ashpër e ndihmës perëndimore për Ukrainën dhe nga disa media gjermane përshkruhet si përkrahëse e Vlladimir Putinit. Në një koment të gazetës “Süddeutsche Zeitung” theksohej së fundi se “Sahra Wagenknecht di shumë për pushtetin, por pak për botën”. Analistët rusë propozojnë që “të forcohen kontaktet më të ngushta me Wagenknecht dhe rrethin e saj përmes kanaleve ekzistuese”. 
Bie në sy mënyra se si analistët rusë e përshkruajnë kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Sipas tyre, ai është “ende më i miri ndër të këqijtë”. Kjo për shkak se nuk ka pranuar t’i japë Ukrainës raketat Taurus, përkundër presionit nga partia e tij dhe partnerët e koalicionit. “Pritet që ky refuzim të vazhdojë deri në vjeshtën e vitit 2025”, thuhet në dokument. Atëherë do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Gjermani dhe sipas anketave të tanishme socialdemokratëve të Scholzit u kërcënohet një humbje e thellë. 

Aktualisht në anketa prin partia konservatore CDU me kandidatin e saj për kancelar, Friedrich Merz. Nëse Merz do të bëhej kancelar vitin e ardhshëm, pritet një “përkeqësim i mëtejshëm” i marrëdhënieve gjermano-ruse, potencohet në dokument. Analistët rusë nuk e fshehin gëzimin që politika gjermane ndaj Ukrainës “po përballet gjithnjë e më shumë me protesta midis qytetarëve gjermanë, veçanërisht në Gjermaninë Lindore”.