Sipas kalendarit hebraik, këtë vit Dita e Pavarësisë së Izraelit fillon me perëndimin diellit, më 14 prill, dhe përfundon në perëndimin e datës 15-të.
E shpallur 73 vjet më parë, pikërisht më 14 maj 1948, ajo shënon përmbylljen e datave të rëndësishme, të cilat fillojnë pothuajse një javë më herët, përfshirë Ditën Përkujtimore të Holokaustit – Yom HaShoah, Ditë në kujtim të Martirëve, për të përfunduar me festën e shpalljes së pavarësisë.
S’do të ndalem tek aspektet historike të krijimit të shtetit, por në këtë ditë duhet nënvizuar kontributin e kombit shqiptar në mbijetesën e popullit hebraik, i cili pas shumë vuajtjeve të përjetuara në pothuajse dy dekadat paraprake, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjeti kurajën për ta ringjallur shpresën e për të vazhduar tutje, mbijetesë e cila kulmoi me formimin e shtetit të Izraelit. Nëpër arkiva të shumta shfaqen imazhet e të mbijetuarve të tmerreve të Holokaustit, të cilët mbërrijnë në brigjet e shtetit të ri, për të nisur gjithçka nga e para, por tani si qytetarë të lirë në shtetin e tyre.
Ne njiheshim edhe më parë
Dhe nuk ka se si në data të këtilla, të mos përmendet kontributi i kombit shqiptar në strehimin dhe shpëtimin e qindra hebrenjve, të cilët iknin nga përndjekja nëpër vendet e ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë të Evropës, të cilat tashmë kishin filluar persekutimin e tyre, për të vetmen arsye: sepse i takonin një feje tjetër.
Në një situatë të tillë, që kishte mbërthyer Evropën, shqiptarët gjetën kurajën dhe hapën dyert e shtëpive të veta, duke rrezikuar madje edhe jetët e tyre dhe të familjeve të tyre për t’i shpëtuar dhe për të mbajtur Besën e dhënë, premtimin se do t’u ndihmojnë me çdo kusht, madje edhe nëse do të duhej sakrifikuar jetën e tyre apo të familjarëve.
Në data si kjo, vepra e jashtëzakonshme e heronjve të heshtur merr dimension tjetër, pasi që, shumë prej hebrenjve të shpëtuar tek shqiptarët, pasi që mbijetuan Holokaustin dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, qofshin në Shqipëri apo Kosovë, u nisën – dikush më herët e kush vite më vonë – drejt shtetit të sapoformuar të Izraelit, për të vazhduar jetën dhe për ta rikthyer shpresën. Andaj, nuk ka se si të mos marrë dimension tjetër kjo datë, kur paraardhësit tanë – pra në një formë, shpëtimtarët e hebrenjve nderohen edhe si kontribuuesit e rëndësishëm në formimin e shtetit izraelit. Prandaj, siç e kam thënë edhe në të kaluarën (si stërnipi i njërit nga shpëtimtarët e shumtë të hebrenjve në Kosovë), gurthemeli i marrëdhënieve mes dy popujve tanë është pikërisht historia e shpëtimit të hebrenjve tek shqiptarët.
Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike ka zyrtarizuar raportet mes dy shteteve, por këto marrëdhënie kanë filluar shumë dekada më parë, dhe janë zhvilluar ndër vite.
Fuqizimi i marrëdhënieve
Duhet theksuar që është ish-kongresisti amerikan, Jospeh Dioguardi, kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe znj. Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit në LQAA, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e çmuar në faktorizimin e Kosovës në marrëdhëniet mes dy popujve. Çështja e shpëtimit të hebrenjve edhe jashtë Shqipërisë sovrane do të njihej nga opinioni botëror, pas takimit me ish-diktatorin e Shqipërisë, Ramiz Alia, i cili për herë të parë i zbuloi dokumentet arkivore të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, të cilat DioGuardi i dërgoi në Izrael.
në Kosovë, ishte znj. Xhangyle Ilijazi, aktivistja e parë që në vitet ‘80 filloi të hulumtojë dhe t’i regjistrojë faktet mbi fenomenin unik të shqiptarëve të Kosovës, të cilët i strehuan hebrenjtë gjatë periudhës më të errët të njerëzimit në kohë moderne, Holokaust, e po ashtu edhe për trashëgiminë hebraike dhe historinë e tyre në vendin tonë. Pas formimit të shoqatës së miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, më 2005, qëllimi kryesor i së cilës është hulumtimi, zbulimi, regjistrimi, dokumentimi dhe publikimi i të gjitha fakteve mbi shpëtimin dhe strehimin e hebrenjve gjatë Holokaustit në Kosovë dhe në Ballkan, raportet mes dy popujve filluan të zhvilloheshin edhe më tej. Natyrisht që, lobimi direkt si aktivistë dhe hulumtues nuk na takonte, megjithatë gjithmonë nëpër kontakte, vizita e takime, me zyrtarë e personalitete të ndryshme që nga rangu më i lartë politik e shtetëror, e tutje te përfaqësues të shoqërisë izraelite, ishte kjo fjali që bashkë me znj. Ilijazi e kemi theksuar: “Jemi nga Republika e Kosovës, shtet të cilin ende nuk e ka njohur shteti i Izraelit”. Konsideronim që në një formë kjo fjali do të hasë në veshin e duhur dhe do të ketë lëvizje në këtë drejtim, pasi që sa herë përmendnim këtë fakt, hapej një diskutim i gjerë rreth arsyeve të mosnjohjes, e nga miqtë e afërt, edhe se si mund të ndihmonin në këtë drejtim. Pjesa tjetër i mbetet historisë.
Andaj, sot jemi të lumtur që edhe ne kemi kontribuar sado pak në forcimin e miqësisë e mirëkuptimit, e edhe më tej në njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës.
Në përfundim, citoj ish-presidentin e SHBA-së, John F. Kennedy: “Izraeli nuk u krijua në mënyrë që të zhdukej – Izraeli do të qëndrojë dhe do të lulëzojë”. Dhe kësaj ia shtoj edhe copëzën: “Miqësia jonë, po ashtu!”.
Autori është magjistër i arkivistikës, gazetar, stërnip i Arsllan Mustafa Rezniqit, shqiptarit të parë të Kosovës të dekoruar si “Fisnik mes kombeve” nga shteti i Izraelit, dhe është sekretar i shoqatës së miqësisë Kosovë-Izrael “Dr. Haim Abravanel”, me seli në Prishtinë.