Talebanët nuk janë forcë e unifikuar, por një grup i larmishëm i grupeve me interesa të kundërta. Ekzistojnë dallime domethënëse midis krahut politik “të civilizuar” të përfaqësuar nga zyra politike në Doha, klerikëve me ndikim dhe komandantëve të shumtë të luftës në terren. Perspektivat e afganëve varen shumë nga fakti se cilët elementë të talebanëve rezultojnë dominues. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të identifikohen dhe mbështeten udhëheqësit më të moderuar talebanë
Ditët dhe netët pas pushtimit të Kabulit nga talebanët dhe rënies së Qeverisë afgane kanë qenë jashtëzakonisht të qeta. Shumica e dyqaneve dhe bizneseve janë të mbyllura. Afganët e zakonshëm janë fshehur në shtëpitë e tyre. Talebanët po veprojnë si forcë policore, duke mbrojtur qytetin nga grabitësit. E megjithatë, në këtë moment qetësie relative, afganët po përballen me një kuptim monumental: tani jetojnë në një vend krejtësisht të ri.
Duke mbrojtur vendimin e tij për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga Afganistani, presidenti amerikan Joe Biden pranoi se ngjarjet u zhvilluan “më shpejt” sesa kishin parashikuar zyrtarët amerikanë. Sipas Bidenit, kjo ndodh sepse udhëheqësit politikë të Afganistanit, përfshirë presidentin Ashraf Ghani, “hoqën dorë dhe ikën nga vendi” dhe “ushtria afgane u dorëzua, shpesh pa përpjekje për të luftuar”. Ministri në detyrë i mbrojtjes i Afganistanit, gjenerali Bismillah Khan Mohammadi, mbrojti ushtrinë, duke postuar në “Twitter”: “Na lidhën duart nga prapa dhe e shitën vendin. Mallkoni Ghanin dhe bandën e tij”.
Çfarëdo që ndodhi në korridoret e pushtetit të Kabulit javëve të kaluara, tani janë talebanët ata që i pushtojnë ato. Por cilët janë talebanët, të cilët vendi më i fuqishëm në botë shpenzoi më shumë se 2 trilionë dollarë në përpjekjen për të mposhtur, dhe çfarë do të thotë kthimi i tyre në pushtet për afganët dhe fqinjët e tyre?
Talebanët nuk janë forcë e unifikuar, por një grup i larmishëm i grupeve me interesa të kundërta. Ekzistojnë dallime domethënëse midis krahut politik “të civilizuar” të përfaqësuar nga zyra politike në Doha, klerikëve me ndikim dhe komandantëve të shumtë të luftës në terren. Perspektivat e afganëve varen shumë nga fakti se cilët elementë të talebanëve rezultojnë dominues. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të identifikohen dhe mbështeten udhëheqësit më të moderuar talebanë.
Këtu, mund të ketë një lajm të mirë. Informacioni i fundit sugjeron se bashkëthemeluesi dhe shefi politik i talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar do të bëhet udhëheqësi i ri i Afganistanit. Ai e ka pozicionuar veten si një udhëheqës pragmatik, me përvojë dhe mendimtar, i aftë të bashkojë rreth tij grupe talebane me ndikim dhe të negociojë në mënyrë efektive me aktorët ndërkombëtarë. Më 17 gusht, Baradar arriti në Afganistan.
Për më tepër, udhëheqësit talebanë gjithashtu janë zotuar të krijojnë një “qeveri përfshirëse islame”. Sipas Suhail Shaheen, zëdhënës i talebanëve, një qeveri e tillë do të përfshinte afganë jo-talebanë, përfshirë disa “figura të njohura”. Një figurë e tillë mund të jetë ish-presidenti afgan Hamid Karzai, i cili ka formuar një këshill koordinues për të menaxhuar një transferim paqësor të pushtetit. Ai këshill – i cili tani është në Doha për t’u takuar me udhëheqjen talebane – përfshin gjithashtu Abdullah Abdullahun, kryetarin e Këshillit të Lartë të Afganistanit për Pajtimin Kombëtar dhe ish-kryeministrin Gulbuddin Hekmatyar.
Për ironi, ky lloj i përfshirjes do të përjashtonte shumë nga segmentet më radikale të talebanëve, duke rritur rrezikun që ekstremistët të kërkojnë partneritet me grupet terroriste si al-Qaeda ose Shteti Islamik. Por rreziku më i madh do të lindte nga përpjekjet për ta kthyer Afganistanin në një shtet mono-etnik (pashtun), bazuar në një mendim fitues. Kjo me siguri do të rindizte luftën civile.
Përtej formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, talebanët do të kenë nevojë të forcojnë ushtrinë dhe policinë dhe të vendosin marrëdhënie diplomatike me pjesën tjetër të botës. Ndër miqtë më të shpejtë të grupit ka të ngjarë të jenë Rusia dhe Kina. Zamir Kabulov, i dërguar presidencial rus në Afganistan, thotë se Kremlini mban marrëdhënie të mira me talebanët, kështu që Rusia nuk është e shqetësuar për atë që po ndodh në vend. Në një telefonatë të fundit, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, i tha homologut të tij rus, Sergey Lavrov, se ata duhet t’i “mbrojnë interesat legjitime” të vendeve të tyre përkatëse në Afganistan, “të raportojnë mbi situatën dhe ta mbështesin njëri-tjetrin”.
Talebanët gjithashtu mund të gjejnë partnerë të gatshëm në fqinjët e Azisë Qendrore të Afganistanit. Udhëheqësit e komuniteteve etnike të Uzbekistanit dhe Taxhikistanit në Afganistan-komandantët e luftës Abdul Rashid Dostum dhe Atta Mohammad Noor u larguan nga vendi pas rënies së Mazar-i-Sharifit, të cilin ata po e mbronin. Shumë analistë e konsideruan këtë si një refuzim të talebanëve. Por besoj se kjo pasqyron një mosgatishmëri për t’i vazhduar luftimet dhe pres që të dy burrat të kthehen së shpejti në Afganistan.
Më gjerësisht, vendet e Azisë Qendrore duket se janë optimiste me kujdes për potencialin për bashkëpunim me një Afganistan të udhëhequr nga talebanët. Tek e fundit, Baradar është zotuar të mos “lejojë shfaqjen e një kërcënimi dhe rreziku nga Afganistani” në vendet e Azisë Qendrore, dhe ka mirëpritur planin e iniciuar nga Uzbekistani për të ndërtuar hekurudhën “Korridori i Kabulit” nga Termezi në Uzbekistan deri në Peshawar të Pakistanit nëpërmjet Mazar-i-Sharifit dhe Kabulit. Në fakt, me largimin e Shteteve të Bashkuara, vizioni i një “Azie Qendrore të Madhe” me tregti më të hapur dhe infrastrukturë të përmirësuar midis vendeve të rajonit gradualisht mund të bëhet realitet.
E ardhmja e Afganistanit gjithashtu do të formohet nga politika e SHBA-së dhe e aleatëve të saj. Humbja poshtëruese dhe tërheqja kaotike e Amerikës ka minuar rëndë pozitën e saj ndërkombëtare. Pyetja tani është se sa përgjegjësi, nëse ka, SHBA-ja do të marrë për të siguruar mirëqenien e popullit afgan, duke pasur parasysh rolin kryesor që luajti në shkatërrimin e vendit të tyre.
Tani për tani, administrata e Bidenit thotë se është duke pritur që talebanët të demonstrojnë angazhimin e tyre për të qeverisur në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe parandaluar terrorizmin. Por SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të bëjnë më shumë për t’i ndihmuar afganët e zakonshëm. Duke pasur parasysh mungesën e besimit të njerëzve në partnerët perëndimorë, nismat e pavarura të drejtuara nga Perëndimi nuk ka gjasa të funksionojnë. Fqinjët e Afganistanit dhe Rusia duhet të përfshihen.
Hapi i parë duhet të jetë thirrja e një konference të veçantë ndërkombëtare mbi Afganistanin, duke përfshirë të gjitha palët e interesuara, me Kinën dhe Rusinë si lojtaret kryesore. Vendet donatore duhet të bashkohen nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me përfshirjen e sistemit të OKB-së dhe bankave multilaterale të zhvillimit, duhet të krijojnë një fond të veçantë për të ndihmuar në rindërtimin e Afganistanit.
Në nivelin diplomatik, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, Rusia, me ndikimin e saj të thellë në Azinë Qendrore, mban çelësin për rindërtimin e Afganistanit. Nëse Perëndimi përqafon këtë proces, ndoshta marrëdhëniet e tij me Rusinë gjithashtu mund të përmirësohen.
(Djoomart Otorbaev është ish-kryeministër i Kirgizisë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)