OpEd

Minjtë e kanalizimit si “MI 5”

Hymë në kilometrin e fundit të maratonës së zgjedhjeve, të rraskapitur shpirtërisht e financiarisht, dikush me shpresa të mëdha, dikush me zhgënjim të thellë e dikush krejtësisht indiferent.

Rrafsh gjashtë muaj eufori e deprimim, lajka e ofendime, biseda pa fund, fitoi ky, humbi ai, emisione, debate, intervista, grindje, boksime, kacafytje, arrestime , kërcënime e incidente të llojllojshme.

Kulti i njohur i “Nënës shqiptare” së cilës populli ynë gjoja i përkulet dhe gjoja e shenjtëron deri në vdekje, u bë paçavër e u shkel për së mbari e për së mbrapshti, kush duke e sharë, hipur, zbritur, qarë e qebesa shpesh duke ia bashkangjitur edhe bijat, motrat, rob’t, farefisin e në rastet më të këqija (të denja për terapi të rëndë) edhe fëmijët në djep. A thua ti ky milet po ha farë afrodizijaku në vend të fasules për çdo ditë.

Çobanët si agjentë inteligjence

I tillë sa është ky popull, një grusht bashkë, u nda në taborë e grupe, në “ne” dhe “ju”, në “ i yni” dhe “i tyre” e në “ne jemi kështu” e “ata janë ashtu”. Kush me daulle tellalli duke shfryrë mllef e urrejtje prej mëngjesit deri në darkë, kush me shuplaka, sulme, thika pas shpine e pabesi të tjera. Lojë nervash me veprime ilegale dhe harxhim parash nga xhepi i popullit pa hesap.

Lloji tjetër janë “brushat me bojë të zezë” që qarkullojnë internetit si shtrigat me fshesë. Gjatë tërë kohës që u torturuam me fushata zgjedhore parlamentare e komunale, dhanë prej vetes gjithë çka kishin (çka tjetër pos të zezës) që të njollosin individë, familje, parti e miq. Natyrisht, të paguar denjësisht për të qenë në fakt atë që janë - fundërrina. Pastaj po thonë njerëzit jo, nuk ka punë. Qe punë sa të duash, veç shiko a ke apo nuk ke kurriz për to!

Doli se filani i paska dajallarët spiunë (edhe?), tjetri nanën serbe (edhe?), tjetrit i paska punuar halla diku (edhe?); bile kish edhe asi lloj qenie mendjepeshku që shkonin edhe më larg, te dajallarët e dajallarëve e tutje. Ah sa bukur. E dija se do të vinte dita kur do të zbulohej uji i ngrohtë. Shihni allahile, se ju mbet edhe farë stërgjyshe, që në kohën e Serbisë i paska shkuar në shtëpi zonjës Milanka dhe i paska kërkuar pak sheqer, derisa ju keni qenë duke luftuar krah për krah me Bajram Currin o patriota t’kanalizimit. Ani sa lezetshëm kur i sheh që krenohen, lum si na, oho sa i/e informuar jam! Aha, jam si CIA unë të njoh mirë, jam si KGB, ia njoh nanën unë atij, jam FBI unë, jam MI5, MOSSAD jam. OK për Mossad tybe në kanë dëgjuar ndonjëherë. Ama që m’i përngjajnë ato amviset e lodhëta, që rrinë me kokën jashtë dyerve të oborrit dhe çajnë dërrasa tërë ditën për gjërat që i imagjinojnë ashtu siç duan ato.

Alo, bullista! Tejkalojeni njëherë e përgjithmonë kompleksin e rritjes suaj. “Get a life” ose zhdukuni dhe në këtë mënyrë shpëtojeni Planetin.

Mazohizmi si sport kombëtar

Krejt kjo maratonë, mbase edhe do t’ishte qesharake e simpatike nëse në të gjitha këto marifete do të ishin të përfshirë vetëm garuesit e saj. Por publiku ynë kosovar, një grusht popull që fryhet si bibani sa herë mendon që po tregon patriotizëm, thjesht e ka mazohizmin si sport kombëtar. Ia do të heqnen bre, ia do vuajtjen e viktimizimin. Çka do të bëhet me ne, a thua do të na udhëheqë ky mirë, pse tezja ime nuk u bë asambliste, ma bënë për inat, nuk na duan këta, nuk na duan ata. Ne jemi të mirë, ama bota është e keqe. Nuk na kuptojnë, nuk u dhimbsemi, nuk po na e dinë hallin. Ne kemi qëlluar popull i fortë, i mençur, i paasimilueshëm, trim, faqebardhë, punëtor, por bota po na e ka inat. Evropa lavire na ktheu shpinën, Amerika nuk po na ndihmon sa duhet, ani se ne e duam. Prite tash edhe farë kënge në çifteli: ”Oj dynja oj janete, nuk po ia di hallin Kosovës së shkret-e”. Av, av u rrëqetha si pula në dimër.

Allahile a u lodhët a jo? A mos po doni edhe Australia të lobojë për kauzën e Kosovës? Helbete. Besoj edhe në Zelandën e Re do të mundë të mbahej një konferencë për liberalizimin e vizave tona.

Shpirtkëqijtë që nuk po na e duan të mirën po na këshillojnë: punoni, luftojini krimin, korrupsionin, mentalitetitn primitiv, dhunën, vjedhjen , budallallëkun! Bëhuni të zotë për veten tuaj.

Shiko, shiko, thuajse nuk e ditëm ne. Ec bajuni, idiotë. Po ta bënim këtë vetë, nuk na duheshit ju. Tekefundit, a nuk erdhët për ta luftuar krimin në vend tonin dhe u zhytët vetë në të? Plus ne jemi vend - shtet shumë bereqetli. Vjen punon një ose dy vjet këtu si UNMIK (hej anglisht po dilka anmik!), EUL-esh a diçka tjetër që emrin e ka të madh, por punën të vogël. Dhe sigurohesh financiarisht për tërë jetën.

Sidoqoftë, tash me krijimin e institucioneve të reja në baza shtetërore ose komunale, priten ndryshime të mëdha. Sidomos në 9 komunat kosovare ku fitoi Lista Srpska. A thashë nëntë? Yep, nëntë janë. E ajo fituese është edhe në Parlament, meqë do t’i filtrojë ligjet sipas qejfit e tekeve të Beogradit. Bën vaki në zgjedhjet e tjera kemi kandidat serb për president. Po më pëlqen për besë. Mos asgjë tjetër, tipi na i mundëson pasaportat serbe pa pare, në vend të 1000 eurove sa po blihen tash në të zezë nga patriotët shqiptarë. Na bëhet normal edhe nocioni “Kosova e Metohija” sikurse na u bë “ Mitrovica e veriut” dhe ajo “e jugut”. Ah, ec e mos u shqyej gazit tash me atë: “ Jo, nuk ndahet o Mitrovica”…diça…ok, ende jam duke qeshur, po nejse.

Zëvendësministrat si FAK

E kurrë më afër e më lehtë nuk ka qenë sesa tani, që të krijohet ushtria e Kosovës, emrin e së cilës duan t’ia bëjnë “Fak”. Lëre që kështu i arsyetojnë të gjitha ato sharje familjare pa hesap, por edhe e kemi numrin e duhur.

Kryeministri ynë, i cili dikur thoshte se Kosovës i mjafton vetëm një zv.ministër për të gjithë (qofsha e gabuar!), sot, pos “brigadës” së ministrave, ka formuar një ushtri të tërë me zëvendësministra (ata secili me këshilltarë e asistentë/e), ndaj gjithë këta, bashkë me armatën e të punësuarve kot në Qeverinë e Kosovës, krejt lehtë e formojnë njëfarë FAK-u, së paku me numër.

Tash ju gojëkëqijtë mund të pyetni: Me çka hamami merret një zv.ministër në orarin e tij tetorësh? E zëvendëson ministrin kur të shkojë ai në tualet? Kur shkon në dreka të mijëra eurove? Në telefon? Merret me tema sociale? Me çështjen e pensionistëve? Me papunësinë? Vizitojnë azilin e pleqve? Fëmijët në nevojë, ata të sëmurë dhe me aftësi të kufizuara?

Aman edhe ju injoranta. Këta janë zv.ministra dhe merren me çështje madhore, jo me cikërrima populli: “Facebook”, udhëtime, far’ ndërmjetësimi për tender çka ka qëllu, “Instagram”, dreka e darka, shkrehje armësh për qejfi, shëtitje me veturë zyrtare, ndonjë kurdisje procesi gjyqësor, snapchat, rrogë e majme nga paratë e taksave tona, ndonjë flirt pse jo…

Merre me mend sa janë gjasat, që gjithë kjo armatë koti të mungojë njëkohësisht në punë? Fillova të dridhem nga frika qysh tash. Çfarë do të bënim? Si do t’ia dilnim? Si do të mbijetonim? Sa e tmerrshme, kam shumë frikë ta mendoj edhe si çast të vetëm. Kështu që, më mirë po i zgjedhim edhe disa zëvendës të zëvendësave të zëvendësministrave, sa për me qenë të sigurt. Helbete për çdo rast. Plus, mirë është që këtyre t’ua paguajmë rrogat edhe një vit pasi t’u kryhet mandati, njësoj sikurse deputetëve. Jo se punuan shumë apo se na qitën në dritë. Ama i kemi shumë për qejfi. Nuk duhet t’i mundojmë pse nuk e bëre këtë ose atë.

P.sh. a bën vaki që një (zv)ministër del në punë dhe merret me krijimin e mundësive për hapjen e një shkolle për fëmijët me inteligjencë mbimesatare? Ose merret me hapjen e një shkolle për astronautë, e të cilët pas diplomimit i studiojnë rrogat astronomike të qeveritarëve dhe çmimet astronomike për popullin. Normalisht që nuk mundet. Ai është thjesht zëvendësues, që i bie se kur ministri mungon, në radhë vjen ky si trashëgues froni mbretëror. Dhe pastaj kur edhe ky mungon, vjen zv.ministri i dytë. Kur edhe ai mungon, vjen zv.ministri i tretë, dhe kështu me radhë. Shanse nuk ka që ky vend të mbetet pa u punuar diçka e dikush në të 24 orë. Aq punëtorë jemi. Si japonezë. E me gjithë këta zv.ministra edhe Kinë jemi bre, Kinë. Veç shqiptar me qenë, është pakëz zor. Ama edhe në qoftë zor, së paku është mirë. Po më dhimbsen ata 1.3 miliardë kinezë që zgjohen çdo mëngjes të dëshpëruar se nuk janë shqiptarë. E as ne nuk e dimë pse, ama vërtet o sa mirë me qenë shqiptar! Në mos asgjë tjetër, së paku nuk je i vetëdijshëm pse ke ngecur në kohë si shpellor.