OpEd

M’i ulë pritshmëritë

Ata që janë lutur si unë për t’u larguar hajnat nga skena, e i kanë ndryshuar pritjet me kalimin e muajve – do të dëshpërohen

Sa herë ndiej njëfarë dëshpërimi për sjelljen apo neglizhencën e X apo Y në punë, në shërbimet që i marrim brenda e jashtë institucioneve, por edhe me drejtimin kah po lëviz shoqëria jonë, më vjen vërdallë ajo që miku im më rrëfeu gjatë një udhëtimi në Tiranë, dy muaj më parë. Më rrëfeu tek pasi ai edhe unë e tjerrim muhabetin nja dy orë e kusur për hallet tona, problemet në shoqëri e deri te politikat e nalta. Pra, për tema brenda të cilave pashmangshëm shtrohet pyetja retorike, se si do të ishte situata sikur vendi ynë të mos ishte “kapur” nga paslufta nga njerëz të papërgjegjshëm, hajna, mashtrues, hipokritë...

“Po dilja një ditë prej zyrës dhe te hyrja e oborrit po më ndal rojtari. M’u drejtua me fjalët: Hë... diçka nervoz po bahesh kaniherë. I thash: qysh mos m’u ba, kur asnjë punë s’ta kryejnë si duhet e kur duhet. Me plasë” .

Miku ma përshkroi rojtarin si njeri të ndershëm dhe të respektueshëm. Duke qenë kështu tha se nuk e kam bezdi kur e zgjas muhabetin me të. Bile-bile tha, më i arsyeshëm dhe më i përgatitur është ai se shumë “eksperta” që i takoj nëpër institucione apo i shoh nëpër studio televizive.

Por, ajo që e kishte lënë pa frymë ishte këshilla e rojtarit.

“Ngomë shef. Po ta jap një këshillë. Që do me kapërcy ma lehtë e pa stres, qoftë me veten, qoftë me t’punës apo me t’shpisë..., uli pritshmëritë ndaj njerëzve”.

Nuk është se nuk jemi udhëhequr në jetë mbi këtë “filozofi”, por për mua ishte “Thënia e Vitit”.

E mikut s’ia “fali” që meselenë e tregoi në fund e jo në fillim të udhëtimit (nuk e di a kishte në mendje apo i shkrepi ndërkohë),... për t’na kursyer nga temat që na e konsumuan rrugën e të cilat me kalimin e kohës janë bërë neveritëse dhe nuk po na shqiten nga debatet për kaq vjet.

***

Para lufte nuk besoj që ka ekzistuar lutje në formën e dëshirës, më shumë e përsëritur sesa ky refren - veç le të vjen liria, veç le të largohet kama e Serbisë se s’lypi kurrgja tjetër në jetë.

Pas lufte nuk ka vonuar shumë dhe e kam dëgjuar refrenin e dytë – veç ta kisha gjet’ një punë, s’e kisha zgjedh çfare.

E pak vjet më vonë shumica që i kanë lypur këto të dyja dhe që i kanë edhe njërën, edhe tjetrën, kanë shkuar përtej me ambicien – po e çoj çikën në balet... në piano..., në gjuhë angleze..., e kemi marrë një pastruese.

Nga ky grup njerëzish dëgjon edhe të tjera “storie suksesi” – Përveç punës jam angazhuar edhe në një projekt, po punoj prej shpije...

S’vonon e dëgjon një tjetër – po punoj edhe vikendeve.

Të shpeshta janë edhe “hjekat” e tyre - e kam rezervu në Vjenë me shku..., kam apliku për vizë amerikane..., sivjet s’e kam niet me shku në Turqi se u ba shpesh,... s’e di a m’u nis këtë javë në Londër apo në Paris.

E mbas këtyre refreneve, të cilat pas një renditjeje logjike në fillim ngatërrohen më pas duke u shndërruar në “tallava”, personazhet e njëjta i dëgjon duke thënë: Po ikim prej Kosove, s’ka jetë këtu.

Për me e kuptu këtë rrjedhë të ngjarjeve, të dëshirave e qëllimeve, të njerëzve që nga perspektiva e tyre kanë të drejtë, por që mua më lënë përshtypjen se nuk janë as në tokë, as në qiell, duhet një studim shkencor – nëse fenomeni ka të bëjë me edukimin, me kulturën e të jetuarit – para dhe tash, apo edhe më thellë, me ndonjë deformim gjenetik (mbase ekziston diku ndonjë kod i “njeriut endacak”).

***

Kur janë bërë të ditura rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021, kam pasur vetëm një pritje nga partia fituese – ndaljen e hajnisë, ashtu siç kam pasur dëshirë 20 e kusur vjet më parë që ta përjetoj vetëm Lirinë.

Të mëdha për mua janë ambiciet që në mandatin e parë të “ndryshimit” apo pas periudhës së stërzgjatur të hajn-qeverive të kemi bum ekonomik, rritje të punësimit, e cilësi në arsim e shëndetësi. Edhe më pak që sistemi i kalbur, i korruptuar e joprofesional i drejtësisë do të vendosë drejtësi.

Ata që janë lutur si unë për t’u larguar hajnat nga skena e i kanë ndryshuar pritjet me kalimin e muajve – do të dëshpërohen.