OpEd

Mësimet nga peroni

Patjetër se sot kemi një qeverisje me cilësore në Kosovë. Patjetër se qytetarët kanë shpresë. Por rezultatet e qeverisjes cilësore kërkojnë kohë, ndërsa me shpresë nuk mund të paguash rrymë apo të blesh atlete për fëmijë

Para pak muajsh të gjithë i kemi parë skenat që vinin nga Afganistani, ku qytetarët pushtuan Aeroportin në Kabul për të ikur nga regjimi i talebanëve. Disa prej qytetarëve të dëshpëruar madje u mbajtën për rrotat e aeroplanëve vetëm për të ikur nga talibanët. Mesazhi i pathënë ishte se më përpara pranojmë vdekjen se jetën nën talebanët.

Mbaj mend se ato pamje më kujtuan skenat e Stacionit të Autobusëve në vitin 2017 në Prishtinë. Atë vit peroni i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë ishte vizualizim dramatik i një shoqërie, e cila - sikur në rastin e Afganistanit - ka humbur besimin në të ardhmen e saj. Çdo mbrëmje qindra qytetarë mblidheshin për të ikur nga vendi. Nuk kishte mjaft autobusë për t’i transportuar të gjithë. Shumë prej tyre nuk kishin as ide se ku do të shkonin. Kryesorja ishte të iknin nga këtu.

***

“Destinacioni kah të muj - n’Xhamajkë, n’Xhamajkë”. Edon Haziri me siguri nuk e ka ditur se këto fjalët e tij do të shndërroheshin në sloganin më të bukur të pakënaqësisë së qytetarëve të Kosovës. Simpatizimi i menjëhershëm dhe universal i qytetarëve me fjalët e Edonit ishte tregues i një pakënaqësie të thellë të tyre me jetën në Kosovë.

Po kështu, fjalët e Ali Sadriut, nga Podujeva - edhe pse më pak të njohura - kanë përmbledhur saktë disponimin e pjesës së madhe të qytetarëve: “Vend më të poshtër, vend më idiot s’ka... As s’ki ku kahesh, as s’ki ku shkon... I vdekun kam mu kthye (në Kosovë), a gjallë për jetë jo”.

Atë mbrëmje në peronin e Stacionit të Autobusëve ishte edhe Dardan Jerliu nga Prishtina, i cili tha se po ikën nga Kosova, pasi që “e ardhmja evropiane po më duket qështu te koka”.

Edoni, Aliu dhe Dardani kanë thënë gjërat të cilat shumë qytetarët i ndiejnë. Për 20 vjet klasa politike e Kosovës nuk ka arritur të ndërtojë një të ardhme në të cilën qytetarët mund të besojnë. Sipas pulsit publik të UNDP-së, 73.5% e të rinjve nuk kanë, ose kanë shumë pak, pritje se do të gjejnë punë në gjashtë muajt e ardhshëm. Tri sfida kryesore të rinisë janë: mungesa e perspektives së punësimit (60.1%), varfëria (49.3%) dhe nepotizmi/korrupsioni (43%). 48% e të rinjve nuk besojnë që situata politike dhe ekonomike do të përmirësohet.

Në këtë drejtim, duke mos parë një të ardhme në Kosovë, qytetarët e shohin si alternativë të vetme migrimin nga Kosova. 58% të qytetarëve janë deklaruar se me siguri të plotë, apo me gjasë, do ta lëshojnë Kosovën brenda tre vjetëve të ardhshëm.

Dhe kjo është pikërisht çfarë ka ndodhur.

Bazuar në të dhënat e EUROSTAT-it, në periudhën 2008-2018, gjithsej 203.330 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE). Gjatë kësaj kohe, po ashtu, 141,330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Këto të dhëna përfaqësojnë 344,660 qytetarë të Kosovës të cilët kanë vendosur të ikin nga Kosova dhe të kërkojnë një jetë më të mirë në BE. Me fjalë të tjera, gati 20%, apo 1/5, e popullsisë së Kosovës ka ikur nga Kosova. Për më tepër, këto të dhëna janë edhe më dramatike nëse i shtohet kësaj edhe numri i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE përmes rrugëve të tjera ligjore, siç janë lejet e punës.

Në asnjë vend të Ballkanit nuk është parë një largim kaq i madh i qytetarëve nga vendi. Aq të dëshpëruar janë ndier qytetarët, saqë shumë prej tyre vendosën ta rrezikojnë jetën vetëm për të ikur nga këtu. Në fakt, kësisoj edhe ndodhi tragjedia e Tises në vitin 2009, kur u shuan jetët e 15 qytetarëve të Kosovës.

****

Edoni, Aliu dhe Dardani kanë qenë mesazh për shoqërinë tonë. Diçka ishte thellësisht e kalbur në sistemin tonë qeverisës. Asokohe, në mes ballafaqimit me sistemin dhe ikjen, qytetarët zgjodhën këtë të fundit. Sidoqoftë, ikja mund të jetë zgjidhje e përkohshme individuale, por ajo nuk i zgjidh problemet e përhershme të një vendi. Kësisoj, janë dashur edhe tre vjet të tjerë që qytetarët ta përmbysin në tërësi një sistem të gabuar politik.

Tani, edhe pse sistemi është përmbysur, ngritja e një sistemi të ri do të marrë kohë. Patjetër se sot kemi një qeverisje më cilësore në Kosovë. Patjetër se qytetarët kanë shpresë. Por rezultatet e qeverisjes cilësore kërkojnë kohë, ndërsa shpresa kërkon punë.

Lajmi për 56.000 aplikime për vizë pune në Gjermani është lajm brengosës. Sado që qytetarët kanë shpresë, me shpresë nuk mund të paguash rrymë apo të blesh atlete për fëmijë. Nga ana tjetër, ky lajm nuk duhet të përdoret për betejat politike. Sot kemi privilegjin që në pozitë dhe opozitë kemi personat e arsyeshëm të cilët duhet të dakordojnë një agjendë zhvillimore afatgjatë të vendit, e cila do të adresojë shkaqet kyç të migrimit të qytetarëve. Strategjia Kombëtare e Zhvillimit është pikënisja e mirë e një diskutimi të tillë.

Në fund, dua ta mbylli me notë optimizmi.

E para, të dhënat e fundit të EUORSTAT-it për 2019 dhe 2020 konfirmojnë numrat në rënie të largimit të qytetarëve nga vendi. Historikisht, asnjëherë nuk i kemi pasur numrat më të ulët të migrimit.

E dyta, ata qytetarë të cilët po migrojnë tani po migrojnë çdo herë e më shumë në mënyrë të ligjshme. Prandaj, edhe pamë numër të lartë të aplikimeve për vizë pune në Gjermani. Viti 2019 ishte vit rekord i cili pa numër më të madh të vizave Shengen për qytetarët e Kosovës dhe nivel më të ulët historik të refuzimit të vizave. Në vitin 2019, 108.774 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar, ndërsa 88,448 kanë pranuar vizë Shengen. 80% e qytetarëve të Kosovës që kanë aplikuar për vizë kanë pranuar një të tillë, apo thënë ndryshe 8 nga 10 qytetarë që kanë aplikuar kanë pranuar vizë Shengen.

Kosova mund të ndërtojë një shoqëri ku qytetarët shohin të ardhmen e tyre këtu në Kosovë. Për të arritur këtë, mësimin më të thjeshtë na ka ofruar Aliu nga peroni i Stacionit të Autobusëve në 2017-n: “Ma së pari na s’kena punu për ven tonin, sikur ti mos t’punojsh për ven tonin, atëherë nuk vjen as Amerika, as Evropa për ty”.