Një ditë, një qytetar në Mozambik, i quajtur Pedro, është zgjuar për të kuptuar se në rrugën para shtëpisë së tij është shfaqur një gropë. Gropa rrezikonte veturat dhe sigurinë e banorëve të lagjes. Për të adresuar këtë problem, Pedroja shkoi në bashkësinë e Maputos. Aty zyrtarët e bashkisë e kanë pyetur detajisht për specifikat e gropës, siç janë gjerësia, thellësia, etj. Pas kësaj bisede bashkësia e ka njoftuar se ajo nuk është përgjegjëse për sanimin e gropës dhe se rasti do të përcillet tek qeveria qendrore. Kanë kaluar ditë dhe javë të tëra dhe pas një muaji gropa u vizitua nga një inspektorat qendror i ministrisë përgjegjëse për transport.
Pas marrjes së të gjitha shënimeve dhe fotografimit të gropës, ata e njoftuan Pedron dhe banorët e lagjes se Ministria nuk ka fonde për sanimin e gropës dhe se ajo do t’u drejtohet donatorëve për financim. Pasi që u kontaktuan donatorët, Ministria pranoi 100 faqe udhëzimesh për zhvillimin e projekt-aplikimit për sanimin e gropës. Ministria është dashur të shpjegonte – ndër të tjera – se si sanimi i gropës përputhet me prioritetet e programit qeverisës të Mozambikut, si kontribuon në përmbushjen e strategjisë ekonomike të Mozambikut, si do të bashkëfinancohet sanimi i gropës nga buxheti i Mozambikut, dhe si do të kontribuojë sanimi i gropës në promovimin e barazisë gjinore dhe luftimit të efekteve të ndryshimeve klimatike.
Po ashtu, pjesë e rëndësishme e projekt-aplikimit ishte edhe shpjegimi se si do të sigurohen qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia e investimit të donatorit, pas sanimit të gropës. Duke e parë kompleksitetin e ndërmarrjes para tyre, ekipi i Ministrisë së Transportit e kuptoi se duhet të ngrihet një task-forcë ndërministrore për të adresuar të gjitha aspektet e projekt-aplikimit, sipas kërkesave strikte të donatorëve. I gjithë ky proces zgjati me javë të tëra, pasi që është dashur kohë që materiali relevant të përkthehet në gjuhën portugeze dhe të shpërndahet nëpër ministritë pjesëmarrëse të task-forcës, si dhe të zhvillohen konsultimet e nevojshme brenda secilës ministri për identifikimin dhe emërimin e anëtarëve përgjegjës të task-forcës. I gjithë ky proces përfundoi pas një muaji. Dhe atëherë kur të gjithë besonin se çdo gjë është gati që Task-Forca të nisë punën, një zyrtar i devotshëm i departamentit ligjor të Ministrisë së Transportit vuri re se Task-Forca nuk mund të funksionojë pa miratim formal të Qeverisë, pasi që përbërja e saj ndërministrore kërkon pajisjen me mandat mbiministror që mund ta ofrojë vetëm vendimi formal i Qeverisë, si autoritet suprem institucional. Kështu edhe u bë. Vendimi formal për ngritjen e Task- Forcës u përcoll për mbledhje të Qeverisë.
Duke pasur parasysh se Qeveria kishte shumë prioritete të tjera në rend dite, miratimi i Task-Forcës vonoi edhe një muaj tjetër. Vetëm pas intervenimit të donatorëve, Qeveria i përshpejtoi procedurat dhe e miratoi vendimin. Tani edhe zyrtarisht u përmbushën të gjitha kushtet për fillimin e punës së Task-Forcës për sanimin e gropës. Task-Forca, me mbështetjen e donatorit, e organizoi një punëtori dyditore me qëllim të hartimit të projekt-aplikimit respektiv. Gjatë punëtorisë, shumë shpejt u bë evidente se Task-Forca do të ketë nevojë për mbështetje teknike në hartimin dhe përpilimin e projekt-aplikimit. Kërkesat për zhvillimin e “logframe-it” dhe indikatorët SMART binin jashtë kapacitetit profesional të anëtarëve të Task-Forcës. Kësisoj, donatori u dakordua që të sigurojë një konsulent të huaj për t’u ofruar asistencë teknike anëtarëve të Task-Forcës në zhvillimin e projekt-aplikimit. Rekrutimi i konsulentit mori një muaj tjetër.
Pas ardhjes së konsulentit të huaj në Mozambik dhe fillimit të punës së përbashkët më anëtaret e Task-Forcës, hartimi i projekt-aplikimit u përshpejtua dhe pas një muaji drafti i parë ishte gati. Si i tillë, ai u përcoll për shqyrtim tek donatori. Zyra lokale e donatorit në Mozambik e miratoi menjëherë propozimin, por pasi që financimi nuk ishte pjesë e planifikimit programatik dhe pasi që ndërlidhmëria në mes sanimit të gropës dhe objektivave strategjike shumëvjeçare të donatorit nuk ishte vetevidente, sipas kuadrit ligjor në fuqi kërkohet miratim nga selia e donatorit. Pra, zyra lokale e donatorit në Mozambik i kishte duart e lidhura, pasi që duhet ta priste aprovimin nga qendra.
Pa humbur kohë, dosja 100-faqesh për sanimin e gropës u përcoll në format elektronik dhe fizik në qendrën e donatorit, ku duhet pritur miratimin e drejtorit përgjegjës për Afrikën. Në rastet e këtilla, kuadri ligjor kërkon autorizim nga drejtori i departamentit gjeografik për lejimin e financimit të projekteve që dalin jashtë planifikimit programatik dhe/apo të cilat nuk janë në linjë të plotë me objektiva strategjike shumëvjeçare të donatorit. Por, para se dosja të mbërrinte në tavolinën e drejtorit për Afrikën, ajo duhej të kalonte filtrat e Njësisë për Afrikën Lindore, e cila mbulonte Mozambikun. Kësisoj, konsultimet shtesë morën një muaj tjetër kohë deri në nënshkrimin e drejtorit për Afrikën. Dosja me nënshkrime pedante dhe e kompletuar u kthye në Mozambik dhe Task-Forca u njoftua se projekt-aplikimi është aprovuar dhe se punimet mund të fillojnë në sanimin e gropës. Ky lajm arriti edhe deri te ministri i Transportit i Mozambikut, i cili njohu potencialin politik të një fotosesioni në prezencë të ekskavatorëve dhe makinerisë asfaltimi, si dëshmi e përkushtimit të tij ndaj mirëqenies së qytetareve. Pasi që agjenda e ministrit ishte e ngjeshur me vizitat jashtë vendit dhe angazhimet paraprakisht të dakorduara, nisja e punimeve u shty për një muaj tjetër në mënyre që të sigurohet prezenca e ministrit.
Kësisoj, gjashtë muaj pasi që Pedro kishte shkuar në bashki, një ditë ai dëgjoi një zhurmë të madhe para shtëpisë së tij. Me të dalë në derë, Pedroja pa makineritë gjigante të asfaltimit dhe plot rrugën kamera të kanaleve televizive. Aty ishin edhe ministri i Transportit dhe donatori. Aty ishin edhe anëtarët e Task- Forcës, si dhe përfaqësuesit e bashkisë. Me pak fjalë, të gjithë ishin aty.
Konfuzionin e Pedros e ndërpreu zëri i ministrit, i cili e ftoi atë në shoqërinë e tij dhe të donatorit. Ministri e prezantoi Pedron si qytetar të devotshëm të komunitetit dhe shembull i bashkëpunimit të afërt në mes qytetarëve dhe qeverisë. Kamerat televizive ishin duke e përcjellë çdo fjalë të ministrit dhe dritat e aparateve ishin tejet acaruese për Pedron. Ishte në këtë moment kur Pedros i mbaroi durimi dhe i pyeti me mirësjellje ministrin, donatorin dhe pak a shumë të gjithë prezentë: “Pse jeni të gjithë ju këtu dhe çfarë doni nga unë?”. Ministri iu përgjigj: “Jemi këtu për të sanuar gropën”. Pedro i habitur u përgjigj: “Cilën gropë?”. Ministri i tha: “Gropën të cilën ke raportuar para gjashtë muajsh”.
Me të dëgjuar ministrin, Pedroja plasi në të qeshurit. Qeshjes së tij iu bashkuan edhe të gjithë fqinjët e tij që kishin dalë në rrugë për të ndjekur çfarë po ndodhte në lagjen e tyre. Ministri, donatori, Task-Forca dhe zyrtarët e bashkisë ngelen të ngrirë nga habia dhe sikleti i sjelljes së Pedros dhe komshinjve të tij.
“Po gropën e kam sanuar unë vetë para gjashtë muajsh”, iu përgjigj Pedroja.
***
Nëse nuk e keni ditur trafiku në orën 07:30 apo 16:30 në Fushë-Kosovë është përvoja më e sikletshme në botë. Është kaos total. Dhe një nga shkaktarët e këtij kaosi është gjysmërrethi më i urryer në botë që gjendet tek Bau Marketi në Fushë-Kosovë. Në baza ditore ai shkakton urrejtjen e absolutisht të gjithë qytetarëve të Fushë- Kosovës, por edhe më gjerë. Çdo tentativë për të përdorur këtë gjysmërreth kërkon shkathtësi shumaheriane.
E para, drita e gjelbër në semafor ndizet për një kohë shumë të shkurtër dhe e lejon kalimin e vetëm një numri të vogël të veturave. E dyta, aty në atë gjysmërreth është një copë e padobishme betoni që ua nxin jetën gjithë ngasësve. Për shkak të asaj cope të padobishme të betonit, veturat e kanë të pamundur të bëjnë gjysmërreth pa u ndalur njëherë, të ecin më pastaj mbrapa dhe më pastaj të ecin para përsëri. Imagjinoni tani çfarë heqin drejtuesit jo të shkathët të veturave me këtë gjysmërreth.
Pra, i gjithë ky kaos ndodh sepse askujt në komunë, ndër vite, nuk iu kujtua që të vijë dhe ta largojë këtë copë të padobishme betoni. Deri më sot.
Së fundi, Komuna e Fushë-Kosovës e ka larguar atë copë betoni. Dhe patjetër se ende ka probleme trafiku, por së paku tani kemi një problem më pak.
***
Ndërsa në Fushë-Kosovë zgjidhja ishte heqja e një cope betoni për të liruar rrugët, në Prishtinë zgjidhja ishte vendosja e një cope betoni për të mbyllur rrugët.
Tani e një kohë sheshi i Prishtinës është zgjeruar deri tek Katedralja. Kjo hapësirë është shndërruar në një pikë tërheqëse festimi për festat e fundvitit. Për mua, ky ishte vendimi më i mirë deri më sot i Përparimit. Jam absolutisht pro shndërrimit të përhershëm në shesh të kësaj pjese të bulevardit.
Prishtina ka nevojë për më shumë sheshe dhe parqe, dhe më pak vetura dhe zhurmë. Në fakt jam absolutisht pro zgjerimit të sheshit deri tek Rrethi i Flamurit.
***
Storia e një grope në Mozambik, gjysmërrethit të Fushë-Kosovës dhe sheshit të Prishtinës janë storiet e thjeshtësisë së zgjidhjes përmes akteve të vogla ndryshimi. Nganjëherë disa zgjidhje në politikat publike janë fare të thjeshta. Ato nuk kërkojnë studimet para fizibilitetit, vlerësimin e ndikimit mjedisor apo indikatorët SMART. Ato kërkojnë vetëm vullnet të mirë.
Dhe patjetër se një gropë e mbuluar nga Pedroja nuk i zgjidh të gjitha problemet e infrastrukturës së Mozambikut, ashtu sikur që heqja e një cope të padobishme të betonit në gjysmërrethin e Fushë-Kosovës nuk i zgjidh të gjitha problemet e trafikut të Fushë-Kosovës, ashtu siç zgjerimi i sheshit të Prishtinës nuk zgjidh të gjitha problemet e jetës së shëndetshme në Prishtinë. Por të gjitha këto akte të vogla pak nga pak bëjnë ndryshimin në të pasurit një jetë më të mirë. Dhe pasi që po i afrohemi fundit të këtij viti, ky është ndoshta edhe urimi për vitin tjetër.
Besoj do të ishte shumë më e dobishme që gjatë vitit 2023 të mos jemi megalomanë dhe të merremi me temat sikur “rritja rekorde ekonomike” apo lidhja futuristike në mes të Dragodanit e qendrës së qytetit. Në vend të kësaj, të fokusohemi në mijëra gjëra të vogla të cilat pak nga pak do ta bëjnë jetën tonë më të mirë në vitin 2023.