Javën e ardhshme liberalizimi i vizave për Kosovën do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Evropian. Ky është votimi final në procesin e liberalizimit të vizave. Më nuk do të këtë lajme për “edhe një votim” apo “edhe një hap”. Ky është fundi. Dhe fakti që më vjen kaq zor të shqiptoj fjalën “urime” tregon sa i dhimbshëm ka qenë ky proces
Kur Kosova fillonte procesin e liberalizimit të vizave në janar të vitit 2012, absolutisht askush nuk ka mundur të parashikonte se ky proces do të zgjaste dymbëdhjetë vjet. Premtimi i Thaçit për “pesëmbëdhjetë muaj” nga këndi i sotëm duket qesharak, por nga këndi i kohës ishte ekzakt kohëzgjatja e cila iu ka dashur vendeve të tjera të Ballkanit për të fituar liberalizimin e vizave. Por, në realitet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën zgjati më shumë se liberalizimi i vizave i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor marrë së bashku. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi qenë dëshmitarë të votimit pas votimit, urimit pas urimit, zhgënjimit pas zhgënjimit dhe tani javën e ardhshme liberalizimi i vizave për Kosovën do ta ketë votimin final. Javën tjetër seanca plenare e Parlamentit Evropian do bëjë miratimin përfundimtar të liberalizimit të vizave për Kosovën. Më nuk do të këtë lajme për “edhe një votim” apo “edhe një hap”. Ky është fundi. Dhe fakti që më vjen kaq zor të shqiptoj fjalën “urime” tregon sa i dhimbshëm ka qenë ky proces.
Pse zgjati ky proces kaq shumë? - është pyetje që nuk ka përgjigje të thjeshtë. Storia e liberalizimit të vizave është storia e gabimeve tona të përziera me rrethanat e paparashikueshme të BE-së, të cilat krijuan një koktej fatkeqësie për qytetarët e Kosovës. Dhe tani, kur jemi në fund të procesit, mund të nxjerrim pesë mësime.
1. Rëndësia e kohës. Ashtu sikur në jetët tona private, ashtu edhe në punët e shtetit disa mundësi të ofrohen vetëm në një kohë të caktuar. Prandaj është tejet e rëndësishme që shteti të njohë rëndësinë e kohës dhe mundësive që ajo ofron në momentet e caktuara. Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2014, Bashkimi Evropian vendosi të fuqizonte prezencën e vet në Lindje. Një nga mënyrat për të forcuar lidhjet politike ishte të liberalizonte vizat për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Pasi që Kosova tanimë ishte në përmbushje e sipër të kritereve të liberalizimit edhe ne u futëm në këtë pako të liberalizimit. Për shkak rëndësisë politike të kësaj pakoje ishte një interesim i madh i BE-së që sa më shpejt të hiqen vizat për këto vende. Me fjalë të tjera, Kosova do të përfitonte nga kjo rrethanë e kohës dhe kjo do të bënte që procesi i vizave të përfundonte brenda katër vjetësh që ishte një kohë relativisht e pranueshme. Sidoqoftë, ishte një kërkesë eksplicite: ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi. Tani të gjithë e dimë si përfundoi kjo histori dhe kësisoj Kosova humbi mundësinë e vitit 2016 për liberalizimin e vizave. Kur Kosova më në fund ratifikoi demarkacionin në vitin 2018, rrethanat kishin ndryshuar dhe mundësia për liberalizimin e vizave më nuk ishte në tavolinë.
2. Vështirësia e procesit integrues. Kosova kishte 95 kritere që duheshin përmbushur për liberalizimin e vizave. Kjo ishte dyfishi i vendeve të tjera. Por kjo nuk ishte ndonjë padrejtësi ndaj Kosovës, por ishte thjesht se si funksionon procesi integrues. Pas çdo vale zgjerimi apo liberalizimi të vizave BE-ja ka nxjerrë mësime dhe ka bërë procesin edhe më të avancuar. Mali i Zi ka më shumë kritere anëtarësimi se Kroacia, Kroacia ka pasur më shumë se Sllovenia, ndërsa Sllovenia më shumë se Çekia. Me kalimin e kohës procesi integrues po bëhet çdoherë më i avancuar dhe më sfidues. Kjo e vërtetë na pret edhe në kuadër rrugëtimit tonë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat.
3. Sundimi i ligjit. Prej kohësh BE-ja ka vendosur se sundimi i ligjit është gur themel i procesit të zgjerimit. Ne këtë e kemi përjetuar nga dora e parë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Degradimet e vazhdueshme të Kosovës në sundimin e ligjit u kanë ofruar municion politik vendeve skeptike të BE-së për të penguar liberalizimin e vizave. “Pronto”, “Veteranët”, “Fajdet” dhe “Toka” - ndër të tjera - ishin pasqyra e mossundimit të ligjit në Kosovë.
4. Kompleksiteti i BE-së. Nga procesi i liberalizimit të vizave kemi kuptuar se BE-ja nuk është një organizëm hyjnor dhe pa cene. Nga dora e parë kemi parë se si zgjedhjet në Gjermani, Francë apo Holandë janë përdorur si arsyetim për shtyrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kemi parë se si përkundër se çfarë mendon Gjermania, vendet e vogla kanë fuqi bllokuese në kuadër të BE-së dhe se asnjëherë nuk duhet marrë për të mirëqena. Kemi parë se si çfarëdo që thotë apo premton Mogherini për demarkacionin, jeta institucionale e BE-së është shumë më komplekse sesa garancitë e një individi. Kemi parë se si Komisioni apo Parlamenti Evropian në fund të ditës janë të rëndësisë sekondare politike në kuadër të arkitekturës institucionale të BE-së dhe se vullneti politik i Këshillit është esencial për avancimin e rrugës sonë integruese.
5. Ndërlidhja me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Dhe në fund kemi parë se si dialogu me Serbinë është i ndërlidhur me çdo proces integrues të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Liberalizimi i vizave për Kosovën u lansua vetëm pas arritjes së marrëveshjeve të para të rëndësishme politike në kuadër të dialogut me Serbinë. Kur Kosova kishte bllokuar dialogun me Serbinë për shkak vendosjes së tarifës doganore prej 100%, presidenti Macron ofroi liberalizimin e vizave si shpërblim për heqjen e tarifës 100%. Kur situata në veri në fund të vitit të kaluar u tensionua dhe vendosi dialogun në rrezik, BE-ja pezulloi procesin vendimmarrës për liberalizimin e vizave. Dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Tanimë besoj se është e qartë për të gjithë që fati i kërkesës së Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE varet drejtpërdrejt nga progresi në kuadër të dialogut.