Një shaka pa fat dhe udhëtim nga Ukraina deri në Australi dhe nga Kanadaja deri në Japoni për të kuptuar mësimet e Marrëveshjes së Prespës për dialogun Kosovë-Serbi
Mua më pëlqej shakaja t’ju them të drejtën, por siç duket jo të tjerëve. “Besoni se është lajm i mirë fuqizimi i Gjermanisë? Zakonisht kur Gjermania rritet, gjashtë muaj më vonë ajo marshon drejt Champ Elysees”, tha me humor një bashkëbisedues për të thyer qetësinë e bezdisshme që nganjëherë zë vend në margjinat e takimeve ndërkombëtare. Fakti që askush nga bashkëbiseduesit nuk qeshi ishte tregues se shakaja i përket një epoke tjetër. Viti 2022 ishte epokë e re. Tamam në kohë për të zhvendosur diskutimin nga shakaja e pafat vijnë kamerierët për të ofruar kafe.
***
Këtë javë në Shkup ka filluar shënimi i përvjetorit të Marrëveshjes së Prespës. Isha i nderuar që të merrja pjesë në një nga tryezat të cilat kanë pasur për qëllim festimin e marrëveshjes si storie suksesi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve fqinjësore përmes dialogut. Kjo është në veçanti e vërtetë sot kur Marrëveshja e Prespës qëndron si shembull i ndritur në një sfond të errët të zhvillimeve globale. Vendimi i Rusisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Ukrainën përmes mjeteve ushtarake qëndron në kontrast të thellë me Marrëveshjen e Prespës. Po ashtu agresioni rus ka vendosur në lëvizje termet gjeopolitike, i cili është duke lëvizur pllakat tektonike të rendit global të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe në gjithë këtë sfond, natyrshëm lind pyetja se çfarë nënkupton e gjithë kjo për neve?
***
Pushtimi rus i Ukrainës ka futur globin në një kohë të paprecedent, kur vetë historia po shkruhet. Kjo ka shtyrë shumë zërat publikë ndërkombëtarë për të krahasuar zhvillimet në Ukrainë me rënien e Murit të Berlinit apo zanafillën e Luftës së Dytë Botërore. Po jetojmë në një nga ato momentet historike kur lëvizjet tektonike politike janë duke krijuar rendin e ri ndërkombëtar. Përsëri, sikur 80 vjet më parë, SHBA-ja ka marrë lidershipin e mbrojtjes së Evropës së lirë dhe të bashkuar. Evropa brenda pak javëve ka përmbytur dekadat e politikës së saj anemike të sigurisë, të jashtme dhe energjetike. Suedia dhe Finlanda shkelmuan neutralitetin e tyre historik ushtarak dhe vendosën t’i bashkoheshin NATO-s. Shteti më i madh i Evropës është duke u riarmatosur në shkallë të paprecedent, në atë çfarë kancelari Sholc e ka quajtur “pikë epokale kthese, pas së cilës asgjë më nuk do të jetë njëjtë”. Por nuk janë vetëm SHBA-ja dhe kontinenti evropian që po ndryshojnë. E gjithë bota po ndryshon. Kanadaja konsiderohet vendi më paqësor në botë. Vend i famshëm për cilësi të lartë të jetës, shurup panjeje dhe hokej. I fshehur nga bota dhe i rrethuar me oqeane, Kanada historikisht ka zgjedhur mospërfshirjen në problemet globale, por pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar edhe këtë realitet. Në fillim të këtij muaji kryeministri Trudeau ka deklaruar se “duhet bërë çdo gjë për të siguruar se Putini do të humbasë në Ukrainë”. Në këtë sfond, këtë javë, Kanada paqësore në lëvizje të paprecedent njoftoi se do t’i dërgonte 100 milionë dollarë ndihmë ushtarake Ukrainës. Në skajin tjetër të botës, Australia - vend i plazheve, diellit dhe surfit – pavarësisht distancës së sigurt prej 15,000 kilometrave nga Kievi ka njohur po ashtu unikalitetin e kohës që po jetojmë. Në këtë sfond, kryeministri Morrison tha se Rusia dhe Kina synojnë ndryshimin e rendit botëror të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Rrjedhimisht ai i tha Zelenskyt se “nuk do të dërgojmë vetëm lutjet, por Bushmasterat dhe raketat”.
Lëvizja më e fundit tektonike vjen nga Japonia. Japonia është vend i veçantë. Që nga viti 1947, neni 9 i Kushtetutës së Japonisë ka ndaluar përdorimin e mjeteve ushtarake për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Kësisoj, pas Luftës së Dytë Botërore, Japonia i ka premtuar vetes dhe gjithë botës se kurrë më nuk do ta përdorë ushtrinë e saj për rregullimin e marrëdhënieve politike. Në 48 orë të fundit kjo linjë biblike e kuqe japoneze u përmbys. Para 48 orëve presidenti Biden deklaroi gjatë vizitës së tij në Japoni se në rast të pushtimit të Tajvanit nga ana e Kinës, SHBA-ja do të mbrojë ushtarakisht Tajvanin. Aq sa ishte kjo e paprecedent, edhe më e paprecedent ishte deklarata e kryeministrit japonez, Kishida, i cili tha se Tokio nuk do të tolerojë veprimet e njëanshme të Kinës për ndryshimin e status quos në Indo-Pacifik dhe se Japonia do t’i përgjigjet Kinës në një skenar të tillë me “vendosmëri dhe pakthyeshmëri”, duke përfshirë edhe “shkatërrimin e bazave sulmuese armike”. Pra, Japonia i është kthyer së drejtës së saj para ’47-s për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërkombëtare edhe ushtarakisht. Për të kuptuar seriozitetin e këtij zhvillimi duhet pasur parasysh se tensionet në mes të Pekinit dhe Taipeit asnjëherë nuk kanë qenë më të larta, pasi që muajve të fundit Kina ka dërguar numrin rekord të forcave ushtarake në afërsi të ishullit – njëjtë siç ka bërë Rusia vitin e kaluar në kufirin e saj me Ukrainën.
***
Janë dy arsye pse e bëra këtë udhëtim nga Ukraina deri në Australi dhe nga Kanada deri Japoni. E para, për të nënvizuar kohën e paprecedent nëpër të cilën po jetojmë dhe lëvizjet tektonike gjeopolitike, të cilat janë duke vendosur rendin e ri ndërkombëtar. E dyta, për të njohur se këto lëvizje tektonike do të shkaktojnë, sikur rënia e Murit të Berlinit, pasojat e saj strukturore dhe afatgjate për rajonin tonë.
Dhe rrjedhimisht në këtë sfond, natyrshëm lind pyetja se si duhet të sillemi ne sot karshi çështjes kryesore gjeopolitike për stabilitetin e rajonit: dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dhe në margjinat e përvjetorit të Marrëveshjes së Prespës lind pyetja se çfarë mund të mësojmë nga ajo?
E para, Marrëveshja e Prespës ka qenë e mundur falë klasës së re politike në Shkup dhe Athinë. Pa këtë parakusht marrëveshja nuk do të ishte arritur asnjëherë. E ardhmja progresive e qytetarëve nuk mund të ndërtohet dot me politikanët e së kaluarës.
E dyta, marrëveshja nuk do të ishte arritur pa angazhim të nivelit të lartë transatlantik. Niveli i lartë i angazhimit të SHBA-së dhe BE-së ka qenë thelbësor për të shtyrë dhe për të garantuar arritjen dhe zbatimin e marrëveshjes. Deri më sot nuk po shohim një angazhim të nivelit të tillë në Washington dhe të kancelarive evropiane karshi dialogut Kosovë – Serbi.
E treta, Marrëveshja e Prespës shpërfaq joseriozitetin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili në epiqendrën e tij ka targat e veturave. Pa adresimin e çështjeve thelbësore politike në mes Kosovës dhe Serbisë dialogu do të vazhdojë të jetë një lëngatë e dhimbshme politike, e cila do të vazhdojë të pengojë diskutimin e reformave thelbësore të interesit të përditshëm qytetar në dy vendet respektive.
E katërta, Marrëveshja e Prespës na mëson se nuk ekziston shkopi magjik. Asgjë nuk do të ndryshojë ditën pas nënshkrimit të marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Arritja e marrëveshjes do të jetë vetëm fillimi i ndërtimit të një fqinjësie të mirë, e cila do të kërkojë vite dhe dekada normalizimi në mes dy vendeve, në rrugën e tyre respektive evropiane.