Gjatë krizës së Suezit, aleatët më të afërt të SHBA-së - Mbretëria e Bashkuar, Izraeli dhe Franca - kanë kuptuar peshën e tërbimit amerikan. Dështimi për të lexuar drejt interesat dhe botëkuptimet amerikane rezultojë në poshtërimin, kryqëzimin dhe gjunjëzimin e tyre ndërkombëtar. Sot, kur e ngremë me gjysmëhumor pyetjen “me koordinim a pa koordinim”, përgjigjen e kemi parasysh
“Antoni, a je normal?”
Presidenti i SHBA-së, Dwight Eisenhower, në bisedë telefonike me kryeministrin anglez, Anthony Eden, 1956.
Kush ka mundur të imagjinonte se do të vinte koha kur SHBA-ja do t’i bashkohej Rusisë në Këshillin e Sigurimit për të sanksionuar aleatët e saj më të rëndësishëm: Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Izraelin. Por, këtë kohë e solli viti 1956.
Në vitin 1956, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Izraeli pushtuan Egjiptin me gjithë paralajmërimet e SHBA-së për të mos e bërë një gjë të tillë. Ndonëse shkaku formal i pushtimit ishte futja nën kontroll e Kanalit të Suezit, motivet thelbësore të pushtimit ishin të bazuara mbi një gamë komplekse të faktorëve politikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Por, të gjithë këta faktorë kishin edhe një emër: Gamal Abdel Nasser. Presidenti i ri egjiptian ishte nacionalist arab, i cili ishte kërcënim i palejueshëm për Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Izraelin. Vendimi i tij për të nacionalizuar Kanalin e Suezit ishte pika që mbushi gotën. Por SHBA-ja nuk e ndante këtë mendim. Për SHBA-në, pushtimi i Egjiptit do të ishte krizë e panevojshme e cila do ishte shpërqendrim nga prioriteti kryesor i luftës së ftohtë: ballafaqimi me Bashkimin Sovjetik. Për më tutje, SHBA-ja besonte se me diplomacinë e kujdesshme dhe të durueshme, presidenti Nasser mund të shndërrohej në aleat të rëndësishëm kundër Bashkimit Sovjetik dhe përhapjes së komunizmit në Lindjen e Mesme.
Pushtimi i Egjiptit koincidoi me një tjetër ngjarje epokale të kohës: Revolucionin hungarez. Rrjedhimisht e gjithë vëmendja dhe angazhimi i SHBA-së ishte në mbështetjen e popullit hungarez në çlirimin nga robërimi sovjetik. Dhe po të njëjtën javë kur aeroplanët anglezë ishin duke bombarduar portin Said, tanket sovjetike pushtuan sheshet e Budapestit. Kësisoj, pushtimi i Egjiptit i minoi përpjekjet amerikane për krijimin e aleancës globale në dënimin e pushtimit rus të Ukrainës dhe thyerjen e perdes së hekurt në Budapest. Pra, SHBA-ja e gjeti veten në pozitë tejet të vështirë, pasi që me një anë e akuzonte Bashkimin Sovjetik për pushtimin e Hungarisë, ndërsa në anën tjetër aleatët e saj ishin duke pushtuar Egjiptin. Me këtë jo vetëm se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Izraeli e shpërqendruan vëmendjen botërore nga Hungaria, por ato i dhuruan propagandës sovjetike një rast të shkëlqyer për të akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta. Dhe jo vetëm kaq, me pushtimin e Egjiptit ata vendosën në lëvizje dinamikat e rrezikshme të sigurisë, të cilat kishin gjithë potencialin për konfrontim të drejtpërdrejtë bërthamor në mes të SHBA-së dhe Rusisë.
Reagimi i SHBA-së ndaj aleatëve të saj më të afërt tradicionalë ishte i shpejtë dhe i ashpër. E dënoi pushtimin e Egjiptit dhe iu bashkua Bashkimit Sovjetik në Kombet e Bashkuara për të bërë thirrje për tërheqje urgjente nga Egjipti. E tërbuar nga mungesa e koordinimit dhe veprimet e njëanshme të aleatëve të saj, SHBA-ja ishte e gatshme të gjunjëzonte ekonomikisht dhe financiarisht Mbretërinë e Bashkuar, e cila dëshpërimisht kishte nevojë për ndihmën amerikane, pasi që bankrotimi financiar i Londrës ishte eminent. Të ballafaquar me dënimin unanim ndërkombëtar dhe me tërbimin amerikan, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Izraeli u tërhoqën të poshtëruara nga Egjipti, duke e arritur pikërisht atë që kanë dashur të parandalonin: konsolidimin e plotë të pushtetit të Egjiptit mbi Kanalin e Suezit.
***
Ndonëse asnjë analogji historike nuk i bën nder historisë, arsyeja përse vendosa të sjell në kujtesë fiaskon e krizës se Suezit është për të nënvizuar ngjashmëritë me fiaskon tonë në veri. Mosleximi i drejtë i interesave dhe i botëkuptimeve të SHBA-së mund të provohet si fatal për aleatët e saj. Njëjtë sikur Mbretëria e Bashkuar me krizën e Suezit, edhe Kosova sot me krizën në veri nuk po i lexon drejt interesat e SHBA-së.
Sot prioriteti kryesor i SHBA-së është shpëtimi i rendit liberal botëror, duke e zmbrapsur Rusinë në Ukrainë. Dhe përderisa gjithë makineria ushtarake amerikane është e angazhuar në mbështetjen e Ukrainës, e gjithë diplomacia amerikane është e angazhuar për të parandaluar çfarëdo krize tjetër që mund t’i shpërqendrojë SHBA-në dhe botën nga pushtimi rus i Ukrainës. Në këtë frymë, kriza në veri, lëndimi i ushtarëve të NATO-s dhe debati mbi administrimin e zyrave të komunave më të parëndësishme në kontinentin evropian janë shpërqendrim i panevojshëm i vëmendjes ndërkombëtare në kohën kur ajo vëmendje duhet të jetë ekskluzivisht e dedikuar Ukrainës. Në fjalët e Kissingerit: “Momentet e peshës historike nuk guxojnë të pengohen nga kalkulimet patetike”.
Së dyti, gabimin të cilin Mbretëria e Bashkuar e ka bërë në leximin e Nasserit, Kosova e bën sot në leximin e Vuçiqit.
Ndryshe nga aleatet e saj, SHBA-ja beson në konvertimin e armiqve të saj në aleatë. Hendeku në të vlerësuarit të njëjtë të Nasserit ndërmjet SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar i ka kushtuar shtrenjtë kësaj të fundit. Hendeku në të vlerësuarit të njëjtë të Vuçiqit ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës po i kushton shtrenjtë Kosovës. Kosova e sheh Serbinë për çfarë ajo ishte në shekullin XX, SHBA-ja e sheh Serbinë për çfarë ajo mund të jetë në shekullin XXI.
Së treti, fiaskoja e Mbretërisë së Bashkuar në Kanalin e Suezit vetëm ka sforcuar pozicionin e Nasserit në Egjipt. Sot fiaskoja jonë në veri vetëm po e sforcon pozicionin e Vuçiqit në veri. Vendimi ynë për të përdorur forcën si kompensim i mungesës së legjitimitetit demokratik vetëm ka ekspozuar dobësinë e pozicionit tonë. Nuk ka forcë që mund të zëvendësojë demokracinë. Veriu i vendit nuk do të integrohet me shpejtësi, as me forcë. Ai do të kërkojë urtësi, durim dhe krijimin afatgjatë të kushteve politike dhe ekonomike të cilat do të lidhin minoritetin serb me shoqërinë e Kosovës. Kjo është e mundimshme dhe merr kohë, por demokracia është kështu: e komplikuar dhe e vështirë.
Nuk ka rrugë të shkurtër.
***
Së fundi, në foltoren e Kuvendit kryeministri Kurti ka pyetur nëse duhet vepruar në koordinim me amerikanët apo pa koordinim. Dhe përderisa debatet parlamentare çdoherë duhet marrë me një dozë humori dhe zemërgjerësie pyetja patjetër se ende qëndron. Kryeministri Kurti për herë të parë po na udhëheq drejt një shtegu të ri në dialog.
Ky është veprim i guximshëm dhe kurajoz. Në këtë shteg të ri të dialogut ai është vendosur në kurs përplasjeje me amerikanët. Sot nuk ka gjë më të lehtë për Kurtin sesa të shndërrohet në “yes man” të radhës dhe të fitojë epitetin e aleatit amerikan, por qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre për dhjetë vjetët e kaluar të dialogut dhe Kurti ka marrë mandat për të udhëhequr vendin në një drejtim të ri. Sidoqoftë, aq sa është kurajoze të provosh shtigjet e reja në përballjen tonë me Serbinë, aq është fisnike të pranosh se ke gabuar. Gjatë krizës së Suezit, aleatët më të afërt amerikanë kanë kuptuar brenda një jave shkallën e gabimit të bërë dhe përkundër poshtërimit dhe kryqëzimit ndërkombëtar kanë pranuar gabimin e bërë me gjithë koston që ka ardhur. Kanë bërë kështu, sepse kanë kuptuar përgjigjen në pyetjen a më mirë me koordinim a pa të. E kanë kuptuar pasi që presidenti amerikan Eisenhower ka pyetur kryeministrin anglez Eden: “Antoni, a je normal?”. Uroj që ne do të kuptojmë para që presidenti Biden ta pyes kryeministrin e Kosovës: “Albin, a je normal?”