Kisha ortodokse serbe ballafaqohet me një sfidë të njëjtë kudo, kontraktimin e marrëdhënieve me shtetet e dala nga zhbërja e ish-Jugosllavisë
1.
“Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë“.
Kështu u përgjigj Jezu Krishti, sipas Mateut, kur u pyet nga disa provokatorë se a duhej paguar taksa romakëve apo jo, madje me monedhën në të cilën fytyra e Cezarit tregon se ai është sundimtar i tyre.
Përgjigja e tij shërben tashmë dy mijë vjet për modelin e shtetit të ndarë nga feja, për shtetin laik. Në këtë shtet, gjërat e kësaj bote janë të “Cezarit”, pra të pushtetit civil ndërkohë çështjet tej kësaj bote, metafizike, shpirtërore e religjioze i përkasin “Perëndisë”, pra edhe rendit të shërbëtorëve të tij të përkohshëm në këtë botë.
Kështu u përgjigja edhe unë kur u pyeta nga një ushtarak i lartë e dashamirë i huaj për relacionin që ritualisht problematizohet mes Kosovës dhe Kishës ortodokse serbe. Në komunikimin mes shtetit të Kosovës dhe Kishës ortodokse serbe ende nuk është arritur një e folur e përbashkët, një që ndanë vijën e qartë mes shtetit dhe Kishës. Mjafton të lexohen postimet zyrtare të njerëzve eminentë të Kishës ortodokse serbe dhe të gjendet mungesa e plotë e distinksionit në trekëndëshin Kishë-Komb-Shtet. Në të njëjtin postim do të lexohet se si Kisha është në ballë të “kombit tonë” për të mbrojtur “shtetin tonë”. Fjala është për një vijë të pandërprerë identitare të Kishës ortodokse, kombit dhe shtetit serb. Kur shkruhet kështu nga ndonjë kishë a manastir në Kosovë (Maqedoni, Mal të Zi a Bosnjë e Hercegovinë) perceptimi i të tjerëve është se ky rend religjioz e sheh veten si njësit vëzhgues e pararojë e shtetit-komb serb e jo pararojë e mësimeve ungjillore.
2.
Kisha ortodokse serbe nuk e ka funksionin e pararojës religjioze (a tjetërfare) të shtetit-komb serb. Në fakt, këtë e thotë vetë Kushtetuta e Serbisë. Në nenin 11 të saj thuhet se “Republika e Serbisë është shtet laik”. Në origjinal, hartuesit e Kushtetutës për konceptin e laicizmit përdorën termin “svetovna”, një fjalë e fillim shekullit të XX që rrjedh prej një shekulli më parë, nga “ovosvetovna”, e kësaj bote. Pra, Serbia është e përcaktuar në Kushtetutë si shtet i “kësaj bote” në materie religjioze; me çështjet e “asaj bote” merren religjionet, e në Kushtetutën e Serbisë përcaktohet se “kishat dhe bashkësitë fetare janë të ndara nga shteti” dhe se “asnjë religjion nuk mund të vendoset si shtetëror apo i detyrueshëm”.
Pra, Kushtetuta e Serbisë përcakton se Kisha ortodokse serbe është e ndarë prej shtetit, nuk është religjion zyrtar i Republikës së Serbisë dhe nuk është i detyrueshëm për qytetarët serb. Nga aspekti kushtetues e në materie religjioze, qytetari serb që përcaktohet të jetë budist, agnostik apo ateist është po aq serb sa edhe të tjerët. Dhe qytetari budist nuk ka kurrfarë obligimi ndaj Kishës ortodokse.
Por, as Kisha ortodokse serbe nuk ka obligim ndaj qytetarëve serbë si të tillë, pra si shtetas të Serbisë, por ka obligim ndaj besimtarëve të vet, çfarëdo shtetësie të kenë.
Rrjedhimisht, Kisha ortodokse serbe as në variantin ultranacionalist që trajton Kosovën si territor të Serbisë nuk ka detyrë të jetë as mbrojtëse e shtetit e as e kombit. Kur të predikojë liturgji në Chicago, Zagreb, Zrenjanin apo Graçanicë, prifti ortodoks serb duhet të mbrojë kontinuitetin e rrëfimeve ungjillore, ato që tejkalojnë kombet e shtetet, ato që tejkalojnë “ovosvetovno”, gjërat e kësaj bote me të cilat merren autoritetet shtetërore.
3.
Ndeshja mes interpretimeve shqiptare e serbe lidhur me shtetin e religjionin në Kosovë vijnë nga përvoja krejtësisht të ndryshme identitare. Shqiptarët janë ndërtuar me traditën laike ende pa u kodifikuar një koncept i tillë në ligj; identiteti shqiptar ka qëndruar gjithnjë mbi besimet fetare. Identiteti serb është mbështetur në masë të madhe në Kishën ortodokse, në veçanti përgjatë pushtimit osman. Për shqiptarët, tradicionalisht është e natyrshme që nuk ekziston një besim fetar kombëtar; për serbët tradicionalisht është e natyrshme që Kisha ortodokse serbe aspiron të jetë besim fetar dhe për një numër jo të vogël njerëzish është i këtillë.
Por, ky mendim konvencional, që e përshkrova më lart, mund të mos jetë krejtësisht i vërtetë. Në fakt, për dallim prej rrëfimeve mitike për ekzistencë mijëvjeçare, Kisha ortodokse serbe ekziston tashmë vetëm 101 vjet dhe është një projekt politik i Kralit Aleksandër, i cili pas formimit të Jugosllavisë u përcaktua që të ketë edhe një religjion shtetëror për serbët e bashkuar në shtetin e ri.
Para vitit 1920, kur u themelua Kisha ortodokse serbe si kishë autoqefale kanë ekzistuar forma të ndryshme të organizimit të besimtarëve ortodoksë serbë, madje pjesë të rëndësishme të këtij organizimi u bënë gjatë monarkisë Habsburge, por nuk ka ekzistuar para vitit 1920 kishë me emrin e sotëm, pra të Kishës ortodokse serbe. Për shqiptarët kjo është krejtësisht e kuptueshme: krishterimi lindor ka histori të gjatë ndër shqiptarë, por Kisha ortodokse shqiptare u themelua vetëm në shekullin XX, dy vjet pas asaj serbe, dhe sërish si një projekt politik i pavarësimit të Kishës prej ndikimeve të jashtme.
4.
Shikuar nga konteksti i një shekulli, Kisha ortodokse serbe nuk ka mundur t’u ikë problemeve të dala nga zhbërja e shtetit që e krijoi, Jugosllavisë. Kisha ortodokse serbe, e ndarë administrativisht në disa shtete të dala nga ish-shteti që e formoi, tash duhet të gjejë një formë të rregullimit të marrëdhënieve me shtetet e reja.
Këtë duhet ta bëjë edhe me Republikën e Kosovës. Dhe nuk ka formë më të mirë se atë që predikonte Jezu Krishti para dy mijë vjetësh, të ndarjes së punëve të Cezarit e Perëndisë.