OpEd

Mësimet e Ghanit për Kosovën

Katërmbëdhjetë vjet më parë Ghani prodhoi një dokument me këshilla për politikanët dhe shoqërinë e Kosovës. Por sot, rënia e palavdishme e tij mund të jetë paralajmërim dhe mësim edhe më i vyeshëm për politikanët e Kosovës

Në prill të vitit 2007 Ekipi i Unitetit, në përbërje të liderëve të të gjitha partive politike, pozitë e opozitë, së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile, të biznesit dhe partnerë ndërkombëtarë ishin mbledhur në Pocantico të Nju-Jorkut për të hartuar një strategji veprimi për ditët deri në shpalljen e pavarësisë dhe për punët që duhej kryer pas shpalljes së pavarësisë.

Në këtë takim ishte ftuar edhe think-tank organizata Institute for State Effectiviness (ISE), me seli në Nju-Jork, e bashkëthemeluar nga Ashraf Ghani, i cili kishte qenë ministër i financave i Afganistanit dhe më vonë do të zgjidhej edhe president i këtij vendi në dy mandate.

Pas takimit në Pocantico, Ashraf Ghani kishte ardhur në Kosovë. Raporti i Ghanit dhe ISE-së i quajtur “Kosova: Zhvillimi i një strategjie për të ardhmen” ishte një raport 15-faqesh dhe identifikonte pengesat dhe mundësitë e zhvillimit në Kosovë. Aspektet pozitive që kishte identifikuar Ghani në Kosovë ishin lidhjet e forta shoqërore, të cilat së bashku edhe me remitencat ndikojnë si zbutës të problemeve të varfërisë dhe papunësisë; si dhe pozita gjeografike ia mundëson Kosovës zhvillimin, edhe pse është vend me treg të vogël të brendshëm. Sfidat e identifikuara ishin çështja e moszgjidhjes së statusit final; fokusimi vetëm në çështjet politike, duke lënë anash zhvillimin ekonomik; mungesa e sundimit të ligjit; mosbesimi mes komuniteteve dhe keqqeverisja.

Për rrugën përpara Ghani rekomandonte që institucionet e pavarura të Kosovës të hartojnë strategji afatgjate, me vizion të qartë dhe të dalin nga praktika e qeverisjes ad hoc. Sipas Ghanit, liderët e Kosovës duhet të menaxhojnë pritjet e qytetarëve dhe të organizohet një konferencë e donatorëve për financimin e projekteve dhe reformave madhore.

Kosova zë vend të konsiderueshëm edhe në librin e tij “Fixing Failed States” (2008), libër që trajton problemin e keqqeverisjes dhe rrezikun nga moskontrolli i tërësishëm i territorit të një vendi.

Ghani edhe sot mbetet akademiku më i njohur, i cili ka analizuar sfidat dhe mundësitë e shtetndërtimit në Kosovë. Para se të bëhej president i Afganistanit, Ghani ishte një ndër ekspertët më të respektuar të Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara, ligjërues në universitetet më të mira në ShBA, si Berkley dhe Stanford, dhe me doktoratë nga Universiteti “Colombia”. Në vitin 2010 revista “Foreign Policy” e rendiste Ghanin në toplistën prej 100 mendimtarëve më të mirë në botë.

Por, ajo me çfarë do të mbahet në mend Ghani është dorëzimi i pushtetit tek talebanët dhe ikja në mënyrë të fshehtë nga Afganistani. Media të ndryshme, kryesisht të ndikuara nga Rusia, shkruanin se ai u largua me një helikopter plot me para. Ghani u zgjodh president i Afganistanit për herë të parë më 2014 dhe pastaj u rizgjodh më 2019, të dyja herët pas proceseve zgjedhore të kontestuara.

Gjatë qeverisjes së tij ai i dha hapësirë gjeneratës së re të politikanëve, ndryshoi ligjet, të cilat u jepnin grave më shumë të drejta, premtoi luftimin e korrupsionit dhe shndërrimin e Afganistanit si qendër regjionale tregtare mes Azisë Qendrore dhe Jugore.

Shumë shpejt Ghani hyri në konflikt me qeveritë e vendeve perëndimore, të cilat e akuzonin atë për neglizhencë në qeverisje dhe për mungesë të reformave. Pas largimit të tij nga Afganistani ai gjeti strehim në Uzbekistan dhe jo në ndonjë vend të Evropës apo Amerikës Veriore. Emisari i SHBA-së për Afganistan, Zalmay Khalilzad, e akuzoi Ghanin se pamundësoi një marrëveshje me talebanët dhe largimi i tij i befasishëm përshpejtoi rënien e Kabulit dhe kësisoj rrezikoi të gjithë ata persona që kishin bashkëpunuar ndër vite me qeveritë perëndimore dhe duhej të evakuoheshin jashtë vendit.

Katërmbëdhjetë vjet më parë Ghani në 15 faqe raport jepte mësime për politikanët dhe shoqërinë e Kosovës se si të ecin para dhe të ndërtojnë një të ardhme prosperuese. Por sot, fatkeqësisht, Ghani mund të na japë një mësim edhe më të vyeshëm. Çfarë ndodh kur politikanët e edukuar dhe me premtime reformatore dështojnë që të përmbushin pritjet e qytetarëve? Si është e mundur që një akademik i përmasave botërore të dështojë në qeverisje njësoj si një politikan i pashkolluar?

Përderisa dështimi i qeverisjes së politikanit akademik në Afganistan risolli në pushtet talebanët, rreziku nga keqqeverisja në Kosovë mund të manifestohet me dy dukuri “talebaneske”: rreziku nga Serbia, e cila në vazhdimësi kërcënon paqen dhe sigurinë në Kosovë; dhe rreziku i gërryerjes së shoqërisë nga korrupsioni dhe krimi, të cilat edhe ashtu ndër vite kanë minuar mbështetjen ndërkombëtare për Kosovën.

Gjatë viteve në institucionet e Kosovës kemi parë zgjedhjen apo emërimin e politikanëve të rinj të edukuar në universitetet më të mira perëndimore, por që pastaj dështojnë po aq keq në qeverisje sa paraardhësit e tyre. Kjo ndikon në rritjen e mosbesimit në qeverisje, krijimin e një shoqërie cinike dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Andaj, për t’u mos u rrezikuar nga “talebanizmi” që na vjen si kërcënim për sigurinë nga Serbia dhe “talebanizmi” si kërcënim i brendshëm nga korrupsioni dhe krimi, politika duhet të fillojë të japë shenja ndryshimi për të mirë.