Sot, kur e gjithë Kosova diskuton për Asociacionin, është e dobishme t’i kthehemi urtësisë së plakut me plis. Kosova është sot në rrugë të mbarë të shtetndërtimit dhe storie suksesi e komunitetit perëndimor. Këtu kemi arritur falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve tanë. Kur sot ata na këshillojnë për avancimin e dialogut me Serbinë, është mirë të kuptojmë atë që ka kuptuar edhe plaku me plis
Në dhjetor të vitit 2021 kam shkruar kolumnen me titullin “Udhëkryqi i Kurtit”, ku fjalia e fundit e kolumnes ka përmbledhur thelbin e saj “Shumë shpejt kryeministri Kurti duhet të marrë vendim: do ta çojë përpara Asociacionin, apo do të futemi në një tjetër krizë politike”. Pra, që nga ajo kohë nuk ishte vështirë të vërehej se Asociacioni do të jetë element thelbësor i avancimit të dialogut Kosovë - Serbi. Risi e vetme është se insistimi ndërkombëtar për ngritjen e Asociacionit ka kaluar nga të qenit këshillë private dhe diplomatike në të qenit presion publik dhe politik. Ditëve të fundit zyrtarët e lartë amerikanë dhe evropianë kanë bërë deklarata të qarta publike ku kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të bëjë progres në ngritjen e Asociacionit. Për të siguruar institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj se Asociacioni nuk përbën asnjë rrezik për Kosovën, ata kanë qenë të pakursyer në garantimin se Asociacioni nuk do të cenojë sovranitetin, integritetin territorial dhe Kushtetutën e Kosovës.
Por, kjo nuk i ka mjaftuar sheshit publik të Kosovës. Ditëve të fundit kemi parë inflacion të akuzave se Asociacioni do të minojë Kushtetutën, sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës. Kryeministri Kurti tha se Asociacioni pengohet nga “kushtetutshmëria, ligjshmëria, demokracia dhe populli i Kosovës”. Presidentja Osmani tha se Kushtetuta e Kosovës “s’lejon Asociacion njëetnik dhe me kompetenca ekzekutive”. Ministrja e Jashtme, Gërvalla, tha se çdo asociacioni i cili “lejon Serbinë të minojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë ata që synojnë paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”. Pra, në pak fjalë në diskursin publik të Kosovës u vizatua një pikturë e një djalli në formë të Asociacionit, i cili kishte zbritur në vendit tonë. Dhe, duke përcjellë gjithë këtë diskurs kisha një ndjenjë se këta togfjalësha i kisha dëgjuar më herët - dhe në një moment m’u kujtua: fusnota.
Ishin pikërisht këta lloj togfjalësha dhe akuza që na paralajmëronin në vitin 2012 për rreziqet dhe dëmin që do të sjellë fusnota, njëjtë sikur Asociacioni. Opozita e asaj kohe akuzonte mazhorancën se po “heq dorë nga subjektiviteti shtetëror”, se fusnota po “defunksionalizon Kosovën dhe po e thellon më tutje izolimin e Kosovës” dhe “e kthen vendin 10 vjet prapa”. E gjithë kjo e bën fusnotën të “papranueshme për institucionet e Kosovës dhe popullin e saj” – deklaronte opozita e asaj kohe. Por, akuzën më të rëndë e bëri ai që është sot në pozitën më të rëndë. Më 18 prill 2012, kryeministri Kurti akuzoi mazhorancën se me marrëveshjen e fusnotës kanë “kontestuar shtetësinë e Kosovë” dhe kanë bërë “tradhti ndaj shtetit të Kosovës.”
Tani sot me qetësinë dhe urtësinë që na lejon distanca kohore kuptojmë se sa këto paralajmërime kanë qenë të ekzagjeruara. Ato nuk i mbijetuan testit të kohës. Fusnota nuk e “defunksionalizoi” Kosovën, nuk e “thelloi izolimin e saj” dhe nuk e ktheu vendin “10 vjet prapa”. Në fakt, krejt e kundërta. Kosova solidifikoi pozitën e saj ndërkombëtare dhe zuri vendin e saj të merituar në komunitetin e shteteve sovrane. Falë fusnotës, Kosova lidhi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, filloi procesin e liberalizimit të vizave dhe u anëtarësua në dhjetëra organizata rajonale dhe evropiane. Kësisoj Kosova u trajtua në mënyrë krejtësisht të barabartë sikur të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në kuadër të të gjitha proceseve dhe mekanizmave rajonalë dhe evropianë – nga procesi i Berlinit dhe pavarësia totale energjetike nga Serbia, e deri tek ulja e tarifave të romingut dhe marrëveshjet për lirinë e lëvizjes. Dhe jo vetëm kaq. Përtej këndit multilateral sjellja konstruktive e Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë dëshmoi se Kosova është aleat i përgjegjshëm perëndimor dhe si e tillë ajo u shpërblye me avancimin e marrëdhënieve bilaterale edhe me vendet mosnjohëse.
Historia e fusnotës na mëson se e gjithë ajo që është paralajmëruar si kërcënim për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës ka rezultuar e gabuar. Përmes fusnotës Kosova avancoi pozitën e saj ndërkombëtare. Fusnota na mësoi që nuk duhet të frikësohemi nga kompromisi. Ajo na mësoi se duhet t’u besojmë aleatëve tanë perëndimorë.
Në kohën e fusnotës një video u bë virale. Një gazetare e pyet një plak me plis se a e di çfarë është fusnota. Pas një shkëmbimi simpatik plaku i habitur iu përgjigj: “Mirë o puna, mirë o puna”. Tani patjetër se plaku nuk ka kuptuar se çfarë është fusnota apo çfarë janë efektet e saja për shtetësinë dhe sovranitetin e vendit, por plaku ka kuptuar një gjë: asnjëherë në jetën e tij Kosova nuk ka qenë më mirë, prandaj “mirë o puna”. Dhe në këtë drejtim sot, kur e gjithë Kosova diskuton për Asociacionin, është e dobishme t’i kthehemi urtësisë së plakut me plis. Kosova është sot në rrugë të mbarë të shtetndërtimit dhe storie suksesi e komunitetit perëndimor. Këtu kemi arritur falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve tanë. Kur sot ata na këshillojnë për avancimin e dialogut me Serbinë, është mirë të kuptojmë atë që ka kuptuar edhe plaku me plis.