I aftë të ngrejë koalicione dhe i shkëlqyer për të përçarë kundërshtarët. Atë që nuk mund ta arrinte me mirëkuptim dhe dialog, e arrinte me pazare dhe shpërblime, atë që nuk e arrinte me pazare dhe shpërblime, e arrinte me kërcënime dhe dhunë. Jeta e Bizmarkut është pasqyrë e bukur për të kuptuar sekretet e një lideri të suksesshëm
Çfarë është ajo që i bën liderët liderë? Çfarë i bën ata të veçantë? Pse historia ka ruajtur vend unik për disa individë, ndërsa të tjerë ka groposur thellë në varrezat e kohës? Pse në mes miliona francezëve pikërisht Napoleoni arriti të fitojë garën drejt majës? Janë pyetjet sikur këto të cilat historiania Margaret MacMillan teton t’iu përgjigjet në librin “Njerëzit e Historisë”. Piktura të cilën MacMillan na e vizaton për liderët e historisë, faqe pas faqe, nuk është një pikturë e thjeshtë dhe e bukur. Dhe në fakt as nuk duhet të jetë e tillë. Jetët e liderëve nuk janë të thjeshta dhe të bukura. Liderët duhet të jenë fisnikë, por duhet të jenë edhe mashtrues. Duhet të kenë parime, por duhet të jenë edhe fleksibilë. Duhet të jenë zemërgjerë, por duhet të jenë edhe të pamëshirshëm. Duhet të jenë optimistë, por duhet të jenë edhe cinikë. Duhet të ngritin aleancat, por duhet edhe t’i tradhtojnë ato. Duhet të festojnë sukseset, por duhet edhe të mësojnë nga gabimet. Duhet të jenë strategë dhe vizionarë për të parë të ardhmen, por duhet të jenë edhe taktikë dhe operacionalë për t’u marrë me të sotmen. Dhe të gjitha këto, dhe shumë më shumë, duhet të bëjnë të njëjtën kohë kur armiqtë e tyre po mundohen t’i vrasin – figurativisht, ose jo.
Rrëfimin për rëndësinë e të gjitha këtyre vetive MacMillan e arrin duke përzgjedhur disa liderë të cilët në gjykimin e saj kanë arritur t’i zotërojnë këto veti dhe kanë arritur të lexojnë drejt rrethanat dhe dinamikat e kohës. Duke përmbledhur librin 200 faqesh në dy fjalë, MacMillan sugjeron se kanë qenë dy faktorë kyç të cilët kanë ndarë liderët e historisë nga konkurrentët e tyre: guximi dhe fati. Jeta e askujt nuk është shembulli më i mirë për të pasqyruar këtë sa jeta e Bizmarkut.
Bizmarku asnjëherë nuk ka pasur për synim të jetë lider. Në fakt, fillimet e tij ishin monotone.
Bizmarku është rritur në një familje të pasur, por pa harmoi familjare. Babai i tij ka qenë një njeri i sjellshëm dhe i ngrohtë, por i pavendosur dhe i nënshtrueshëm. Figura dominuese e familjes ishte nëna e Bizmarkut: një zonjë inteligjente, e bukur, por e ftohtë. Në mes çiftit nuk kishte dashuri bashkëshortore dhe kjo la pasoja tek Bizmarku. Në shkollë Bizmarku ishte mesatar dhe nuk tregoi ndonjë aftësi të veçantë. Kohën e fakultetit e kaloi kryesisht me alkool, kumbarë dhe femra. Punën e tij të parë si diplomat është dashur ta ndërpresë për shkak se ishte jashtëzakonisht dembel dhe njëkohësisht akumuloi borxhe të mëdha. Kjo e obligoi që të tërhiqej nga punët e shtetit dhe të kthehet në fermën e familjes. Atje Bizmarku ishte mërzitur aq shumë saqë e kishte konsideruar vetëvrasjen. Në këtë pikë ndërhyn fati në jetën e Bizmarkut për të ndryshuar përgjithmonë kursin e historisë dhe jetës së tij. Në vitin 1847 njëri nga deputetët e zonës së Bizmarkut vdes pas një sëmundjeje të shkurtër. Pronarët e tokës të cilët kishin fuqi të madhe (oligarkët modernë) zgjodhën Bizmarkun (po ashtu oligark) për t’i përfaqësuar në Parlamentin prusian. Bizmarku e kupton shumë shpejt lojën e politikës dhe fillon të shkëlqejë në të. Në vitin 1861 Prusia e gjen veten në një krizë politike si pasojë e konfliktit institucional në mes mbretit të ri konservator Wiliam I dhe Parlamentit liberal prusian. Në gjithë këtë mes Bizmarku dhe Wiliam I ngrenë një aleancë e cila do ta bëjë Bizmarkun kryeministër të Prusisë. Si kryeministër Bizmarku do të dëshmohet si një operator i jashtëzakonshëm politik – i aftë të ngrejë koalicione dhe i shkëlqyer për të përçarë kundërshtarët. Atë që nuk mund ta arrinte me mirëkuptim dhe dialog, e arrinte me pazare dhe shpërblime, atë që nuk e arrinte me pazare dhe shpërblime, e arrinte me kërcënime dhe dhunë. Me fjalë të tjera një Frank Underwood i kohës së tij. Liberalët të cilët e urrenin u kthyen nga ai kur kuptuan që nacionalizmi është moda e kohës. Socialistët dolën të kënaqur me reformën zgjedhore dhe programet më moderne të mirëqenies sociale të Bizmarkut. Kësisoj, Bizmarku ishte i gatshëm të bashkëpunonte më çdo kënd, por të mos i besojë askujt. Përveç një njeriu: Mbretit Wiliam I. Mbreti prusian ishte njeriu fisnik, por jo shumë i shkathët në lojërat politike. Me fjalë të tjera, ishte e kundërta e kryeministrit të tij. Në fakt, mbreti nuk e pëlqente Bizmarkun. Marrëdhënia e tyre do të karakterizohej me tensione të vazhdueshme. Arsyeja kryesore e tensioneve do të jetë ushtrimi i pakufishëm dhe efektiv i pushtetit nga ana e Bizmarkut kur në fakt ai do të duhej të ishte shërbyes i mbretit. Me fjalë të tjera, Bizmarku përdorte pushtetin formal të mbretit si fasadë për pushtetin e vet real. Pas një episodi të tillë tensionesh mbreti iu ankua miqve të tij se “është vështirë të jesh mbret nën Bizmarkun”. Nga ana tjetër, kundërshtimet e shpeshta me mbretin e sollën Bizmarkun disa herë shumë afër dorëheqjes. Sidoqoftë, përkundër mospajtimeve të tyre Bizmarku dhe Wiliam I kuptuan që fatet e tyre varen nga njëri-tjetri dhe kësisoj ngritën një nga aleancat më të suksesshme politike në historinë e njerëzimit.
Aleancë që do të kurorëzohet me bashkimin e Gjermanisë dhe me vendosjen e themeleve të shtetit modern gjerman. Dhe në marrëdhënien e tyre është edhe fati i dytë i cili siguroi vendin e Bizmarkut në histori. Bizmarku ishte me fat që rrethanat e kohës dhe shëndeti lejuan që mbreti Wiliam I të qëndrojë në pushtet për njëzet e shtatë vjet. Kjo i lejoi Bizmarkut stabilitet dhe kohë për të jetësuar vizionin e tij për një shtet të bashkuar dhe modern gjerman. Po të kishte pasur ndryshime në lidershipin mbretëror, është absolutisht e sigurt se kjo do të pasonte me shkarkimin e Bizmarkut. Gjë që në fakt edhe ndodhi pas vdekjes së Wiliam I.
Pra, patjetër fati ishte pjesë e rëndësishme e jetës së Bizmarkut, por siç thotë ajo fjalë e urtë: fati i prin të guximshmit. Dhe kjo është vetia e dytë e Bizmarkut, e cila i siguroi vend në piedestalin e historisë. Prej kohësh bashkimi i Gjermanisë ishte qëllim më sublim i popullit gjerman. Në kohën e Bizmarkut skena politike ishte e ndarë në dysh nëse ky bashkim duhej të bëhej me diplomaci apo forcë. Bizmarku ishte dishepull lojal i luftës dhe shtetit të fortë dhe ishte i bindur që bashkimi do të ndodhë vetëm me mjete të dhunshme. Kështu, në fjalimin më të famshëm politik të jetës së tij, ai shkoi para Parlamentit prusian dhe tha: “Kjo çështje më e rëndësishme e kohës sonë nuk do të zgjidhet përmes fjalimeve dhe vendimeve demokratike, por përmes gjakut dhe hekurit”. Ajo që do të pasojë është një nga ngritjet më të shpejta politike dhe ekonomike të një vendi në historinë e njerëzimit, fitimi i tri luftërave të njëpasnjëshme dhe kurorëzimi me bashkimin e Gjermanisë. Por Bizmarku ishte i pavetëdijshëm se ajo që do të jetë fundi i lumtur për vizionin e tij do të jetë edhe fillimi i tragjedisë për kontinentin evropian. Bizmarku i dhuroi Gjermanisë një tokë të bashkuar, por iu ngeli liderëve që erdhën pas tij që të japin përgjigje se çfarë duhet të bëjnë tani më këtë copë toke. Mungesa e përgjigjes në atë që historiografia njohu si “pikëpyetja gjermane” do të nënvizojë përsëri rëndësinë e liderëve në përcaktimin e kursit të njerëzimit.