OpEd

Mësimet biblike dhe Gjykata Speciale

Frika nga rishkrimi i historisë nuk e njeh historinë si të tillë. Historia gjithnjë shkruhet e rishkruhet, madje edhe ajo që konsiderohet e shenjtë

1.

Njëri prej verdikteve nga i cili po krijohet frika kolektive se do të ndodhë me gjykimin e sapofilluar të Speciales të katër figurave të larta të UÇK-së, është ai i rishkrimit të historisë.

Forma e krijimit të frikës merr trajta të ndryshme prej akuzës se një forcë e errët po përpiqet ta rishkruajë historinë e Kosovës duke i vënë njollë UÇK-së e deri te vendosja e paragjykimit se nëse ndodh dënimi i të akuzuarve, atëherë do të vihen në pikëpyetje jo vetëm lufta e UÇK-së por edhe aktet e mëvonshme, siç ishte shpallja e Pavarësisë të Kosovës, në aktin e së cilës rol udhëheqës ceremonial kishin dy prej të akuzuarve.

Më duket se kjo formë e krijimit të frikës nuk i bën mirë as ligjërimit publik e as interesave të vendit, përfshirë edhe ato për ruajtjen e shëmbëlltyrës së UÇK-së. Ideja se ekziston një forcë e errët që po përpiqet ta rishkruajë historinë e Kosovës (me aludimin publik për Serbinë apo Rusinë, apo që të dyja së bashku) u bishtnon dukshëm fakteve. E faktet, të pamohuara prej personazheve të para 15 vjetësh, janë se Gjykata Speciale u votua nga Kuvendi i Kosovës duke iu bindur sugjerimeve të vendeve që e çliruan Kosovën dhe që e mbështetën procesin e pavarësimit të saj. Në krye të tyre ishte SHBA-ja, jo Rusia dhe besoj të mos duket e besueshme për dikë se SHBA-ja do të futej në një konspiracion të errët me Rusinë, aq më pak për të shkruar apo rishkruar historinë.

Pastaj, nuk i bën mirë fare pozicionit paragjykimi se po qe se dënohen të akuzuarit atëherë vihet në pikëpyetje roli i UÇK-së apo akti i shpalljes së Pavarësisë. Fillimisht, kjo nuk i bën mirë prezumimit të pafajësisë: përse duhet të paragjykohet se do të dënohen gjegjësisht se mbrojtja e tyre nuk është në kundërshtimin e akuzave në bazë të meritave të pafajësisë, por në kërcënimin se dënimi mund ta rishkruajë historinë e të zhbëjë akte juridike (si shpallja e Pavarësisë)?

2.

Do të ishte mirë ta lirojmë hapësirën publike prej këtyre frikësimeve.

Njëra prej formave që po përdoret janë zotimet religjioze që shpallin paprekshmërinë e të shenjtit. Kjo gjendet te “Lufta e UÇK-së është e shenjtë dhe nuk mund ta njollosë gjë”, “Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër si loti” apo “UÇK-ja është vlera më sublime në historinë e Kosovës”.

Mendoj se këto, si çdo zotim religjioz, nuk e liron hapësirën publike prej frikësimit. Zotimi religjioz për nga natyra mbështetet në frikësim: të kundërshtosh shenjtërinë është akt herezie (a blasfemie) rrjedhimisht i dënueshëm nga forca e Hyjit.

Në një akt herezie, për shembull, mund të thuhet se Lufta nuk është e shenjtë, për faktin e thjeshtë se vret njerëz, e jeta e njeriut është e shenjtë. Lufta pra nuk mund të jetë e pastër si loti: prapa vetes lë varre, invalidë, shtëpi e prona të shkatërruara. Lë prapa po ashtu trauma, e njëra prej traumave është ajo e kujtesës së luftës. Rrjedhimisht do të ishte akt herezie të thuhet se UÇK-ja nuk është vlera më sublime në historinë e Kosovës. Për shembull, vlera më sublime e historisë së Kosovës mund të jetë rezistenca e padhunshme e qytetarëve të Kosovës ndaj okupacionit të Serbisë, një rezistencë e pashembullt në Evropë.

Por, në momentin kur hapet debati mbi shenjtërinë dhe herezinë nuk jemi larguar prej frikësimeve, jemi duke u zhytur më thellë në to.

Dhe, befas kemi hyrë në garën në të cilën thuhej se nuk duhet të hyjmë: rishkrimin e historisë, në të cilin premisa e parë është shenjtëria apo jo e UÇK-së.

3.

Rruga për të dalë prej qarkut të frikësimit qëndron në të kuptuarit e historisë.

Ajo për nga natyra shkruhet e rishkruhet. Në botë çdo ditë del një libër që trajton diçka nga e kaluara, një rishikim i asaj që ka ndodhur. Lufta e Parë Botërore, jeta e Bizmarkut, Perandoria koloniale spanjolle apo çfarëdo teme tjetër prodhohet dhe riprodhohet në bazë të fakteve të reja, e ndonjëherë edhe të riinterpretimeve të fakteve të vjetra. Historia e Kosovës si libër nuk do të ishte e njëjtë pa Noel Malcolmin. Dhe Historia e Kosovës nuk do të jetë e njëjtë, si libër, pas botimit të një studimi më të thelluar apo me informata plotësuese që do ta botonte ai apo dikush tjetër.

Ideja se ekziston një histori definitive e Kosovës dhe se ajo nuk mund të rishkruhet është krejtësisht e kundërt me natyrën e historisë. Historia është në thelb, një rrëfim, e rrëfimet begatohen, ribëhen, rirrëfehen.

Madje, as në religjion nuk ekziston një rrëfim. Bibla, me Dhiatë të Vjetër e të Re, është shkruar e rishkruar nja 1.500 vjet. Dhiata e Re, mbi historinë e Jezu Krishtit është shkruar gati për një shekull pas vdekjes së tij. Në Dhiatën e Re madje nuk është një ungjill, por janë katër. Atë që e shpjegon Mateu jo domosdo korrespondon me atë që shpjegon Lluka.

Edhe emri i Biblës në formën e vet origjinale, të greqishtes së vjetër, është shumës. “Biblia” do të thotë Libra, jo Libër.

4.

Gjatë muajve dhe viteve të ardhshme hapësira publike e Kosovës do të mbushet me rrëfimet e luftës, nga një kënd tjetër, nga këndi i përndjekjes së supozuar, keqtrajtimit dhe eliminimit të kundërshtarëve politikë. Edhe të jetë i vërtetë çdo rrëfim, edhe po të provohet si i tillë, kjo nuk përbën tërësinë e së vërtetës së luftës. Anasjelltas, edhe po të hidhet poshtë çdonjëri prej rrëfimeve që do të dëgjohen gjatë muajve dhe viteve që vijnë, kjo nuk do të thotë se në luftë nuk kanë ndodhur mizori ndaj civilëve, viktimave të rastësishme apo kundërshtarëve politikë.

Historia e luftës, kësaj të Kosovës apo të cilësdo, është më e gjerë se ç’mund të përfshijë në të një libër apo një gjykim.

Dhe, çfarëdo që të bëjë libri apo gjykimi, nuk do të ndërrojë rrëfimin bazik mbi popullin e Kosovës që i qëndroi okupacionit të Serbisë dhe që falë edhe unitetit të vet u çlirua nga Serbia.