Pas dhjetë vjetësh pritjeje për padinë e Thaçit vjen padia kundër Thaçit. Tani diskursi i Thaçit president ndryshon. Ai nuk jep më intervista direkte, ato kërkojnë angazhim maksimal e rrezikim të fytyrës në çdo kohë. Tani presidenti mundohet të lexojë sa më bindshëm në telekamerën përpara tij, pak më poshtë fytyrës së tij
Makineria e shikimit
Nga të gjitha kafshët, vetëm njeriu e ka zhvilluar fushën e bardhë të syve. Kjo është themelore për ta bërë shikimin elementin kyç në komunikimin njerëzor. Nëse bletët ndjekin drejtimin e kokës për orientim, njeriu ndjek drejtimin e shikimit dhe ka aftësinë të dallojë saktësisht ku bije ai. Fëmijët e zhvillojnë kapacitetin e ndjekjes së shikimit që në tre muajt e parë të jetës, kështu arrijnë të trasojnë vëmendjen te të tjerët. Vendosja e trasesë së vëmendjes është kyçe në komunikim, ajo ndihmon për të kuptuar mendimet, qëllimet dhe emocionet e të tjerëve. Sistemi i shikimit të njeriut është aq i zhvilluar saqë sot flitet për psikologji të shikimit dhe një teori e tërë është ngritur mbi këtë subjekt.
Njerëzit shikojnë në sy kur kërcënojnë, kur flirtojnë, por mbi të gjitha kujdesen që ta kenë shikimin “të rregullt” gjatë komunikimit, që të tjerët të mos na kapin me shikim të markuar apo abnormal. Mund të duket e çuditshme, por çdo shoqëri ka norma të lidhura me shikimin që stabilizon një komunikim normal e modele që tregojnë divergjenca.
Historia e Thaçit, histori e Kosovës
Kush s’është me mua është kundër Kosovës - kjo është motoja e vjetër e presidentit, qëkur u shpall raporti i Dick Martyt. Në intervistën e parë pas publikimit të raportit me Blendi Fevziun, Thaçi thoshte:
BF: Zoti Thaçi Dik Marti ka thën që ai i referohet rrëfimeve që ai i ka marr prej t'penduarve të UÇKës që kan punuar si transportus shofer apo shoqërus pengjesh
HTH: (0.7) Në asnjë rrethan ë:: mund t'ketë ë:: patriot të rrejshëm që kan biseduar me Dik Martin duke duke menduar se nuk do t'i përmend Dik Marti. Por ata j' ata emra tash jan t'njohur dhe do të bëhen publik shum shpejt.
BF: Zoti Thaçi, Dik Marti ka thënë që ai i referohet rrëfimeve që ai i ka marrë prej t'penduarve të UÇKë-së që kanë punuar si transportues shofer apo shoqërues pengjesh
HTH: (0.7) Në asnjë rrethanë ë:: mund t'ketë ë:: patriot të rrejshëm që kanë biseduar me Dik Martin duke, duke menduar se nuk do t'i përmend Dik Marti. Por ata j' ata emra tash janë t'njohur dhe do të bëhen publik shumë shpejt.
Kjo intervistë e Thaçit karakterizohet nga një shumësi problemesh në komunikim, të cilat janë tregues të situatës së vështirë të tij si akter politik. Përveç korrigjimeve dhe vetëkorrigjimeve, përsëritjeve, ndërprerjeve (‘), pauzave (0.7), të gjitha elemente që shfaqin këto probleme, në fjalinë e fundit Thaçi kërcënon dëshmitarët me bërje publike të identitetit. Fakti i shfrytëzimit të medias për t’u dërguar mesazhe kërcënuese kundërshtarëve është i njohur dhe i shumëstudiuar tashmë.
BF: Po ai ka deklaruar se nuk i trembet gjyqit tuaj se ai ka imunitet dhe nuk mund t'hetohet.
HTH: Okei. Ai ka imunitet sot.
BF: Po
HTH: Po un jam £dyzet vjeçar dhe do ta pres deri n'fund dhe herët a v'. Herët a von ai do t'ballafaqohet me drejtsin sepse un kam fakte, kam dëshmitar, kam faktografi për inkriminimin e tij për të përpiluar këtë draft.
Të gjitha fjalët e nënvizuara janë ato më të theksuarat nga Thaçi atëbotë.
Padia si silur nga Haga
Pas dhjetë vjetësh pritjeje për padinë e Thaçit vjen padia kundër Thaçit. Tani diskursi i Thaçit president ndryshon. Ai nuk jep më intervista direkte, ato kërkojnë angazhim maksimal e rrezikim të fytyrës në çdo kohë. Tani presidenti mundohet të lexojë sa më bindshëm në telekamerën përpara tij, pak më poshtë fytyrës së tij.
E ndal audion. Komunikimi njerëzor është shumë më tepër sesa fjalët, është aktivitet mendor që mund të shformohet nga aktiviteti emocional. Presidenti shfaqet në plan të parë me pamjen e tij prej strategu nga një telekamerë në pozicionin e bretkosës. Veshja, dekori jashtë fokusit, qëndrimi, çdo gjë është menduar mirë. Në bebëzat e syve reflektohet drita e bardhë e prompterit, por ajo është e pamundur të shmanget.
Me një nuancë të lehtë buzëqeshjeje që shuhet në katër sekondat e para, Thaçi e fillon diskursin. Lëvizja ritmike e kokës para-mbrapa dikuket sikur do t’i japë lehtësisht gaz motorit që duket se nuk e po e dëgjon. Një lëvizje e lehtë e shpatullave përpara ndihmon nisjen. Pas kësaj lëvizjet ngadalësohen. Fytyra ndjek pasivisht tekstin. Ngritja e vetullave e ushtruar mirë mundohet të bëhet pjesëmarrëse në komunikim, por angazhimi i tyre bëhet natyral vetëm kur rrudhen, sa herë që Thaçi përqendrohet në lexim.
Në minutën e parë kemi vetëm një moment gjysmëbuzëqeshjeje. Ia kap tendencën për ironi. Nuk zgjat. Monotonia rimerr rolin deri në minutën e dytë, kur intensiteti i ritmit të kokës para-mbrapa rritet. Pason një përpirje, frymëmarrja e thellë dhe e ngadalshme shënon një pauzë të gjatë. Sytë dhe buzët rifillojnë detyrën. Muskujt e tjerë të fytyrës i ndjekin pa shenja dalluese. Mosaktivizimi i tyre është shënjues në teorinë kinezike që merret detajisht me studimin e gjuhës së trupit.
Kalojnë 4 e 27 sekonda. Buzët qëendrojnë të hapura në një pauzë më të gjatë, jo normale. Lëshoj audion.
HTH: Dhe e treta (kapërdihet) unë që pata fatin dhe nderin të kem rrol në luftën dhe në rr’ rrugën e pavarësisë …
Te fjala "rrugën" Thaçi vetëkorrigjohet. Gaboi në lexim. Vazhdon. Unë ndal sërish audion. Fytyra e tij më intereson më shumë se fjalët. Duket e rënduar, pa energji, ndjek prompterin në modalitet slow motion. Qeset poshtë syve janë të fryra. Ndoshta problemet me veshkat. Mollëza e Adamit kërcen herë pas here. Si ushtar i bindur, Thaçi ndalet për t’u mbushur frymë. Vazhdon. Por, fytyra e tij e lodhur rëndon herë në të majtë e herë në të djathtë të tekstit. Reziston. Rezistoj edhe unë. Fytyra e tij tashmë është shkëputur tërësisht nga teksti, edhe pse mundohet të mbahet e varur aty. Duket i dorëzuar. Nuk i beson asaj që lexon. Një kërcim vetullash më tregon se po i jep edhe një herë gaz. Pres. Buzët lëvizin ngadalë. Qepallat rrahin rrallë. Fillon të shtyjë me shpatulla në të djathtë.
Teksti është i gjatë. Rezistenca po bjen. Tashmë presidenti nuk mundohet më ta kontrollojë shikimin. Bebëzat i rrëshqasin nga e majta në të djathtë pa u kujdesur më për shikuesin që tani e ka kapur fillin. Ndal videon. Ky do të duhej të ishte fundi i analizës së një odiseade dhjetëvjeçare e cila nuk ka më nevojë as për fjalë.