OpEd

Mesazhet shëndetësore në epokën e dezinformimit

Klima aktuale e “fakteve alternative” dhe dezinformimit të shfrenuar paraqet shumë sfida për komunikimin efektiv të shëndetit publik. Mirëpo, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke zhvilluar mesazhe që janë të qarta, gjithëpërfshirëse dhe të përcjella nga burimet e duhura, ne mund ta fillojmë procesin e vështirë, por të nevojshëm të rindërtimit të besimit në agjencitë e shëndetit publik përpara se të godasë kriza e ardhshme e madhe

Siç e ka pranuar së fundmi drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Rochelle Walensky, komunikimi dhe mesazhet e dobëta të shëndetit publik gjatë gjithë pandemisë COVID-19 kanë zbehur besimin e publikut në agjencitë dhe institucionet shëndetësore. Kjo, nga ana tjetër, kontribuoi në probleme të njohura, si: hezitimi i vaksinave, mosrespektimi i rekomandimeve të maskave dhe masave të tjera mbrojtëse dhe keqinformimi i përgjithshëm në lidhje me virusin dhe mënyrën se si transmetohet.

Sipas një sondazhi të vitit 2021 nga Fondacioni Robert Wood Johnson dhe Shkolla e Shëndetit Publik e Harvardit, T.H., vetëm 52% e amerikanëve tani kanë besim të madh në CDC-në dhe vetëm 37% kanë shumë besim në Institutin Kombëtar të Shëndetit ose Administratën e Ushqimit dhe Barnave. Departamentet shtetërore të shëndetësisë shkojnë pak më mirë. Atyre u besojnë vetëm 41% e amerikanëve, me departamentet lokale të shëndetit të besuar nga 44% dhe i njëjti sondazh tregon se vlerësimet pozitive të sistemit shëndetësor publik ranë nga 43% në 34% midis viteve 2009 dhe 2021.

Është e qartë se agjencitë e shëndetit publik duhet ta rifitojnë besimin e publikut, jo vetëm për t’i luftuar krizat si COVID-19 dhe linë e majmunëve, por edhe për të adresuar një gamë më të gjerë çështjesh shëndetësore të vazhdueshme. Ky proces duhet të fillojë me një angazhim për komunitetin, partneritete në sektorë të tjerë, si: strehimi dhe arsimi, komunikimi efektiv në çdo nivel dhe transparencë dhe integritet në vendimmarrje.

Zyrtarët e shëndetit publik shpesh duhet t'i bazojnë rekomandimet e tyre në të dhëna jo të plota; me zhvillimin e të dhënave, do të zhvillohen edhe rekomandimet. Megjithatë, në një përpjekje të gabuar për t’u dukur autoritarë, zyrtarët e shëndetit publik rrallëherë janë transparentë në lidhje me nuancat dhe natyrën rrjedhëse të asaj që po komunikojnë.

Një shembull i përsosur janë këshillat e hershme se si transmetohet SARS-CoV-2. CDC-ja ishte e bindur se koronavirusi po përhapej në sipërfaqe dhe jo përmes ajrit, në vend që ta pranonte se transmetimi në ajër ishte ende mundësi e fortë. Kjo qasje ngjalli konfuzion dhe mosbesim, sepse CDC-ja përfundimisht duhej t’i ndryshonte këshillat e saj. Pasi e pranoi se SARS-CoV-2 po përhapej përmes spërklave, më në fund pranoi gjithashtu se po përhapej përmes grimcave të aerosolit.

Siç tregon ky shembull, besueshmëria shpesh ngatërrohet me pagabueshmërinë, duke rezultuar në zyrtarët e shëndetit publik, të cilët mund të jenë të ngadaltë në pranimin e gabimeve – duke minuar më tej besueshmërinë e tyre. Transparenca është e rëndësishme, veçanërisht në një kohë kur shitësit e dezinformatave në internet do ta shfrytëzojnë çdo mundësi për të diskredituar zyrtarët e shëndetit publik. Komunikimi i suksesshëm i shëndetit publik krijon besueshmëri duke qenë efektiv dhe jo duke qenë i pandryshueshëm.

Një tjetër gurthemel i komunikimit të shëndoshë është qartësia. Zyrtarët e shëndetit publik duhet të shpjegojnë se si të dhënat dhe rekomandimet lidhen me jetën e përditshme të njerëzve. Nëse informacioni është i saktë apo i pasaktë, është një pyetje e diskutueshme nëse publiku nuk e kupton atë që po komunikohet.

Këtu, zyrtarët amerikanë dështuan përsëri në testin e mesazheve kur nuk e bënë të qartë se efektiviteti i vaksinave COVID-19 matej nga shtrimet në spital, jo nga infeksionet. Publiku besonte se vaksinat do ta bllokonin transmetimin dhe infeksionin; por kur u shfaqën variantet Delta dhe Omicron dhe shkaktuan rritje të përhapjes së infeksioneve, mosbesimi dhe “lodhja e përforcuar” pasuan siç duhet. Që nga 3 gushti, vetëm 32% e amerikanëve kishin marrë vaksinën e tyre të parë përforcuese.

Në këtë rast, zyrtarët e shëndetit publik mund të kishin përdorur shembullin e vaksinës së poliomielitit Salk për ta siguruar publikun se një vaksinë nuk ka nevojë të parandalojë infeksionin ose transmetimin e drejtpërdrejtë për të çrrënjosur një sëmundje. Ose, ata mund të kishin theksuar se sa vaksinat ulin barrën në spitalet tona.

Fatkeqësisht, mësimet e tjera historike duket se nuk janë zhytur. Shumë zyrtarë të shëndetit publik kanë bërë një gabim të rëndë duke stigmatizuar linë e majmunëve si një sëmundje që kërcënon vetëm homoseksualët, biseksualët dhe burra të tjerë që bëjnë seks me burra. Megjithatë, ndërsa është e vërtetë që kjo popullatë është prekur në mënyrë disproporcionale nga shpërthimi aktual, lija e majmunëve mund të transmetohet në çdo situatë ku ka kontakt të ngushtë lëkurë me lëkurë me lezione.

Duke e përshkruar linë e majmunit si një infeksion seksualisht të transmetueshëm, zyrtarët e shëndetit publik mund t'u japin njerëzve përshtypjen e rreme se nuk janë në rrezik, duke i penguar ata të kërkojnë një diagnozë ose të izolohen nëse kontraktojnë virusin. Situata nuk është e ndryshme me mesazhet e hershme (të pasakta) rreth përhapjes së HIV/AIDS-it vetëm mes popullatave homoseksuale.

Më gjerësisht, mesazhet e shëndetit publik kuptohen më mirë dhe më së shumti mund të besohen kur vijnë nga individë të besuar brenda komuniteteve që duhen arritur. Lajmëtari është shpesh po aq i rëndësishëm sa mesazhi, veçanërisht në komunitetet ku racizmi strukturor dhe traumat historike i kanë lënë njerëzit të mos u besojnë autoriteteve mjekësore.

Në vend që të lëshojnë deklarata autoritative dhe të supozojnë se ato do të merren parasysh, zyrtarët lokalë të shëndetit publik duhet të mendojnë për mesazhet e tyre si pjesë të një bisede gjithëpërfshirëse. Ata duhet të kërkojnë zëra të komunitetit dhe avokatë të besuar si udhëheqësit e besimit, menaxherët e strehimoreve dhe drejtorët e bankave ushqimore për të bashkëpunuar në dërgimin e mesazheve dhe arritjen e popullatave që mund të jenë të cenueshme ndaj pabarazive shëndetësore.

Një tjetër qasje e mirë është ajo e krijuar nga Këshillat e Planifikimit të Shërbimeve Shëndetësore të Ryan White për HIV/AIDS. Këto janë grupe komunitare të emëruara nga zyrtarë lokalë, anëtarët e të cilëve përfaqësojnë publikun e gjerë, njerëzit që jetojnë me HIV, ofruesit e shërbimeve të financuara dhe organizata të tjera shëndetësore dhe sociale. Anëtarët e Këshillit të Planifikimit punojnë së bashku për t’i identifikuar nevojat e kujdesit të njerëzve që jetojnë me HIV. Më pas ata përcaktojnë se cilat shërbime janë prioriteti më i lartë dhe sa fonde duhet të angazhohen për secilin. Ky model i vendimmarrjes gjithëpërfshirëse mund të zbatohet më gjerësisht për planifikimin e shëndetit publik dhe shpërndarjen e burimeve.

Klima aktuale e “fakteve alternative” dhe dezinformimit të shfrenuar paraqet shumë sfida për komunikimin efektiv të shëndetit publik. Mirëpo, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke zhvilluar mesazhe që janë të qarta, gjithëpërfshirëse dhe të përcjella nga burimet e duhura, ne mund ta fillojmë procesin e vështirë, por të nevojshëm të rindërtimit të besimit në agjencitë e shëndetit publik përpara se të godasë kriza e ardhshme e madhe.

(Autori, shkencëtar, sipërmarrës i bioteknologjisë dhe ekspert i sëmundjeve infektive, është kryetar dhe president i grupit global të mendimit shëndetësor ACCESS Health International. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)