OpEd

Mesazhet nga botët e tjera

Dy porosi Viber nga bota e të vdekurve, një fjalim shumicë i një taksisti dhe një vërejtje nga Zelanda e Re për Kosovën dhe botën

1.

Është porosia e parë telefonike që më vjen në mëngjesin e nisjes për në aeroport, rrugës prej Prishtinës për në New York.

Porosia thotë se Agroni është kthyer në Viber. “Say hi!”, porosit Viber.

Më shkon buza në gaz, pas tronditjes fillestare. Agroni ka dy vjet që ka vdekur, miku im i parë që shkoi nga COVID. Kemi qenë shokë nga gjimnazi dhe njihej si hajgarexhi, me sens për barsoleta e veprime komike, ndonjëherë apo ndoshta gjithherë duke thyer kufijtë e asaj që deri dje ishte e pranueshme për të qeshur. Më shkoi buza në gaz nga mendimi se edhe atje, në atë botë tjetër, po i ushtron barsoletat e veta dhe se me buzëqeshjen e tij të madhe dhe gajasjen po më thotë se ju mashtrova kur më përcollët në Dragodan, në varreza.

Po, di që ajo që ka ndodhur në praktikë është se dikush nga familja e ka marrë në përdorim telefonin e Agronit dhe është riaktivizuar Viber. Por, më tingëllon më mirë se Agroni më dërgon porosi prej asaj bote në këtë ditë të një udhëtimi të veçantë që bëjmë Blerta dhe unë, rruga për në ceremoninë e magjistraturës së vajzës sime, Zoja, në Universitetin famëmadh të Harvardit, atij që zë vendin e dytë në rang botëror.

2.

Taksisti që na çon në aeroport të Prishtinës, në të njëzetat, thotë se nuk është vaksinuar, “sepse ai që e ka shpikë sëmundjen, e ka shpikë vaksinën”.

Sepse “unë duhet me ditë se çka po futin në trup” dhe e thotë këtë me njohurinë tonë të përbashkët se nuk ka kualifikime bazike për të kuptuar mësimet fillestare të kimisë e biologjisë.

-A di ti që më kanë vdekur shokët nga COVID-i? , i them. Si mund të flasësh ashtu?

-Po, edhe nga familja ime shkuan katër. I çuan në spital dhe vdiqën atje. Kush shkon në spital nuk kthehet më.

Fjalët më nuk marrin ndonjë rëndësi. Nuk del as pyetja e natyrshme pasuese: “Ku e ke lexuar këtë?”, sepse përgjigjja pasuese është po aq e natyrshme, diçka si “në Facebook, de!”

Diku mes botës në të cilën gjendet Agroni dhe asaj ku jam unë është bota e taksistit. Më zë frika e të menduarit se bota e taksistit është ajo në të cilën jeton një shumicë. Çka nëse është ashtu?

3.

Jemi në Boston. Fjalimin solemn në ceremoninë e magjistraturës së Zojës dhe të gjithë të diplomuarve të tjerë e mban Jacinda Ardern, kryeministre e Zelandës së Re. Thotë se dy gra kanë lindur fëmijë në krye të detyrës kryeministrore. E para ishte Benazir Bhutto e Pakistanit, e cila më vonë u vra në një atentat. Dhe e dyta ishte vetë zonja Ardern. Vajza e saj u lind më 21 qershor, në ditën e lindjes së Benazir Bhuttos, një përputhje si të ishte sinjal i njërës botë te tjetra.

Por cila është bota dhe për më tepër cila është bota reale? Kështu më tingëllon fjalimi i J.Ardern. Ajo është në krye të një demokracie ekzemplare, që në Parlament përfaqësohet me tërë laramaninë e veçorive të vendit. Njëzet për qind e Kuvendit janë Maori, populli autokton i Zelandës së Re, me gjuhën e të cilëve ajo fillon fjalimin në Harvard dhe me gjuhën e të cilëve e ka emërtuar edhe vajzën e saj. Zëvendëskryeministri i vendit është i komunitetit LGBT, mbi gjysma e përbërjes së Parlamentit janë gra.

E në këtë demokraci ekzemplare në vitin 2019 një person i vetëm në qytetin Crhistchurch vrau në dy xhami 51 persona. I tërë sulmi u transmetua nga vrasësi drejtpërsëdrejti në medie sociale. Komisioni parlamentar i formuar pas këtij sulmi konstatoi se vrasësi u radikalizua me media sociale.

Në medie sociale, të përdor lirshëm pjesë nga fjalimi i Ardernit “injorohet fakti se themelet e demokracisë së fortë përfshinë besimin në institucione, ekspertë dhe qeveri-dhe ky besim mund të ndërtohet me dhjetëvjetësh, por të shembet në vetëm ca vjet”.

Në garë për vëmendjen e qytetarit janë mediet sociale dhe mediet profesionale. Në të parat jetojnë “luftëtarët e tastaturës” e në të dytën profesionistë që japin informatë me përgatitje e përgjegjësi.

Ardern e sheh këtë luftë si të jashtëzakonshme për demokracinë liberale; nëse fitojnë “luftëtarët e tastaturës” humb thelbi demokratik i ballafaqimit të lirë e të përgjegjshëm të mendimeve.

Afër meje duke dëgjuar fjalimin është Flaka, halla e Zojës dhe përkrahësit më të madh të saj që të vazhdojë rrugën e saj në Harvard. Është edhe personi që në krye të kompanisë “KOHA” ndien presionin e madh që kanë mediet profesionale, në veçanti në Kosovë. Fjalët e Ardernit tingëllojnë me peshë të veçantë në veshët e saj.

4.

Në Boston, me insistimin e mikut tim Osmanit, mbaj telefonin me numër amerikan. Ishte i gruas së tij Zyrafetit. Ajo vdiq më 2018, por telefoni i saj mbeti në përdorim; çdo herë që jam në New York shoh në ekranin e telefonit fotografinë e përzgjedhur familjare që e donte ajo.

Zoja erdhi të jetojë te Osmani e Zyrafetja gjatë vitit të saj të maturës. Që të dytë u kujdesën për të jashtëzakonisht. Në mëngjes e përcillte e në pasdite Zojën e priste buzëqeshja bujare dhe fisnikëria e Zyrefetes. Ajo e trajtoi Zojën me kujdes më të shtuar se vajzat e veta dhe Zoja e ndiente mbrojtjen e ngrohtësinë e saj.

Duke pritur ceremoninë e Zojës u përpoqa të vë në funksion internetin e telefonit që kishte ndenjur i pakonfiguruar që nga viti 2018. Me pak ndihmë arrita që më në fund ta lidhja me rrjetin e internetit të kompanisë telefonike. Dhe, me këtë lidhje u vunë pa dashje në funksion aplikacionet që vareshin nga interneti e që kishin mbetur pa funksionuar për katër vjet.

Zoja futej në rreshtin e marrësve të diplomës së magjistraturës, në telefonin tim të Kosovës dhe të qindra njerëzve të tjerë doli mesazhi në Viber se Zyrafete O. është kthyer- “Say hi!”- një vërtetim se disi, në kalimin prej njërës botë në tjetrën qe e mundshme ta kemi në këtë kremtë një person dashuria e së cilës përcolli Zojën deri këtu.