Artikull i sponsorizuar
Shënim:
Më 22 dhe 23 maj 2023, RIT Kosovo (A.U.K) mirëpriti z. Ylli Bajraktari si Folës Kryesor për në Ceremoninë e Diplomimit të diplomuarvë të vitit 2023 si dhe në mbjëmjen për ngritje të fondeve “Support Kosova’s Next Story”. Duke pasur parasysh mesazhet e rëndësishme që u ndanë për të rinjtë kosovarë, veçanërisht për udhëheqësinë, teknologjinë dhe inovacionin – ky artikull është botuar për të shërbyer si referencë për të gjithë ata që janë të përkushtuar në formësimin e rrugës së shtetit tonë drejt përparimit dhe zhvillimit. Artikulli përmban mësime të vlefshme mbi rëndësinë e shërbimit publik, përkushtimin, dhe rolin e teknologjive në zhvillim si Inteligjenca Artificiale (IA), të cilat do të ndryshojnë botën siç e njohim ne deri në vitin 2030.
Rreth Autorit:
Z. Ylli Bajraktari është lider i suksesshëm dhe i afirmuar shqiptaro-amerikan në fushën e sigurisë kombëtare në SHBA, I cili udhëheq SPCP-në - një nismë jopartiake e kryesuar nga Dr. Eric Schmidt, sipërmarrësi i arrirë, I cili për një kohë të gjatë ka shërbyer si CEO dhe kryesues i Bordit në kompaninë e njohur Google. Në SCSP, z.Bajraktari udhëheq përpjekjet për të forcuar konkurrencën afatgjate të Amerikës përderisa inteligjenca artificiale (AI) dhe teknologjitë e tjera në zhvillim riformësojnë sigurinë kombëtare, ekonominë dhe shoqërinë.
Para se të themelonte SCSP-në, z.Bajraktari shërbeu si Drejtor Ekzekutiv i Komisionit të Sigurisë Kombëtare për Inteligjencën Artificiale në SHBA (NSCAI). Para se t'i bashkohej NSCAI-t, ai shërbeu si Shef i Stafit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare LTG H.R. McMaster – i cili mbante një sërë rolesh në pozita drejtuese për ish-zëvendës sekretarin e mbrojtjes Robert Work, dhe shërbeu si Asistent Special I Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Gjeneral Dempsey. Fillimisht, duke iu bashkuar Departamentit të Mbrojtjes në vitin 2010, ai shërbeu në Zyrën e Nënsekretarit për Politikat si drejtor i vendit për Afganistanin dhe më pastaj Indinë.
Për kontributin e tij, z. Bajraktari është vlerësuar me "Medaljen për Shërbim të Shquar Civil në Departamentin e Mbrojtjes" - çmimi më i lartë që u jepet punonjësve civilë të Departamentin Amerikan të Mbrojtjes.
Në vijim është fjalimi i z.Bajraktarit:
Faleminderit, zonja Bekavac për mikëpritjen. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj RIT Kosovo (A.U.K) për ftesën që t’I drejtohem studentëve në Ceremoninë e Diplomimit sot në 20-të vjetorin e themelimit të këtij universiteti. Gjithashtu do të doja të falenderoja z. Kryeministër, Presidentin Shahrabi, Zëvendës Ambasadoren e SHBA-së dhe të ftuarit e tjerë.Dua të gjithashtu të uroj arritjet e fituara me shumë mund të të diplomuarve të klasës së vitit 2023 dhe të shikojmë përpara së ardhmës që do të keni së shpejti.
E pranova ftesën që të flas këtu para jush sot sepse të rinjtë e Kosovës kanë qenë gjithmonë në ballë të ndryshimeve, duke shërbyer si udhërrëfyes për fatin e këtij vendi. Dhe unë besoj se ju jeni brezi i ardhshëm i liderëve që mund të ndryshojnë drejtim e këtij kombi.
Të rinjtë e Kosovës ishin kyç për ndryshimet socio-politike në vitet 1980, kur komunizmi ishte në kolaps dhe të rinjtë e Kosovës ishin çelësi për ta udhëhequr Kosovën me urtësi në vitet 1990 gjatë luftërave brutale që po ndodhën në ish-Jugosllavi. Të rinjtë përsëri ishin të rëndësishëm në hartimin e rrugës së Kosovës drejt pavarësisë që kulmoi në vitin 2008.
Unë kam kaluar më shumë se një dekadë duke punuar për qeverinë e Shteteve të Bashkuara - në Pentagon dhe në Shtëpinë e Bardhë.
Nuk kisha asnjë mëdyshje në mendjen time pse doja t'i shërbeja qeverisë së Shteteve të Bashkuara pas diplomimit. Nëse nuk do të ishin Shtetet e Bashkuara dhe veprimet që ndërmorën për të parandaluar gjenocidin në Kosovë në fund të viteve 1990, ne të gjithë ndoshta nuk do të ishim këtu, duke festuar sot diplomimin tuaj në këtë institucion arsimor me bazë në Amerikë.
Kështu që ëndrra dhe dëshira ime ishte që - po të mundja - të përpiqesha t'ua ktheja shërbimin atyre që morën vendimin dhe, në fund, shërbyen në aksionin vendimtar ushtarak që çliroi Kosovën.
Prandaj, nuk kishte asgjë më përmbushëse sesa takimi me udhëheqës ushtarakë dhe civilë në Pentagon që për ne ishin pjesë e historisë dhe që kanë shërbyer gjatë fushatës ajrore të vitit 1999 ndaj Serbisë.
Dhe për shkak të mundësive që ofron Amerika, unë kam patur mundësinë të shërbej në nivelet më të larta të qeverisë, duke punuar përkrah disa prej udhëheqësve më të mirë ushtarakë dhe civilë.
Po shoh personelin ushtarak nga Forcat e Sigurisë së Kosovës që po diplomojnë sot këtu dhe dua t’ju falënderoj për shërbimin tuaj. Një moment tjetër i paimagjinueshëm për Kosovën është t’i shohësh forcat e saj të armatosura që po zhvillohen mbi rezistencën e armatosur të liderëve të rinj të Kosovës nga fundi i viteve 1990.
Megjithatë, karriera ime në pesë vitet e fundit më çoi në një drejtim të ri, disi të papritur. M’u kërkua të drejtoja një iniciativë të madhe dhe të shikoja për së afërmi ndikimin e një teknologjie shumë të fuqishme të quajtur inteligjencë artificiale dhe se si ajo do të ndryshojë të gjitha aspektet e jetës sonë dhe, në rastin tim, se si do të ndikojë në sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Po i them të gjitha këto sepse ndërsa diplomoni, dua që ju të kuptoni se bota po kalon nëpër ndryshime të thella për shkak të kësaj teknologjie. Ne mund t’I referohemi kohës sonë si momenti kur qytetërimi u transformua nga një zbulim monumental, ashtu siç ishte transformuar nga zjarri, bujqësia dhe energjia elektrike.
Sipas shumë ekspertëve, ne jemi në pragun më të madh të teknologjisë njerëzore.
Revolucioni I Inteligjences Artificiale do të jetë transformimi më i shpejtë njerëzor në historinë e botës.
Kohët e fundit, Sundar Pichai, CEO aktual i Google u pyet se si e krahason ai inteligjencën artificiale në rrjedhën e qytetërimit njerëzor. Ai tha se kjo është teknologjia më e thellë në të cilën po punon njerëzimi, më me ndikim se zjarri apo energjia elektrike. Por pse po ju them të gjitha këto, sot, në ditën tuaj më të mirë, ditën tuaj të diplomimit.
Sepse karriera dhe jeta ime nuk kanë qenë kurrë lineare dhe e ardhmja është shumë e paparashikueshme.
Me valën e kësaj teknologjie, bota në të cilën po hyni sot do të jetë ndryshe vitin e ardhshëm dhe do të jetë e panjohshme deri në vitin 2030. Sepse gjërat po ndryshojnë me një ritëm të shpejtë dhe bota që njohim sot ose nesër do të jetë e panjohshme deri në vitin 2030.
Të gjithë e dimë se Kosova ka një popullatë të re. Në fakt, mbi gjysma e popullsisë është nën moshën 25 vjeçare dhe kështu historia e Kosovës ende nuk është shkruar dhe për shkak se teknologjia do të formësojë gjithë jetën tonë, ekonominë, ushtrinë dhe arsimin tonë, ata - të rinjtë e Kosoves - edhe një herë do të jenë ata që do ta formësojnë të ardhmen e këtij kombi.
Të rinjtë e Kosovës janë një pasuri e madhe, me të cilën jemi krenarë gjithmonë dhe e kemi shfrytëzuar si avantazh krahasues. Dhe do të jetë një botë me mundësi të reja dhe fantastike, zhvillim të mahnitshem dhe karriera interesante dhe produktive për secilin prej jush. Jini të hapur ndaj mundësive kur ato ju vijnë, sepse ato do t'ju shpien në vende që sot ju vetëm mund t'i imagjinoni.
Ndërsa inkuadroheni në jetën reale, është thelbësore të mbani mend se vlerat bazë që kanë udhëzuar brezat para nesh janë ende të zbatueshme, edhe në këto rrethana të zhvillimit të shpejtë. Duke I përvetësuar mësimet e vazhdueshme, ne mund të përshtatemi në mënyrë efektive me sfidat e reja dhe të krijojmë një rrugë drejt suksesit, pavarësisht se sa shumë mund të ndryshojë bota përreth nesh.
Këto vlera thelbësore që ne kemi - si njerëz nga Kosova - më kanë ndihmuar të shërbej mirë edhe në rrethanat më të vështira. Doja të ndaja me ju tre mësime që kam mësuar.
Së pari, duhet të kujtojmë të kaluarën. Ne duhet të reflektojmë prapa dhe të kujtojmë se prindërit dhe gjyshërit tanë sakrifikuan shumë në rrethana shumë më të ashpra, sepse ata ishin të përkushtuar të linin një vend më të mirë për fëmijët e tyre. Ata duruan luftëra, shpërngulje dhe vështirësi, por kurrë nuk e humbën qëllimin apo u bënë cinikë vetëm pse ishte e vështirë.
Prindërit dhe gjyshërit tanë, gjatë gjithë kësaj, mbetën të përkushtuar në kërkimin e një jete më të mirë për fëmijët dhe nipërit e tyre. Ata e kuptuan se asgjë nuk është e garantuar. Kur u rrita, babai im, i cili u rrit në fshatin e bukur të Radavcit, na tregonte rrefime se si ecte me kilometra për të shkuar në shkollë - rrëfime që më dukeshin të mërzitshme dhe të lodhshme.
Kur u rrita në vitet 1990, ne u dëbuam nga institucionet tona arsimore. Unë ndoqa një gjimnaz në vitin e parë jo shumë larg nga këtu - Sami Frashëri. Por çdo vit pas kësaj e gjeja veten duke ecur në një shkollë të mesme te imporvizuar, sepse liderët e mençur të Kosovës në atë kohë me mençuri vendosën t'i rezistojnë në mënyrë paqësore veprimit barbar të një regjimi që vendosi të na përjashtojë nga shkollat.
Kështu siç tha Mark Tëain: "Historia mund të mos përsëritet, por sigurisht që rimon." Dhe shpesh e gjej veten duke u thënë fëmijëve të mi qe i sjell në Kosovë çdo verë se "babai juaj ka ecur me kilometra për të shkuar në shkollë". Sigurisht që edhe fëmijët e mi e pëlqejnë këtë rrëfim!
Pra, mos harroni se kush eci në këto rrugë para jush dhe u përpoq të na edukojë dhe ta bëjë këtë vend një vend më të mirë pavarësisht vështirësive. Ne qëndrojmë mbi supet e tyre, atyre që luftuan jo vetëm për veten e tyre, por për ne. Le të mos harrojmë kurrë guximin dhe këmbënguljen e atyre që erdhën përpara nesh, dhe le të na frymëzojnë historitë e tyre për të vazhduar trashëgiminë e tyre drejt progresit.
Mësimi i dytë, vlerësoni të tashmen. Është thelbësore të njohim mundësitë dhe resurset e jashtzakonshme që janë në dispozicionin tonë në këtë kohë dhe epokë. Përmes përparimeve në teknologji, mjekësi dhe arsim, ne jemi më të ndërlidhur, të informuar dhe jetojmë më gjatë se kurrë më parë. Ndonëse i kuptoj frustrimet me jetën e përditshme në Kosovë, të mos harrojmë se po jetojmë në kohët më të mira që ka pasur ndonjëherë ky vend.
Nëse dikush do të të thoshte ty apo mua se ne do të qëndrojmë sot këtu – të lirë dhe duhe festuar diplomimin tuaj, në një institucion arsimor amerikan në mes të Prishtinës - do të dukej si një ëndërr e paimagjinueshme.
Mundësia për të studiuar, mësuar dhe rritur në një mjedis të sigurt është një privilegj që jo të gjithë në botë e gëzojnë dhe si një vend që kaloi vështirësi - ne mund të imagjinojmë tragjedinë që po përjeton populli i Ukrainës tani.
Ka shumë arsye të mira për të investuar te të rinjtë. Nëse dëshironi që Kosova të jetë një vend i begatë dhe i suksesshëm, të rinjtë janë çelësi i suksesit. Por, siç sugjerojnë trendet dy viteve të fundit, mund të investoni gjithë kohën dhe energjinë, por nëse të rinjtë largohen nga Kosova, përfitimet do t'i gëzojnë të tjerët.
Dhe kjo është me të vërtetë gjëja më e trishtë në lidhje me këto zhvillime këtu dhe një nga shqetësimet e mia më të thella ndërsa po i afrohemi janarit 2024. Po i them të gjitha këto, sepse të gjithë ju sonte këtu - udhëheqës nga sektori privat, akademia dhe sektori publik duhet të punoni për ta ndalur këtë trend. Përndryshe ju do të jeni të paret që do të ndjeni ndikimin e Kosovës pa të rinj, pa fuqi punëtore të re. Ju duhet të bëni gjithçka që është e mundur për të zhvilluar gjeneratën e re të liderëve, të investoni në ta dhe ta bëni vendin më tërheqës qe të qëndronjnë këtu sesa të largohen. Mos më thuani se gjërat janë të vështira sepse të gjithë ju këtu keni parë një periudhë shumë me të vështirë në jetën tonë.
E pranoj gjithashtu se nuk jam shembulli më i mirë për t'ju thënë të gjitha këto. Dhe siç u thashë disa prej miqve të mi më të mirë (Yll Hajdari dhe Rubik Spahiu) që më vizituan nga Kosova në DC javën e kaluar, largimi nga Kosova është një nga vendimet më të vështira që merr dikush, përfshirë mua. Por edhe për ata që largohen, duhet të bëni çmos që t'i mbani të lidhur me këtë vend.
Unë çdo ditë bëjë më të mirën për t’i edukuar fëmijët e mi, për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe duke j’u ofruar atyre mësime shqip online çdo të shtunë falë Nares që është këtu me ne sonte. Dhe meqë ra fjala, Nare faleminderit që e njoftuat djalin tim me Dervish Shaqen sepse këto dy ditët e fundit kjo është e vetmja gjë që po dëgjojmë rrugës për në shkollë.
Por unë gjithashtu besoj se të gjithë ju udhëheqës nga sektori privat që jeni sot këtu e kuptoni rëndësinë për të mbështetur të rinjët. Ju mund të kishit qenë të gjithë diku tjetër, por thellë e dinit se kjo është një çështje e rëndësishme dhe ky institucion arsimor është i rëndësishëm për t'u mbështetur për shkak të së ardhmes. Dhe të gjithë e njihni rëndësinë e ruajtjes së partneritetit strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara - nuk ka institucion tjetër si RIT Kosova (A.U.K) që është në qendër të kësaj.
Por ndërsa investojmë te të rinjtë duhet të bëjmë pyetje të vështira. Pse njerëzit largohen? Si do të duket Kosova deri në fund të kësaj dekade, përkatësisht në vitin 2030? A do e vazhdojmë trashëgiminë e prindërve dhe gjyshërve tanë apo do të dorëzohemi?
E gjithë historia e Kosovës është një histori e reziliencës dhe e këmbënguljes. Ne kemi duruar shumë dhe kemi tejkaluar kohëra të vështira.
Ju i mbijetuat luftës dhe tani po rindërtoni këtë vend. Të gjithë ju këtu, punoni shumë, përkundër vështirësive të përditshme për të ndërtuar biznese, institucione dhe organizata të mahnitshme. Por ky projekt nuk përfundon kurrë.
Ne kemi mundësinë të krijojmë një të ardhme më të mirë se ajo që kemi përjetuar. Unë vërtet besoj në fjalët e John F. Kennedy se ‘vlera e vërtetë e një kombi është suksesi në përmbushjen e premtimeve për një jetë më të mirë për secilin prej qytetarëve të tij. Le të na udhëzoj ky parim në vlerësimin e kombit tonë,' tha ai.
Por më lejoni ta përfundoj këtë fjalim me një këndveshtrim më pozitiv dhe me mësimin tim të fundit. Unë dua t'ju kërkoj të përqendroheni në të qenit me ndikim në të ardhmen. Ndërsa filloni udhëtimin, mbani mend se secili prej jush ka fuqinë për të bërë ndryshime. E ardhmja e Kosovës është e ndritur. Ju keni një popullatë të re, një ekonomi të fortë, media të lira dhe përkushtim ndaj demokracisë. Ju jeni gjithashtu një vend i hapur ndaj ideve dhe kulturave të reja. Shikoni përreth në Ballkan dhe më thoni se i shihni të gjithë këta përbërës në një vend.
Besoj se të rinjtë dhe teknologjia mund të bëhen shtytës të ndryshimit të Kosovës. Kjo është magjia e këtij momenti që po jetoni tani. Shfrytëzoni këtë. Teknologjia është një mjet i fuqishëm që mund të ndihmojë në përshpejtimin zhvillimin e Kosovës drejt së ardhmes. Siç thashë, AI do të jetë më e fuqishme se çdo teknologji apo shpikje që kemi parë ndonjëherë. Kosova ka rastin të pozicionohet tani drejt kësaj të ardhmeje dhe ta shndërrojë këtë vend në një vend të begatë dhe të sigurt.
Mos harroni se ju drejtoni vetë të ardhmen tuaj. Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen tuaj është ta krijoni atë. Askush nuk po vjen për t'ju shpëtuar. I vetmi person që përgjigjet për mënyrën se si ndryshon jeta jeni JU. Qoftë nëpërmjet karrierës suaj të zgjedhur ose nëpërmjet veprave dhe shërbimit, ju mund të lini gjurmë të thella në botën përreth jush. Besoni në veten tuaj. Besoni në versionin e ardhshëm të vetes që do të vijë duke u përmirësuar çdo ditë.
Tani po kthehem tek analogjia ime e inteligjencës artificiale me energjinë elektrike. Energjia elektrike dikur ishte një teknologji e re dhe misterioze, por shpejt u bë thelbësore për mënyrën tonë të jetesës. Sot, ne nuk mund ta imagjinojmë një botë pa energji elektrike. E nesërmja do të jetë e vështirë të imagjinohet pa inteligjencën artificiale dhe ju jeni në gjendje të formësoni të ardhmen me aftësitë që keni fituar në RIT Kosovo (A.U.K) dhe periudhën në të cilën jetoni tani.
Në jetë, koha nuk është vetëm e rëndësishme, është gjithçka. Mund të bëjë ose të prishë shanset tuaja për sukses. Por ndërsa përqendroheni në zhvillimin e aftësive tuaja dhe në hartimin e rrugës suaj përpara, mos harroni se nga keni ardhur. Një frazë që përdoret në Shtetet e Bashkuara është "lëre vendin një vend më të mirë se sa e gjete". Kjo shprehje thekson përgjegjësinë që çdo individ mban për të kontribuar në përmirësimin e përgjithshëm të shoqërisë. Ju inkurajoj të ndërmerrni veprime në aspekte të ndryshme të jetës sonë për të siguruar një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë.
Dhe ndërsa e bëni këtë, mos harroni të kaluarën - kjo është ajo që na bën ata që jemi, përcakton karakterin tonë dhe formëson vlerat tona. Rruga para jush është një rrugë me mundësi të jashtëzakonshme, një rrugë që është shtruar nga sakrificat dhe përkushtimi i atyre që erdhën para jush. Ndërsa nisni këtë udhëtim, mbani mend të nderoni trashëgiminë e tyre duke qenë mirënjohës për të tashmen dhe duke punuar në mënyrë aktive për të krijuar një të ardhme më të ndritshme dhe më me ndikim. Për klases e të diplomuarve të vitit 2023, nuk kam asnjë dyshim se do të ngriheni dhe do të na bëni të gjithëve krenar. Urime dhe e ardhmja juaj qoftë e mbushur me qëllim, pasion dhe ndikim. Faleminderit.
*Artikull i sponsorizuar - RIT Kosovo (A.U.K)