Plagjiatorët duhet t’i ndalim dhe t’i ndëshkojmë ne. E në negociata duhet rikujtuar ngjarje si këtë që e ka përshkruar Rade Radovanoviqi. Deliqi për punë si këto – vrasje civilësh dhe shehlerësh, është avancuar në gjeneral e tash edhe në nënkryetar Kuvendi. Pra, duhet treguar tash më shumë se kurrë se kush ishin dhe kush vazhdojnë të jenë viktimat e një shteti të udhëhequr nga njerëz që mund ta kenë ndërruar gëzofin, por jo edhe qenien e tyre. Nuk munden. Të tillë janë. Urrejtës dhe mohues
Të dielën e shkuar Prishtina e përjetoi njërën nga netët më madhështore muzikore që do të ketë përjetuar ndonjëherë. U shënua përmbyllja e Festivalit të Operës “Ramë Lahaj” me një koncert shumë të mirë të vetë Ramës me miqtë.
Ato thuajse dy orët në freskinë e përnjëhershme të Prishtinës, besoj do t’u kenë fluturuar shpejt po aq sa mua, atyre rreth 3 mijë vetave që kishin zënë ulëset në sheshin e rrethuar dhe me qindra të tjerëve që e përcillnin koncertin nga afërsia.
Bukur, njëmend. Atë natë Prishtina i ngjasoi bile për pak kohë një qendre kulturore, sado të vogël, që jo pak qytete do t’ia kishin lakminë.
* * *
Derisa zgjaste koncerti, situata në veri u hallakat. Ashtu siç është dashur të pritej, pas një sërë deklaratash patetike të zyrtarëve serbë për “shkeljen e të drejtave të serbëve” vetëm pse Qeveria e Kosovës po përpiqej ta impononte reciprocitetin me targa e letërnjoftime.
U ngritën barrikadat, aty ku ngrihen zakonisht, ia nisi fushata e dezinformimeve dhe dikur më në fund e gjitha u përmbyll me një mbledhje të shpejtë mes Kurtit, Osmanit dhe ambasadorit amerikan Hovenier prej nga doli sugjerimi që zbatimi i vendimit të shtyhej edhe për 30 ditë, ashtu që të ftoheshin gjakrat. Kurti pranoi me kushtin që të largoheshin barrikadat dhe kjo gjë ndodhi që të nesërmen.
Pavarësisht përkrahjes së zbatimit të reciprocitetit, megjithatë opozita u çua dhe e kritikoi Kurtin për mungesë koordinimi me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë, pasi ky vendosi ta shtynte vendimin. Por të nesërmen, të huajt i demantuan të gjithë, duke thënë se koordinimi ka ekzistuar dhe se vendimet e Qeverisë janë legjitime.
Mbase është hera e parë që dëgjojmë se vendimet e këtij lloji janë legjitime dhe pas shumë kohësh shohim se si Amerika qëndron fuqishëm pas, duke dhënë madje edhe orientimin nga duhet ecur. Dje, menjëherë pasi që Borrelli insistoi që të vazhdohej dialogu edhe për çështjen e Zajednicës së famshme, në një bashkëbisedim me gazetarë Gabriel Escobar tha: “Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj, duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”.
Nuk ka përshkrim më të saktë se ky për të treguar se sa e keqe është Marrëveshja “historike” e Thaçit me Daçiqin. Fakti se Kushtetuesja i ka shpallur kundërkushtetuese shumë nga pikat e marrëveshjes, me këtë veprim megjithatë nuk e ka shfuqizuar atë krejtësisht. Për pasojë, duhet zbatuar, për shkak se Kuvendi e ka ratifikuar atë si marrëveshje ndërkombëtare. Puna është si të zbatohet duke na bërë sa më pak dëm, për shkak se ai që e ka nënshkruar, do të doja të besoj, e ka bërë prej injorancës.
* * *
Injorancë, e cila burimin duket ta ketë në sistemin arsimor të cilin e “kultivojmë” prej vitesh.
Dje doli lajmi se Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka konstatuar se dekani dhe katër profesorë të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit kanë bërë plagjiaturë. Për cenim të të drejtave autoriale, dekani Musa Selimi, profesorët Bylbyl Sokoli, Ajvaz Berisha, Hazir Salihu dhe Afrim Koca janë dënuar nga ky këshill me mosmentorim të diplomave për një periudhë prej dy deri në tri vjet.
Ky i ashtuquajtur dënim pason pas të ashtuquajturit dënim të profesorëve Bujar Dugolli (ish-ministër), që është dënuar me mosmentorim të temave të diplomës në nivel master dhe doktoratë në dy vjetët e ardhshëm dhe Ardian Kastrati (njëherësh deputet i PDK-së) të cilit i është ndaluar mentorimi në të gjitha nivelet e studimit, për tri vjet.
Pra, për shtatë persona është vërtetuar se kanë vjedhur punime për t’u avancuar ose për t’i mbajtur thirrjet akademike dhe e vetmja gjë që i bie ndërmend Këshillit Etik është që të mos ua lejojë mentorimin e temave të diplomës. Mentorimi ose jo qenka shumë më i rëndësishëm, sesa përfshirja e tyre në proces edukativ, ku me shembullin e vet u tregojnë studentëve se e vetmja mënyrë se si mund të ecin para në jetë është nëse vjedhin.
Po të kishte njëmend etikë, këta njerëz do të duhej larguar nga procesi mësimor menjëherë dhe do të duhej ndaluar aktivitetin akademik përjetë.
* * *
Temat si kjo janë gjëra që na takojnë neve, përkatësisht i takojnë Kosovës që t’i zgjidhë. Dhe nuk ka nevojë të vijë askush nga jashtë të na tregojë si duhet, për shkak se këto telashe ne vete ia shkaktojmë dhe vetë duhet t’i zgjidhim.
Porse ka të tjera tema ku duhet ndihma ndërkombëtare. Nëse jo, atëherë gjithsesi vetëdijesimi i tyre dhe ndarja e shapit nga sheqeri.
Natën kur ndodhën barrikadat në veri, nga larg u dëgjua Richard Grenelli, pra njeriu i besimit i ish-presidentit Trump që u katapultua si njeri me shumë nam e fuqi që do ta zgjidhte problemin mes Kosovës dhe Serbisë. Një postim i tij në Twitter kishte këtë përmbajtje: “Përsëri, kryeministri i krahut radikal të majtë dhe fashist me përvojë, Albin Kurti, njëanshëm ndërmerr një veprim për t’i refuzuar targat dhe letërnjoftimet serbe në Kosovë. Marrëzi. Rrezik. Dhe e panevojshme. Përse Jake Sullivan dhe Blinken nuk i thonë t’i ndalë këto veprime fashiste?”
Fort m’u kujtua kjo porosi ditën kur mora vesh që Kuvendi i Serbisë e kishte zgjedhur, tash gjeneralin, Bozhidar Deliq, të lindur në Gjakovë, për njërin nënkryetar të Kuvendit të Serbisë. Pra, dikur kolonelin dhe komandantin e Brigadës së motorizuar 549 të Ushtrisë jugosllave, përgjegjëse për krime kundër civilëve në Kosovë.
Uroj që dikush i huaji ta lexojë atë që e ka shkruar Rade Radovanoviq në “Qeshja mbi trekëmbëshin e varjes” (KOHA, 2021, ribotim 2022) për Deliqin, e ndoshta dikush ia përcjell Grenellit që ky ta marrë vesh se çka është fashizmi dhe kush është fashist. E besa edhe BE-së.
“...Nuk u prit gjatë përgjigjja e forcave ushtarake-policore serbe. Koloneli Božidar Delić, komandant i Brigadës së motorizuar 549, që i mbulon trevat kufitare të Kosovës në drejtim të Shqipërisë, me kënaqësi e mori urdhrin nga Nebojša Pavković, komandant i Korpusit të Prishtinës, që me përdorimin e të gjitha mjeteve ta zhbllokojë dhe ta çlirojë Rahovecin... Forca të mëdha policore dhe njësitë e motorizuara të UJ-së, më 18 korrik organizojnë kundërsulm nga drejtimi i Prizrenit. Gjithë ditën, nga pozicionet jashtë qytetit, zgjat granatimi joselektiv i Rahovecit...
Civilët shqiptarë njëherë strehohen nëpër bodrume dhe kur e shohin se në qytet hyjnë formacionet e këmbësorisë, përpiqen që në grupe apo kolona të largohen nga Rahoveci... Disa shkojnë nga Malisheva, të tjerët nga Bellacërka (Fortesa), ku UÇK-ja e ka vendosur linjën e mbrojtjes nga sulmi i forcave serbe... Tanket dhe pragat lehtë i thyejnë barrikadat e vendosura në formë amatoreske... UÇK-ja lufton dhe kthen zjarrin, porse detyrohet të tërhiqet para armikut shumëfish më të numërt dhe më të fuqishëm. Në qytet hyjnë formacionet ushtarake dhe të NJSP-së, si dhe turli vullnetari... NJSA - Njësitë Speciale Antiterroriste (SAJ), GVS - Garda Vullnetare Serbe (SDG) dhe kushedi edhe cilët paramilitarë të tjerë të maskuar apo të lyer... Bëjnë kërkime nga mëhalla në mëhallë, bastisin shtëpi e banesa, plaçkitin dhe vrasin, dhe në fund - djegin… Në raste të caktuara policia shtie ndaj masës së civilëve, të cilët të tollovitur ikin nga qyteti. Grupet që ia dalin ndeshen me formacione të ndryshme jashtë qytetit… që shtien në ta, i plaçkitin dhe i kthejnë në vullkanin prej nga kanë ikur…
Derisa iknin nga mëhalla Gardin, ku kryesisht jetojnë serbët, u vranë Myzaqete Haxhiymeri dhe Ryvije Mullaabazi, kurse u plagosën Agëzim Haxhiymeri, Edan Umanhaxhiu dhe Lulzim Haxhiymeri, i biri i Myzaqetes… Avdullah Haxhiymeri, bashkëshorti i Myzaqetes, e varrosi gruan në vendin ku ishte vrarë vetëm pas dhjetë ditësh … Nga Varret e Shtavicës, ku ishin stacionuar tanket, u granatua kolona e refugjatëve që shtrihej nga Rrasat e Rahovecit deri te fshati Astrazup (Ostrozub), drejt Malishevës… Kishte të vrarë e të plagosur… Disa grupe më të mëdha të civilëve shqiptarë u përpoqën të dilnin nga qyteti ku shtihej e vdisej e të depërtonin drejt Bllatës, periferisë nëpërmjet së cilës mbërrihet deri në fshatin Bellacërkë... Paraprakisht, aty ushtria i kishte thyer barrikadat, kurse policia i zuri pozicionet... "Policia shtiu ndaj nesh nga kodrat…", kujton Lumturie Abazibra… "Kur u përpoqëm t'i kalonim vreshtat, fillimisht më plagosën mua dhe vjehrrin tim, Ramadanin, i cili së shpejti vdiq… e bija e tij, Magbulja u përpoq ta ndihmonte, porse atë e qëlluan në kokë. Menjëherë vdiq... Edhe vjehrra ime Fatimja u plagos në të dy duart… Me dhjetëra njerëz ishin shtrirë përtokë, derisa plumbat iu fluturonin mbi kokë. Pas një kohe iu afruan policët… Shtinin teksa iu afroheshin... dhe e vranë Emsale Shalën e re… Më pas i plaçkitën dhe u lejuan të gjallëve të shkonin tutje…”
Në qendër të Rahovecit, pranë shatërvanit, gjendet teqeja, tempulli i rendit të dervishëve. Pas tri ditësh konflikti, duke ikur nga policia dhe vullnetarët që i bastisin dhe i djegin shtëpitë, oborri i teqesë është shumë i ngushtë për t'i strehuar të gjithë... Njerëzit dalin në rrugë... Formohet kolona e disa qindra qytetarësh, që ngadalë lëviz drejt Xhamisë Kadiri... Para xhamisë dy autoblinda... Polici mbi autoblindën e parë me dorë u bën shenjë njerëzve që të vazhdojnë të ecin... Kolona ndahet në dy dej... Nga autoblinda e dytë hapet kapaku... Shfaqet një polic... E kap mitralozin nga kulmi dhe e zbraz një rafal ndaj njerëzve në kolonë... Piskama, paniku, kaosi... Vriten Teki Shehu, Nahit Shehu, Xhevdet Jupa...”
* * *
Plagjiatorët duhet t’i ndalim dhe t’i ndëshkojmë ne. E në negociata duhet rikujtuar ngjarje si këtë që e ka përshkruar Rade. Deliqi për punë si këto – vrasje civilësh dhe shehlerësh, është avancuar në gjeneral e tash edhe në nënkryetar Kuvendi.
Pra, duhet treguar tash më shumë se kurrë se kush ishin dhe kush vazhdojnë të jenë viktimat e një shteti të udhëhequr nga njerëz që mund ta kenë ndërruar gëzofin, por jo edhe qenien e tyre. Nuk munden. Të tillë janë. Urrejtës dhe mohues.