OpEd

Mes legjitimitetit dhe izolimit: pasojat e boshllëkut institucional

Për të shmangur krizën e jashtme dhe të brendshme, Kosovës i nevojitet një qeveri e cila do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Pra, ky është një test për të gjitha partitë politike se a është angazhimi i tyre për avancimin e interesave të Kosovës apo për avancimin e interesave të ngushta partiake. Proceset në të cilat duhet të marrë pjesë Kosova nuk presin. Në rast të mosformimit të qeverisë së re, Kosova do të mbetet jashtë proceseve të rëndësisë jetike për vendin dhe mund të gjendemi para zgjidhjeve të cilat do të jenë më të disfavorshme sesa ato që i kemi pasur deri më tani

Në intervistën e saj për Radion Evropa e Lirë, shefja e politikës së jashtme dhe e sigurisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, paralajmëroi një qasje të re për shtytjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ajo tha se dialogu është në ngërç dhe se ajo së bashku me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi po shqyrtojnë edhe mjete të tjera për të arritur normalizimin, përveç dialogut. Se cilat do të jenë instrumentet e tjera që do t’i përdorë Bashkimi Evropian drejt normalizimit të këtyre marrëdhënieve mbetet të shihet. Ajo që është me rëndësi, është se Kaja Kallas tha se synimi është normalizimi i marrëdhënieve dhe se përveç dialogut ekzistojnë edhe mjete të tjera përmes të cilave mund të arrihet ky synim.

Kaja Kallas i shprehu këto pikëpamje pak pas vizitës së Peter Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd dhe pak para vizitës së saj në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi, që pritet të ndodhë këto ditë. Ajo ka paralajmëruar edhe një vizitë në Serbi në maj, por nuk ka ndonjë paralajmërim për të vizituar edhe Kosovën. Ky mosparalajmërim i vizitës në Kosovë lidhet me mosformimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sigurisht se Kosova nuk ka interes të humbasë në një turne të tillë të shefes së re të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian për shkak të mosformimit të qeverisë. Kjo më tej e shton rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë, e cila do të marrë përsipër mandatin nga Kuvendi i Kosovës, ndër të tjera, edhe për të shtyrë përpara agjendën evropiane të Kosovës. Në këtë aspekt nëse qeveria nuk formohet sipas afateve të parapara në kushtetutë, Kosova nuk do ta ketë adresën e vet, kurse vonesat e mëtejme për formimin e qeverisë do t’i shkaktojnë Kosovës dëme të shumanshme.

Prandaj është me rëndësi që më 15 prill të konstituohet kuvendi, me zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së tij, kurse Lëvizja Vetvendosje, e cila ka dalë e para në zgjedhjet e fundit të provojë formimin e qeverisë së re. Vonesat e shkaktuara deri më tani kanë qenë një lojë taktike e LVV-së për të blerë kohë të mjaftueshme për të mbledhur votat e nevojshme për t a votuar qeverinë e re. Vonesat e mëtejme janë të pajustifikueshme, sepse Kosova nuk e ka luksin që të humbasë më kohë për shkak se të gjitha proceset janë të stopuara deri në formimin e qeverisë së re. Prandaj, nëse LVV nuk arrin të mbledhë votat e mjaftueshme, pra 61 sosh për të votuar qeverinë e udhëhequr nga ajo, duhet t’ua lëshojë rrugën partive opozitare, të cilat po ashtu duhet lënë anash interesat e ngushta partiake dhe të dakordohen për një qeveri të re, natyrisht, nëse LVV-ja dështon të formojë një shumicë parlamentare në mbështetje të qeverisë së saj.

Zvarritjet e mëtejmë me synimin që Kosova të shkojë edhe një herë në zgjedhje paraqesin rrezik të krizës institucionale dhe izolimin e mëtejmë të Kosovës. Vetë mosparalajmërimi i vizitës së Kallas në Kosovë është sinjal i izolimit. Nëse LVV-ja ngulmon, ose qeveri të saj ose s’ka qeveri fare dhe shkojmë në zgjedhje të reja, siç e tha para do ditësh zëvendësministri i Drejtësisë, kjo do ta shtyjë Kosovën në një krizë të thellë politike e institucionale. Partitë opozitare, që tani për tani formojnë një shumicë të fragmentuar parlamentare, duhet t’i kundërvihen kësaj logjike duke formuar një bllok i cili do të jetë në gjendje të veprojë si një shumicë parlamentare e bashkuar dhe me mbështetjen e partive nga komunitetet joshumicë, në rast se LVV-ja nuk arrin ta formojë një shumicë që do ta votonte qeverinë e udhëhequr nga ajo.

Kushtetuta e Kosovës është mjaft e qartë për sa i takon mënyrës së zgjedhjes së qeverisë dhe nuk lejon zvarritje të procesit. Presidentja e Kosovës, pa humbur kohë, duhet të nominojë mandatarin për formimin e qeverisë, i cili ka afat prej 15 ditësh për t’ia paraqitur Kuvendit përbërjen e kabinetit të tij dhe të kërkojë votimin e qeverisë. Supozoj se mandatari i parë do të jetë kryetari i LVV-së, Albin Kurti. Nëse ky propozim nga mandatari i parë nuk e arrin shumicën parlamentare, atëherë presidentja e Kosovës emëron mandatarin tjetër brenda 10 ditësh, i cili ia paraqet Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë votimin e saj. Supozoj po ashtu se mandatari i dytë do të jetë përfaqësuesi i opozitës aktuale për të cilin do të dakordohen PDK, LDK dhe AAK-NISMA. Nëse as ky propozim nuk e merr shumicën e nevojshme prej 61 votash, atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat mbahen brenda 40 ditëve nga shpallja e tyre.

Ky është pra skenari i vetëm në të cilin duhet të formohet qeveria e re: varianti i parë është një qeveri e udhëhequr nga LVV-ja, varianti i dytë një qeveri e përbërë nga partitë opozitare dhe varianti i tretë janë zgjedhjet e reja, nëse dy variantet e para dështojnë. Zgjedhjet e reja janë opsioni më i keq i mundshëm, sepse në atë rast zgjedhjet do të duhej të mbaheshin diku në fund të qershorit, rezultatet do të dalin diku nga mesi i gushtit, kurse konstituimi i Kuvendit nuk do të mund të bëhet para shtatorit. Formimi i qeverisë së re do të bëhej diku në tetor ose nëntor. Kjo do të thoshte se Kosova do të mbetej pa qeveri legjitime edhe për së paku nja 6 muaj të tjerë. Kjo do të ishte shkatërruese për vendin, sepse pa një qeveri legjitime Kosova do të mbetej jashtë të gjitha proceseve integruese, kurse në planin e brendshëm do të kishim një krizë institucionale dhe krizë legjitimiteti.

Për të shmangur krizën e jashtme dhe të brendshme, Kosovës i nevojitet një qeveri e cila do të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Pra, ky është një test për të gjitha partitë politike se a është angazhimi i tyre për avancimin e interesave të Kosovës apo për avancimin e interesave të ngushta partiake. Proceset në të cilat duhet të marrë pjesë Kosova nuk presin. Në rast të mosformimit të qeverisë së re, Kosova do të mbetet jashtë proceseve të rëndësisë jetike për vendin dhe mund të gjendemi para zgjidhjeve të cilat do të jenë më të disfavorshme sesa ato që i kemi pasur deri më tani.