OpEd

Merkeli ka edhe dështime të mëdha në Ballkanin Perëndimor

Gjermania, në mandatin e kancelares Merkel, ka luajtur rolin kryesor në parandalimin e planeve të rrezikshme, siç ishte ai për ndarjen e Kosovës dhe vizatimin e kufijve të ri në Ballkan. Por Gjermania nuk ka bërë gjithë atë që është në mundësinë e saj për zgjidhjen e problemeve kryesore, si njohja e Kosovës nga Serbia, liberalizimi i vizave, nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fuqia e kancelares Merkel në BE ka qenë shumë e madhe dhe pakkush mund të besojë se Bullgaria do të mund ta bllokojë nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Gjermania, nën udhëheqjen e kancelares Merkel, nuk ka qenë e sinqertë në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vetëm pak javë para se të shkojë në pensionin e saj politik, do të vizitojë dy kryeqytete në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Beogradin dhe Tiranën. Në Tiranë, pos me nikoqirin Edi Rama, do të takohet edhe me liderët e vendeve tjera të rajonit, të cilat nuk do t’i vizitojë gjatë turneut të saj lamtumirës në këtë rajon, ku angazhimi i saj ka pasur një ndikim të madh.

Zgjedhja e Beogradit dhe Tiranës mund të ketë motive të ndryshme. Tashmë kanë nisur edhe teoritë se përse i ka zgjedhur pikërisht këto dy shtete. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me makinerinë mediatike që ka pas vetes, natyrisht se e shfrytëzon këtë vizitë për të lartësuar rëndësinë e tij dhe të Serbisë në Evropë, sidomos në Gjermani. Dhe për më tepër, të hedhë poshtë se ai ka aleanca vetëm me liderë si presidentët e Rusisë, Kinës dhe Turqisë, por edhe me liderët kryesorë perëndimorë. Pra, vizitën e kancelares Merkel në Beograd, tashmë e ka vlerësuar si një nder që ajo i bën atij personalisht dhe Serbisë.

Nuk ka dyshim se Aleksandar Vuçiq ka përfituar shumë nga kancelarja Merkel. Duke i besuar se ai “mund të zgjidhë përfundimisht konfliktin me Kosovën” dhe ta mbajë Serbinë gjithmonë “të ankoruar drejt BE-së”, Merkeli dhe partia e saj CDU, ia kanë hapur dyert Vuçiqit dhe partisë së tij në Evropë, duke e bërë edhe anëtare të asociuar në Partinë Popullore Evropiane EPP. Pikërisht politikanët gjermanë kanë luajtur rolin kryesor që të heshten ata që rikujtonin të kaluarën me episode fashiste të partisë së Vuçiqit. Me shumë sukses, Vuçiq ka mundur ta paraqesë veten edhe si njeri “i Merkelit” në Ballkan.

Merkeli gjithmonë ka folur hapur për vlerat për të cilat angazhohet, por nuk ka hezituar asnjëherë të ketë raporte të mira edhe me liderë autoritarë nga vendet e tjera, edhe pse me ta ka pasur dallime në qëndrime, nga Putini e Erdogani e deri te Vuçiqi.

Gjërat kanë nisur të ndryshojnë kur Vuçiqi ka përshpejtuar planet për ndarjen e Kosovës, përmes idesë për shkëmbim territoresh, për çka flitet në qarqet diplomatike se ka pasur gatishmërinë edhe të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe një lloj pajtimi, çfarëdo qoftë, edhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Por Merkelit me këtë rast duket më shumë i ka mbetur hatri me Hashim Thaçin e Edi Ramën sesa me Vuçiqin. Prej atëherë është vërejtur një “ftohje” e kancelares gjermane dhe ka munguar qartë mbështetja për Shqipërinë për nisjen e negociatave të anëtarësimit.

Vizita e tashme në Beograd mund të ketë edhe arsye të cilat jo medoemos mund të jenë të mira për Aleksandar Vuçiqin. Si politikane me përvojë dhe e cila ka edhe të dhëna nga strukturat diplomatike, dhe jo vetëm diplomatike, gjermane dhe të vendeve aleate, Merkel ka mundur në fund të mandatit ta kuptojë se nga Serbia po punohet në destabilizimin e së paku tri shteteve fqinje. Vuçiq, i cili në njërën anë flet për “paqe, bashkëpunim rajonal dhe integrime evropiane”, njerëzit e tij në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë punojnë në shkatërrimin e këtyre shteteve. Kosovën nuk e trajtojnë fare si shtet, ndërsa Bosnjë-Hercegovinën dhe Mali e Zi vetëm si shtete të përkohshme.

Kjo vizitë mund të jetë edhe rast që Merkel t’ia bëjë me dije Vuçiqit se ajo e di se çfarë po ndodh. Dhe se vërtet Serbia, me kapacitetin e saj destruktiv që ka, me kontrollin e komunitetit serb në shtetet fqinje dhe Kishën Ortodokse, e ka çelësin e stabilitetit të rajonit. Për shkak të besimit që ka pasur ndaj Vuçiqit dhe mbështetjes që i ka dhënë atij, Merkeli mund ta kuptojë në të ardhmen këtë edhe si mëkat të saj në Ballkan, varësisht se si do të zhvillohen gjërat në të ardhmen. Edhe sa i përket Kosovës, Merkel vërtet ka thënë se ajo është e pavarur dhe nuk ka kthim prapa.

Zgjidhja e Tiranës ka disa arsye të tjera. E para është se edhe në Gjermani e kuptojnë se ndaj këtij shteti anëtar të NATO-s nuk janë sjellë në mënyrë të duhur. Nuk kanë bërë sa duhet që të nisin negociatat e anëtarësimit. Dhe, nëse e viziton Serbinë, një zgjidhje e mirë është Shqipëria, nëse nuk mund të vizitohen të gjitha shtetet. Në Shqipëri nga ana tjetër, nuk kanë problem të vijnë asnjëri nga liderët e vendeve të tjera të rajonit. Madje kohëve të fundit, Shqipëria duket të jetë shteti me të cilin Serbia i ka raportet më të mira në rajon. Me kureshtje do të shihet edhe qëndrimi i kancelares gjermane rreth idesë së “Ballkanit të hapur” të Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës. Këta dy tashmë i kanë mbledhur komentet nga vendet e ndryshme të rajonit rreth kësaj nisme. Mbase, siç ka thënë Vuçiq, në një intervistë televizive, i kanë raportuar njëri-tjetrit edhe se si po komentohet në mediat në gjuhën që secili prej tyre e kupton dhe ia ka përcjellë tjetrit.

Duket se nuk kanë pasur ndonjë vlerësim të madh për këto komente nëse është e vërtetë ajo që ka thënë Vuçiqi se ai dhe Rama “gjysmë ore kanë qeshur në telefon me komentet”.

BE-ja dhe Gjermania nuk kanë dalë me një qëndrim të qartë dhe të prerë për “Open Balkan”. Sepse në parim nuk mund të jenë kundër asnjë nisme që rrit bashkëpunimin rajonal. Por, nuk janë të lumtur aspak me këtë nismë të cilën e shohin si duplifikim të proceseve tashmë ekzistuese, përfshirë edhe “Procesin e Berlinit”, një prej “foshnjave” të vetë Merkelit. Dhe për Kosovën “Procesi i Berlinit” ka qenë e vetmja nismë ku ajo është trajtuar si shtet në mënyrë të barabartë dhe ka marrë pjesë me simbole shtetërore, pa fusnota dhe asteriksa.

Edhe pse është në largim, ajo që do të thotë Merkel në këtë vizitë do të ketë ndikim. Sepse politika e Gjermanisë gjithmonë ka kontinuitet. Kushdo që të fitojë në zgjedhjet në Gjermani, politika në rajon nuk do të ndryshojë. Por, roli i Gjermanisë, ndonëse i madh, nuk do të sjellë ndonjë ndryshim, sepse politika e jashtme gjermane e ka hezitimin si karakteristikë të shpeshtë. Se sa ka ambicie Gjermania për të zgjidhur, për shembull, shpejt problemin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dëshmon mbështetja që ky shtet i ka dhënë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, për të ndërmjetësuar dialogun, pa ndonjë vizion të qartë dhe me kthim të procesit në një status quo. Pra, edhe me Lajçakun në detyrë tash e një vit e gjysmë, temat që diskutohen janë tabelat e veturave, vulat në certifikata fito-sanitare, përbërja e paneleve në Gjykata dhe faturat e rrymës, e jo njohja e ndërsjellë mes dy shteteve, siç pritej.

Me largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja, Gjermania dhe Franca kanë humbur një aleat nga “Quinti” sa i përket Ballkanit dhe prandaj BE-ja sot është shumë më e pafuqishme në rajon sesa që ishte më herët. Sidomos tash kur rolin kryesor në BE rreth rajonit të Ballkanit e kanë politikanët nga vendet që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës. Prandaj edhe nuk mund të pritet ndonjë aktivitet, i cili do ta ndryshonte status quon në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në një të ardhme të afërt.

Merkeli ka pasur edhe dështime në rajon. Për shembull në procesin e zgjerimit dhe liberalizimin e vizave me Kosovën. Mbështetja e shprehur nga politikanët gjermanë në takime me kolegët kosovarë apo edhe në publik, nuk janë reflektuar shumë në angazhimin e Gjermanisë në Bruksel për të siguruar liberalizimin e vizave.

Gjermania, në mandatin e kancelares Merkel, ka luajtur rolin kryesor në parandalimin e planeve të rrezikshme siç ishte ai për ndarjen e Kosovës dhe vizatimin e kufijve të rinj në Ballkan. Por, Gjermania nuk ka bërë gjithë atë që është në mundësinë e saj për zgjidhjen e problemeve kryesore, si njohja e Kosovës nga Serbia, liberalizimi i vizave, nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Fuqia e kancelares Merkel në BE ka qenë shumë e madhe dhe pakkush mund të besojë se Bullgaria do të mund ta bllokojë nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Gjermania, nën udhëheqjen e kancelares Merkel, nuk ka qenë e sinqertë në mbështetje të procesit të zgjerimit të BE-së. Sepse në këtë shtet mbi 65 për qind e qytetarëve janë kundër zgjerimit të BE-së dhe këtë politikanët e marrin parasysh. Por, për shkak se janë shumë të vetëdijshëm për rolin që integrimi në BE ka për të stabilizuar Ballkanin, Gjermania nuk e ka kundërshtuar këtë proces. Këtë e kanë bërë Holanda dhe Franca dhe nuk kemi vërejtur ndonjë kritikë ndaj tyre nga Berlini. Me largimin e kancelares Merkel as kjo nuk do të ndryshojë. Entuziazëm për zgjerim nuk do të ketë në Berlin, por procesi do të vazhdojë. Gjithsesi roli i Gjermanisë në rajon do të jetë i domosdoshëm, edhe nëse nuk do të mund të sigurojë zgjidhjen e problemeve, së paku për të parandaluar shpërthimin e konflikteve, diçka që më nuk është e pamundur nëse shikohen skenat nga Mali i Zi para disa ditësh.