OpEd

Meritokracia në Kosovë: vetëm në letër

Mosrespektimi i meritës dhe profesionalizmit të kandidatëve në bazë të kompetencës dhe aftësive të tyre nga rasti më lart, rrezikon që të krijojë një ambient ku favorizimi dhe mbrojtja e interesave personale shtrihen mbi detyrën dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve, por edhe vet interesit të përgjithshëm.... Meritokracia duhet të vendoset përmes zbatimit të rregullave dhe procedurave ligjore në praktikë, në të kundërtën mbetet rregullim dhe synim vetëm në letër!

Meritokracia në sektorin publik përcaktohet nga një standard i lartë dhe një kërkesë që aplikohet për të punësuarit. Rregullimi ligjor dhe zbatimi i tij në praktikë, i bazuar në parimin e meritokracisë, supozohet se siguron që nëpunësit publikë të jenë profesionistë me integritet, të cilët janë të gatshëm të ushtrojnë detyrat e tyre në përputhje me ligjin, si dhe të ruajnë dhe t’i shërbejnë interesit publik.

Kjo qasje jo vetëm që siguron profesionalizëm brenda sektorit publik, por gjithashtu e forcon besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike, si dhe përgjegjshmërinë e institucioneve ndaj qytetarëve. Po ashtu, kontribuon në mbajtjen e standardeve të larta të ofrimit të shërbimeve dhe në zbatimin e ligjit, pasi që shërbyesit publikë duhet të rekrutohen bazuar në kompetencën e tyre të provuar dhe në  angazhimin e tyre në shërbim të publikut. 

Megjithatë, menaxhimi i burimeve njerëzore dhe shërbimi publik në Kosovë është duke u përballur me shumë sfida dhe probleme të ndryshme, si në aspektin e rregullimit ligjor, por edhe atij praktik.

Numri i lartë i ushtruesve të detyrës në pozita të larta drejtuese, përmbajtja e gabuar e konkurseve, si dhe zhvillimi i procedurave duke shmangur parimet kryesore të rekrutimit në shërbimin publik janë vetëm disa nga problemet kryesore, të cilat e cenojnë rëndë parimin e meritokracisë në rekrutimin publik. 

Një rast i cili e pasqyron atë që u tha më lartë është procesi aktual i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), për të cilin Corrwatch ka ngritur shqetësime serioze për shkelje të ligjit, e rrjedhimisht shkelje direkte të parimeve, si meritokracia dhe profesionalizmi.

Më konkretisht, Iniciativa CorrWatch, e themeluar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, si Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), përgjatë monitorimit të këtij procesi ka evidentuar shkelje direkte në fazën e verifikimit paraprak të këtij procesi rekrutues. Kjo fazë mbetet qenësore për sigurimin e një procesi të drejtë të vlerësimit, përmes të cilës verifikohet nëse kandidatët i plotësojnë kriteret ligjore, sipas shpalljes së konkursit.

Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak, CorrWatch ka evidentuar shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publik, dhe për këtë ka reaguar edhe publikisht. Bazuar në kornizën ligjore në fuqi, për pozitat e larta drejtuese kërkohen 8 vjet përvojë pune profesionale dhe 5 vjet përvojë pune menaxheriale. Mirëpo, në procesin në fjalë, AAC-ja ka përfshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk kanë plotësuar kriteret të cilat janë të përcaktuara me këtë ligj, me theks të veçantë në kërkesat ligjore lidhur me përvojën e punës menaxheriale që kërkohet për pozita të tilla të nivelit të lartë.

Nga lista e publikuar nga AAC-ja, janë listuar 7 kandidatë, por CorrWatch ka vlerësuar se vetëm 4 prej tyre e plotësojnë kriteret ligjore. Pavarësisht nga këto gjetje, AAC-ja ka vazhduar me procesin e rekrutimit pa marrë parasysh rekomandimet e CorrWatch që lista e ngushtë e publikuar nuk është valide dhe duhet rishqyrtuar, në mënyrë që të sigurohet një proces i rregullt dhe në pajtim me kriteret dhe procedurat ligjore. Për më tepër, lista e kandidatëve fitues përbëhet nga po këta 3 kandidatë të cilët nuk kanë përmbushur kriteret.

Ky rast është një dëshmi e qartë se pa respektim të ligjit nuk ka meritokraci, gjë që i bën proceset rekrutuese në pozitat e larta drejtuese të kompromentuara. Shkeljet e identifikuara në procesin e rekrutimit të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së tregojnë se mosrespektimi i meritokracisë mund të çojë në  nepotizëm dhe favorizim, duke dëmtuar integritetin e shërbimit publik dhe duke e minuar përgjegjshmërinë dhe transparencën që janë thelbësore për qeverisjen e mirë.

Kjo situatë e krijuar është një precedent i keq dhe paraqet sfidë serioze për institucionet e vendit.
Institucionet publike kanë një rol të rëndësishëm në sigurimin e një shërbimi që i plotëson në mënyrën më të mirë interesat e qytetarëve, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes proceseve të drejta dhe të rregullta të rekrutimit. Mosrespektimi i meritës dhe profesionalizmit të kandidatëve në bazë të kompetencës dhe aftësive të tyre nga rasti më lartë, rrezikon që të krijojë një ambient ku favorizimi dhe mbrojtja e interesave personale shtrihen mbi detyrën dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve por edhe vet interesit të përgjithshëm.

Në fund, meritokracia duhet të vendoset përmes zbatimit të rregullave dhe procedurave ligjore në praktikë, në të kundërtën mbetet rregullim dhe synim vetëm në letër!

(Ky publikim është pjesë e nismës “Mbështetje për shoqërinë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe llogaridhënien e institucioneve publike të Kosovës” që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), INDEP dhe Instituti GAP. Mendimet e shprehura janë të autorit dhe jo domosdo përfaqësojnë qëndrimet e donatorit dhe organizatave zbatuese).