OpEd

Mercenarët serbë në shërbim të Rusisë

Dejan Beriq lufton prej vitesh në anën e separatistëve prorusë në Ukrainë. Nacionalistët në Beograd e lartësojnë atë si hero. Beriq nuk është rast i izoluar. Drejtësia serbe deri më tani ka dënuar rreth 30 veta për shkak të pjesëmarrjes në luftë në Ukrainë.

“Një dezinformatë e rrezikshme e Ukrainës”. “Një gënjeshtër”. Me këto fjalë ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq, përgënjeshtroi lajmet se mercenarët serbë janë duke luftuar në radhët e trupave proruse në Ukrainën Lindore. Stefanoviq deklaroi kështu para një viti, pasi Rusia sulmoi Ukrainën. Ndërkohë, Stefanoviq nuk është më në detyrë, sepse me sa duket, ka intriguar kundër kryetarit të gjithëpushtetshëm, Aleksandar Vuçiq. Në mediat serbe dhe perëndimore bëhet fjalë për 1500 telefonata të përgjuara të Vuçiqit.

Javën që shkoi drejtësia serbe konfirmoi se afër qytezës së Rumës në veriperëndim të vendit ishte bastisur një shtëpi. Ajo u takon prindërve të Dejan Beriqit, mercenarit, mbase më famëkeq serb në shërbim të Rusisë. Kundër këtij snajperisti, i cili supozohet të jetë 48-vjeçar, është duke u zhvilluar një procedurë hetimore për shkak të pjesëmarrjes në agresionin rus kundër Ukrainës. Aksioni policor u zhvillua pasi Beriq nga mesi i dhjetorit postoi në kanalin e tij në Youtube një video me informata se si vullnetarët serbë mund t’u bashkëngjiten forcave ruse në Ukrainë.

Në Youtube snajperisti serb ndiqet prej 100.000 profileve, në Telegram prej 70 mijë. Në këto kanale Beriqi e prezanton veten si luftëtar të patrembur dhe legjendar, i cili gjoja fiton çdo duel. Njëherë madje ai është lavdëruar se ka vrarë amerikanë. Njëkohësisht, ai tregohet i përzemërt ndaj fëmijëve dhe qenve dhe sillet si adhurues i ikonave të kishës ortodokse. Në një video tjetër të publikuar po ashtu nga Beriq, shtetas me gjasë serbë raportojnë mbi luftimet e tyre për ushtrinë ruse. Videoja thuhet se është regjistruar në një kamp trajnimi. “Ejani në Moskë, këtu ju pres unë ose dikush nga shërbimi sekret”, thotë Beriq.

Në Serbi, Beriqi, i cili bëri një karrierë prej zejtari në snajperist, një kohë të gjatë ka qenë yll medial. Ai nuk përtonte të japë intervista, të potencojë vëllazërinë ruso-serbe, të tallet me Perëndimin kinse të pakulturë dhe të raportojë mbi “veprat heroike” gjatë betejës në Sllovjansk më 2014. Më vonë Beriq u shfaq si “reporter lufte” dhe “gazetar” – për shembull në një konferencë për shtyp të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova.

Deri më tani, Serbia ka refuzuar të përmendë një shifër të saktë të mercenarëve dhe vullnetarëve serbë që janë duke përkrahur pushtuesit rusë në Ukrainë. Ambasada ukrainase në Beograd që më 2019 pati njoftuar se pas pushtimit të Krimesë nga Rusia, së paku 300 shtetas serbë kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës. Këto të dhëna është e pamundur të verifikohen në mënyrë të pavarur. Sipas autoriteteve të Beogradit, deri më tani janë shpallur mbi 30 aktgjykime kundër serbëve të angazhuar në anën ruse në Ukrainë. Shumica prej tyre kanë shpëtuar me dënime të lehta. Së fundi për shembull një i dënuar u lirua pasi dënimi njëvjeçar me burg u shndërrua në dënim me kusht.

Snajperisti Dejan Beriq vështirë se do të kthehet së shpejti në atdheun e tij, ku sipas ligjeve serbe mund të dënohet deri me 5 vjet burg. Në qarqet nacionaliste ai ende lartësohet si hero. Beriq thuhet se ka marrë pjesë në luftërat pushtuese serbe në Bosnjë dhe Kosovë. Në demonstratat proruse në kryeqytetin serb fanatikët serbomëdhenj bartin flamuj me portretin e tij.

Së fundi dega në Serbi e televizionit rus të rrenave Russia Today emitoi një video të trupës mercenare Vagner. Aty shiheshin me gjasë vullnetarë serbë duke ushtruar për luftë kundër Ukrainës. Kjo iu duk e tepërt edhe presidentit Vuçiq i cili luhatet prej vitesh mes Rusisë dhe Perëndimit. “Aspak fer” – kështu e quajti Vuçiqi apelin e grupit Vagner për të rekrutuar serbë. Urdhërdhënësit e kësaj trupe paramilitare të Rusisë, sipas Vuçiqit, e dinë saktë se apelet e tilla shkelin ligjet serbe. Kryetari serb përkujtoi se Beogradi, për dallim nga shtetet perëndimore dhe shumica e vendeve fqinje, nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

“Pse po ia bëni këtë Serbisë? Vendi ynë po vuan për shkak se ne nuk kemi ndaluar Çajkovskin, Dostojevskin dhe Tolstoin”, me këtë nënton teatral Vuçiq iu drejtua grupit Vagner. Natyrisht asnjë shtet i BE-së nuk i ka ndaluar klasikët rusë, këtë e di edhe Vuçiqi. Por ai dikur ka qenë ministër i propagandës i sundimtarit Sllobodan Millosheviq – dhe shpesh kthehet në modusin e propagandës.