OpEd

Mentalitet arkaik

Kur e lexon Kushtetutën e Kosovës e sheh se ajo ta garanton barazinë. Dhe po, ta garanton, porse nuk ta siguron. Nuk ka mekanizëm universal që e respekton barazinë mes gjinive në Kosovë dhe kjo barazi është viktimë e mentalitetit patriarkal që ende sundon në pjesën më të madhe të Kosovës. Sundon edhe në politikë e edhe në ekonomi. Sundon gjithkund. Porse, për dallim nga e kaluara, zëri i atyre që e kundërshtojnë këtë dhunë tash është më i fuqishëm

Pas shumë vjetësh rryma sërish na u bë temë kryesore e diskutimit. Vështirë do të besohej se duke qenë prodhues i rrymës do të binim në pikën në të cilën do të kishte reduktime sërish, sikur që kishim para dy dekadash. Dhe përderisa na thuhet se reduktimet do të jenë dyorëshe në ditë, ato megjithatë mbërrijnë të kalojnë me dhjetëra orë e që për këtë të mos ketë arsyetim tjetër pos që “kosovarët harxhojnë shumë rrymë”.

Gjendja aktuale dëshmoi se janë humbur 20 vjet në menaxhim të keq dhe pa vizion të çështjes së prodhimit të energjisë. Se u bë një gabim shumë i madh kur shpërndarja u shit për pak para te turqit, të cilët kanë nxjerrë miliona fitime në këta dhjetë vjetët e fundit. Se milionat që na kanë shkuar nëpër strategji të ndryshme, shkuan nëpër xhepa të huaj e ne mbetëm me dinozaurët, të cilët arnohen kohë pas kohe.

Kriza me rrymën na ndodh në kohën kur ka krizë energjetike edhe në Evropë, e cila po reflektohet me çmimin lëvizës për megavat orë, vlera e të cilit i ka kaluar 300 euro. Po të kishim prodhuar më shumë tash do ta kishim shansin për ta fituar dhjetëfishin e vlerës së një megavat ore energjie. Mbase këto para më pas do të mund të ktheheshin pas në investime për përmirësimin e kapaciteteve të prodhimit.

Sido që të jetë, kapaciteti prodhues i termocentraleve tona thuhet të jetë në 1000 megavate orë. Thuhet gjithashtu që po shpenzojmë më shumë seç kemi shpenzuar para luftës, kur kapaciteti i prodhimit ka qenë përafërsisht i njëjti. Nuk e di nëse kjo është kështu ose jo – ende i kam dilemat e mia. Popullatë ka më pak e shpenzues të mëdhenj gjithashtu më pak. Mbase amvisëritë, që janë shtuar me qindra mijëra, janë shkaktarët e kolapsit, sepse për shkak të shpenzimit më të madh tash duhet importuar rrymë në kohën më të keqe të mundshme nga aspekti i tregut.

* * *

Krahas rrymës, problem i cili do të na mbajë të preokupuar edhe dy muaj me gjasë, për mua lajmi i javës qe dënimi i tre arsimtarëve, një polici dhe një avokati për keqpërdorimin seksual të një të miture në Drenas para disa vjetësh.

Thuajse i nxjerrë nga një film triler me elemente erotike, rrëfimi për vajzën nga një fshat i Drenasit u bë publik nga avokati që, thuhej, ishte angazhuar që t’ia mbronte të drejtat viktimës. Avokati doli, foli, akuzoi një arsimtar e një polic për keqpërdorim seksual të vajzës dhe madje u shpall njëfarë heroi për denoncimin që kishte bërë. Porse me këtë rast kishte harruar ta denonconte edhe një njeri, që njëlloj e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare dhe e kishte keqpërdorur seksualisht viktimën. E kishte harruar veten.

Hetimet kishin zbuluar se në emër të mbrojtjes juridike ishte afruar për së tepërmi me viktimën, përkatësisht klienten, të cilën më pas e kishte abuzuar seksualisht. Pra, abuzimi i parë nga arsimtari i kishte ndodhur vajzës kur i kishte pasur 16 vjet. Pas tij abuzimin e bëri polici e në fund edhe avokati. Tashmë në atë kohë e kishte mbërritur moshën 18 vjeç. Për më tepër, ndërkohë ishte detyruar të abortonte.

Se si bëhet që një e mitur të lihet e pambrojtur nga familjarët dhe si bëhet që një mësimdhënës e pastaj një hetues e në fund një avokat ta keqpërdorin me aq lehtësi duke abuzuar me fuqinë që ua jep profesioni me të cilin merren – janë çështje që gjithsesi kërkojnë një hetim shumë më të thellë dhe një analizë të komplet kontekstit që ndërlidhet me rastin.

Është më se e tmerrshme që të rriturit, që tashmë kanë krijuar familjet e tyre dhe janë madje baballarë, mund të sillen me një të mitur si me një objekt seksi për t’i shuar epshet e tyre. Është edhe më e tmerrshme se Kodi Penal i Kosovës nuk e parasheh pedofilinë si vepër penale. Ajo si e tillë nuk ekziston e do të duhej. Dhe do të duhej të kishte dënim maksimal për kryerësit e kësaj kategorie. Ngase atë që arrijnë ta bëjnë është që ta shkatërrojnë një jetë të re e t’ia humbin perspektivën e rritjes për shkak të traumës që do t’i përcjellë tërë jetën.

Vendimi i gjykatës është i shkallës së parë dhe me siguri se do të kundërshtohet nga të dënuarit e edhe nga prokuroria, meqë ka edhe tre të tjerë që janë të përfshirë në këtë krim, dy prej të cilëve janë dënuar me kusht e njëri është liruar.

* * *

Jam e sigurt se ka edhe plot të tillë që tashmë këtë vajzë e kanë etiketuar si “kurvë” e “rospijë” – diçka aq e zakontë mes nesh. Në mentalitetin që sundon në këtë vend prej kohësh, në raste sikur ky, përherë janë vajzat ato që kanë faj. E këtë e kuptuam edhe me dokument publik të gjykatës në Gjilan në të cilin tre gjykatës burra kishin vendosur se vajza, e cila ishte dhunuar, pak a shumë “e kishte lypur vetë”, sepse e kishte ditur se edhe taksisti ishte burrë e edhe “shokët” me të cilët kishte shkuar në banesë.

E kjo bindje dhe kjo qasje që dikujt mund t’i tingëllojë shumë normale është ushqyer me vite të tëra, kur është heshtur për dhunën në familje, për raste dhunimesh, për raste incesti dhe shumë të tjera – sepse më marre ishte të flitej sesa të dhunohej.

Porse fakti është se të gjitha të numëruarat këtu kanë ekzistuar edhe në kohën e Kosovës autonome, sepse ndryshe nuk do të përfshiheshin në Ligjin Penal të atëhershëm e as në Kodin Penal të tashëm.

Kur e lexon Kushtetutën e Kosovës e sheh se ajo ta garanton barazinë. Dhe po, ta garanton, porse nuk ta siguron. Nuk ka mekanizëm universal që e respekton barazinë mes gjinive në Kosovë dhe kjo barazi është viktimë e mentalitetit patriarkal që ende sundon në pjesën më të madhe të Kosovës. Sundon edhe në politikë e edhe në ekonomi. Sundon gjithkund. Porse për dallim nga e kaluara, zëri i atyre që e kundërshtojnë këtë dhunë tash është më i fuqishëm.

Është ndikim edhe i donatorëve të huaj që kanë insistuar që të punohet në këtë drejtim, porse është edhe rezultat i vetëdijesimit, i cili gradualisht është duke u rritur. Pra, po ngrihet vetëdija se duhet raportuar për raste dhune, të çfarëdo lloji të jetë ajo.

Ajo që ka mbetur ende prapa është ngritja e vetëdijes se dhuna nuk është e lejuar dhe se askush nuk ka të drejtë t’i qaset asaj për ta nënshtruar dikë, vetëm pse ka më shumë fuqi fizike. E vetëdija nuk arrihet përherë me masa sanksionuese – sepse këto do të duhej të ishin të fundit për t’u zbatuar. Duhet masa parandaluese. E këto janë çështje edukimi dhe arsimimi.

* * *

Dhe me të drejtë dikush do të thoshte: “Çfarë edukimi e arsimimi, kur dhunuesit janë vetë arsimtarët?”. Them “me të drejtë”, sepse burimi parësor i problemeve të këtij lloji rrjedhin nga arsimi jocilësor, me literaturë jocilësore, me arsimtarë jocilësorë që nuk udhëhiqen nga vlerat, por nga mentaliteti arkaik. E formimi i këtyre arsimtarëve rrjedh nga institucionet e larta shkollore që janë njëlloj jo mjaftueshëm cilësore që më pas kthehet në familje, në shkollë e në punë. Është qark vicioz që kërkon shumë më tepër përkushtim e mund që të tejkalohet.

Nëse kemi arritur ta përvetësojmë teknologjinë në gjithë këtë masë, përse nuk përpiqemi të mësojmë diçka më shumë për barazinë dhe për respektimin e të drejtave të të tjerëve. Pse nuk përpiqemi t’i ikim mendësisë në shumë raste primitive që na mban të këtillë çfarë jemi, për shkak se na mbisundon?

Kosova do të ishte vend shumë më ndryshe po ta udhëhiqte një mendësi tjetër. E di, nuk është punë që mund të ndryshojë brenda natës. Porse, pa u përpjekur ajo do të mbetet e njëjtë.

[email protected]