OpEd

Mëngjesi pas festës

Derisa gëzimi dhe festa janë tërësisht të natyrshëm, kur festa e liberalizimit të vizave mbaron, do të zgjohemi për të kuptuar atë që kanë kuptuar fqinjët tanë, të cilët gëzojnë liberalizimin e vizave prej kohesh: liberalizimi i vizave nuk zgjidh asnjë nga problemet tona strukturore shoqërore. Liberalizimi do të vijë, por problemet tona këtu në Kosovë do të mbesin. Shumë shpejt do të kuptojmë se zgjidhja nuk është ikja në Evropë, por jetësimi i Evropës këtu

Këtë javë u përmbyll edhe hapi i fundit teknik për liberalizimin e vizave të Kosovës. Rregullorja 2023/850 e Bashkimit Evropian u publikua në gazetën zyrtare të BE-së dhe si e tillë nga 15 maji 2023 do të jetë ligj i aplikueshëm në të gjitha vendet e BE-së. Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën theu çdo rekord të mëparshëm. Ai zgjati plot dymbëdhjetë vjet. Kjo është më shumë se koha e të gjitha vendeve të rajonit marrë së bashku, e pastaj shumëzuar me dy. Gjatë kësaj kohe kemi qenë dëshmitarë të shumë rrëfimeve të dhimbshme si pasojë e mungesës së lirisë së lëvizjes: nga pacientët që kanë kërkuar shërim jashtë vendit, e deri tek artistët të cilëve iu mohua e drejta e pjesëmarrjes në festivale evropiane. E gjithë kësaj sage i vjen fundi nga 1 janari 2024. Dhe, në këtë drejtim, derisa gëzimi dhe festa janë tërësisht të natyrshëm, kur festa e liberalizimit të vizave mbaron, do të zgjohemi për të kuptuar atë që kanë kuptuar fqinjët tanë të cilët gëzojnë liberalizimin e vizave prej kohësh: liberalizimi i vizave nuk zgjidh asnjë nga problemet tona strukturore shoqërore. Liberalizimi do të vijë, por problemet tona këtu në Kosovë do të mbesin.

Shumë shpejt do të kuptojmë se zgjidhja nuk është ikja në Evropë, por jetësimi i Evropës këtu. Asnjë qytetar i Kosovës nuk e braktis me qejf shtëpinë e vet. Ky është akt zori, jo qejfi. Dhe këtu asnjëherë nuk duhet fajësuar qytetarët, por institucionet. Barra bie mbi institucionet që të lartësojnë jetën në Kosovë në një nivel krahasues me vendet e BE-së. Para se të kalojnë dy ditë të këndshme në Paris, qytetarët e Kosovës dëshirojnë të kalojnë 363 ditë të tjera të këndshme në Kosovë. Kjo kërkon që institucionet e Kosovës të avancojnë cilësinë e arsimit për fëmijët, kujdesin shëndetësor për të moshuarit dhe vende të reja pune për rininë.

Nga përvoja e vendeve të rajonit kemi parë se mungesa e një progresi të tillë reformues dhe progresiv vë në lëvizje dy dinamika shoqërore.

E para: protestat dhe pakënaqësitë qytetare. Në janar 2019, mbi 10.000 qytetarë serbë kanë protestuar kundër regjimit të presidentit Vuçiq. Në vitin 2022, mijëra qytetarë serbë protestuan kundër politikave mjedisore të qeverisë. Tirana ishte nikoqire e protestave të mëdha gjatë viteve 2022 dhe 2023. Në dhjetor 2022 mijëra qytetarë u mblodhën në Podgoricë për të protestuar kundër mazhorancës qeverisëse. Më 1 prill të këtij viti mijëra qytetarë u mblodhën në Sarajevë me pankartat “Jemi evropianë, duam standarde evropiane”.

E dyta: ikja e qytetarëve. Në periudhën e parapandemisë, pra gjatë viteve 2009-2019 janë regjistruar gjithsej 595.965 kërkesa për azil në BE nga qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ishte vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve prej 196.405, ndërsa Mali i Zi me numrin më të vogël prej 10.665. Dhe derisa këta numra me kalimin e kohës kanë rënë në nivele më normale, ata ende mbesin shqetësues. Në Serbi ikja e mjekëve është problem serioz. Në baza vjetore Serbinë e lëshojnë 600 mjekë. Kjo përbën 40% të numrit vjetor të doktorëve të diplomuar të mjekësisë. I njëjti trend është duke u shfaqur edhe në Shqipëri, Bosnjë dhe gjithë rajonin. Në Shqipëri përveç mjekëve ende vazhdon ikja e të gjitha shtresave të qytetarëve. Vitin e kaluar 12.301 qytetarë të Shqipërisë kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla. Kjo vendosi qytetarët e Shqipërisë, para qytetarëve të Afganistanit, si grupin më të madh të migrimit ilegal me varkat e vogla.

Pra, nga mësimet e vendeve të rajonit kuptojmë se jeta vazhdon edhe pas liberalizimit të vizave. Dhe, në këtë drejtim Kosova në të ardhmen do të ballafaqohet me dy dinamikat sociale të cilat do të kenë pasoja politike: protestat dhe ikjet e qytetarëve. Nuk duhet nënvlerësuar pakënaqësinë e qytetarëve të Kosovës me zhvillimet në vend. Sipas pulsit të fundit publik të UNDP-së, 57.2% të qytetarëve janë të pakënaqur me drejtimin ekonomik të vendit. Papunësia, varfëria, çmimet, energjia elektrike dhe shëndetësia janë identifikuar si prioritetet më urgjente. Këto sentimentet e qytetarëve nuk do të adresohen lehtë, pasi që çfarëdo reforme serioze në ekonomi, arsim apo shëndetësi kërkon kohë. Por, unë besoj që qytetarët janë të arsyeshëm dhe ndonëse ata nuk presin mrekulli, ata presin që të shohin progres të vogël por të vazhdueshëm në këto fusha. Kjo do të jetë detyra kryesore e çdo qeverie: të bindë qytetarët se ia vlen të investosh kohë dhe mund për ndërtimin e një jete të begatshme në Kosovë.