OpEd

Menaxhim i keq

Nuk duhet shumë filozofi për të kuptuar se kosovarët jemi njerëz që më së miri e pranojmë disiplinën kur dikush na e imponon dhe kur pas saj qëndron një sanksion që mund të na e sakatojë xhepin

Kosova e jetoi javën më të keqe deri tash, që nga shfaqja e rastit të parë me COVID te ne, në mars të vitit të shkuar.

Përderisa një pjesë jo fort e madhe e njerëzve në Kosovë e kishte të qartë se "muaji i mjaltit" nuk kishte gjasa të mëdha që të vazhdonte edhe disa muaj, megjithatë shpërthimi i menjëhershëm i infektimeve me variantin Delta, thuajse na zuri në befasi që të gjithë.

Kosova nisi të thyente rekorde të testimeve ditore porse për fat të keq gjithashtu ia doli të thyente edhe rekorde ditore me numër të infektuarish që ka tri ditë radhazi nuk bien nën 2 mijë.

Pra, prej të premtes së shkuar, Kosova ka regjistruar 11.887 raste me 28 vdekje. Shumë, tepër bile.

Prej shënimeve që po na ofrohen, po e vërejmë që numri i të infektuarve ka nisur të shtohet edhe mes kategorive që nuk kanë mbrojtje as nga vaksina, për shkak se nuk e kanë të autorizuar ta marrin (fëmijët nën moshën 12 vjeç) dhe kjo është për brengosje shumë serioze. Por ajo që u mungon këtyre shënimeve, kurse IKSHKP-ja do të duhej ta evidentonte, është se sa nga këto raste të infektimeve janë: rezidentë të Kosovës; sa janë persona që kanë marrë njërën apo edhe vaksinën e dytë dhe sa prej të shtrirëve nëpër spitale, në këtë çast, janë bashkatdhetarë të ardhur për pushime, e që janë infektuar në Kosovë, apo edhe kanë ardhur të infektuar prej atje.

Kjo fundja mund të mos ketë rëndësi tjetër, pos që të konstatohet se zbutja tepër e madhe e masave para se të niste sezoni i pushimeve, është burimi i shpërthimit i kësaj vale, që po qe se vazhdon me këtë ritëm, do të na detyrojë për masa edhe më drastike, deri te karantina që asnjëri nga ne nuk e do.

* * *

Situata e tanishme tregon për dalje jashtë kontrollit të situatës me pandeminë, me gjithë përpjekjet e qeverisë për të treguar se gjërat janë nën kontroll dhe se masat e duhura janë duke u ndërmarrë për ta fashitur situatën e krijuar.

Siç e shkrova edhe javën e shkuar, njëra nga arsyet e zbutjes së masave qe ardhja e diasporës për pushime në Kosovë dhe jo në masë të vogël në Shqipëri. Po qe se është e vërtetë ajo që e dëgjova, se gjatë korrikut kanë ardhur madje 300 mijë udhëtarë nga Zvicra me aeroplanë dhe se numri i atyre të ardhur gjatë gushtit do të jetë po aq i madh (pa llogaritur këta që kanë ardhur me vetura), atëherë është më se e qartë se me vetëdije janë mbyllur sytë para një rreziku latent.

Pra, me vetëdije janë lejuar dasmat, ahengjet, puna e klubeve të natës, shëtitjet pa kurrfarë masash mbrojtëse, heqja e maskës dhe mbledhja masive e njerëzve te Zahiri në Prishtinë - për shkak se prania e diasporës nënkupton mbijetesën e këtij vendi në dy tre muajt e radhës.

Me këtë, në asnjë formë nuk dua ta fajësoj diasporën për valën e infektimeve, që pa dyshim do të mund të kishte qenë importuesja e variantit Delta në Kosovë, ashtu siç kanë mundur të jenë kosovarët që kanë shkuar në Shqipëri apo vende të tjera në pushime prej nga kanë mundur të ktheheshin me virusin, pa e kuptuar askush.

E arsyeja se përse nuk e kemi kuptuar kush e ka sjellë është se prej kohësh askujt nuk i kërkohet testi PCR në aeroport; se askush nuk detyrohet ta mbajë maskën, për shkak se kufizimi ka vlejtur vetëm për lokalet brenda e jo edhe jashtë në rrugë; për shkak se nuk ka pasur fare kontroll se sa njerëz mblidheshin nëpër ambiente të mbyllura - thjesht për shkak se ishte krijuar bindja se pandemia ishte nën kontroll, e me të ngjallej iluzioni se virusi e ka anashkaluar Kosovën.

E virusi jo që nuk e ka anashkaluar, porse tash edhe është "deformuar" duke e marrë trajtën tjetër, që është shumë ngjitëse dhe që i sulmon edhe fëmijët që me variantet e tjera kanë qenë më të sigurt.

* * *

Natyrisht se përhapjen e virusit e kemi bërë vetë ne qytetarët - sepse kemi qenë të shkujdesur dhe kemi zgjedhur ta injorojmë prezencën e tij. Porse, faji kryesor për shpërthimin e kësaj vale bie mbi Qeverinë. Kjo për shkak se, nën presionin e jashtëzakonshëm, në rend të parë të gastronomëve, u liruan masat.

Arsyeja pas kësaj ishte se ekonomia do të fundosej nëse ndaleshin aktivitetet komerciale. Dhe është për keqardhje që ekonomia e Kosovës të barazohet me gastronominë dhe hotelerinë - si burimin e punësimit dhe të të hyrave për arkën shtetërore - ani pse prej kohësh dihet se një pjesë e evazionit fiskal pikërisht përqendrohet në gastronomi, hoteleri dhe estradë (këta të fundit përfituesit kryesorë të dasmave dhe ahengjeve).

Elementi i dytë është lehtësia me të cilën u vendos se vaksinimi do të duhej të pushonte gjatë fundjavës. Një ditë prej ditësh u tha: ju që i keni bërë terminet për vaksinim, ejani të hënën, për shkak se të shtunën e të dielën nuk punojmë.

Në emergjencë shëndetësore, ne sillemi si të punonim në administratë, ku shallteri mbyllet posa të ketë kaluar orari i caktuar i punës.

Pra, për një muaj e gjysmë, është vendosur që të mos punohet për fundjavë, në ditët ku potencialisht kanë mundur të administroheshin rreth 250 mijë doza, po të ishte zbatuar trendi i javës së shkuar. Pra, po të ishte vepruar kështu, do t'i kishim afër 900 mijë të vaksinuar deri tash. Por nuk u veprua ashtu, mbase edhe për shkak se nuk ka pasur vaksina të mjaftueshme, nuk e di, sepse Ministria e Shëndetësisë thuajse është bërë alergjike në ndarjen e informatave. Pyetjet që gazetarët ua çojnë, dinë të presin edhe nga një muaj nëpër kompjuterët e tyre, krejtësisht të injoruar.

E nëse ka pasur vaksina të mjaftueshme, e duket se ardhja e tyre është e rregullt e do të vijojë sipas planit (me gjithë faktin se tash duhet negociuar sasi të reja, për shkak se duhen përfshirë edhe fëmijët prej 12 vjeç e më lart), është keq për ne që nga mesi i qershorit, kur nisi vaksinimi masiv të jenë administruar 666 mijë doza dhe që vetëm 12,5% e popullsisë së përgjithshme është e imunizuar me të dyja dozat.

* * *

Problemi i tretë i madh i Ministrisë së Shëndetësisë është refuzimi i njerëzve për ta marrë vaksinën. Sinqerisht, unë nuk e kam pritur një rezistencë kaq të madhe mes njerëzish që janë rritur në një vend ku vaksinimi aplikohet që nga lindja dhe që na ka shpëtuar nga shumë sëmundje që janë të evitueshme falë vaksinave.

Ajo që më ka shokuar më së shumti ka qenë refuzimi i marrjes së vaksinës nga personeli shëndetësor. Që nga nisja e aplikimit të vaksinave të para, nuk e di nëse kemi parë shënim se sa mjekë e personel mjekësor janë vaksinuar. Refuzues vaksinash kanë qenë edhe arsimtarët, dhe edhe aty nuk po e dimë se sa nuk e kanë marrë vaksinën, 10 ditë para nisjes së vitit shkollor.

Këta si shembuj të këqij kanë ndikuar edhe te masa, të cilët janë ndikuar, natyrisht, edhe nga mohuesit e virusit që çalltisin nëpër dasma e ahengje. E besa edhe nga ata që në emër të të drejtave të njeriut e mohojnë të drejtën për të bërë thirrje për vaksinim.

Sido që të jetë, Qeveria, nëpërmjet Ministrisë së vet ka problem shumë serioz kreativiteti për ta animuar popullsinë që të vaksinohet - fushatën që po e zhvillon tash e ka shumë të dobët dhe jobindëse. Spote vetëdijesuese me vizatime e me plot shkronja duken megjithatë të tejkaluara, dhe duhet gjetur mënyrë më bindëse për t'u treguar njerëzve se pse është më mirë të vaksinohen sesa të mos vaksinohen.

E fundit, në këtë listë të gjatë keqmenaxhimi, duket të jetë edhe mungesa e komunikimit ndërinstitucional. Dje KOHA raportoi se të paktën shtatë grupe të fëmijëve nëpër institucione parashkollore në Prishtinë janë mbyllur si pasojë e paraqitjes së rasteve pozitive me koronavirus tek edukatoret apo fëmijët.

Me këtë rast, Komuna e Prishtinës ka konfirmuar se bëhet fjalë për gjashtë grupe në çerdhet publike, kurse Ministria e Arsimit ka njoftuar vetëm për një grup. Ministria e Shëndetësisë, nga ana tjetër, thotë se nuk ka asnjë rast të mbylljes.

Të gjitha janë të qarta.

* * *

Nuk duhet shumë filozofi për të kuptuar se kosovarët jemi njerëz që më së miri e pranojmë disiplinën kur dikush na e imponon dhe kur pas saj qëndron një sanksion që mund të na e sakatojë xhepin.

Pra, nëse duam ta kthejmë njëmend gjendjen nën kontroll, shtoni numrin e inspektorëve, dhe mos bëni hajgare me kontrolle të kartonëve të vaksinimit nëpër kafe, se askush nuk do t'i kontrollojë, ashtu siç askush nuk është përmbajtur rregullave që në ambiente të mbyllura të mbahen maskat.

Nëse njëmend duam ta ndërpresim këtë valë, dhe të mos e shkaktojmë një të re - mendojeni seriozisht nëse duhet bërë fushatë zgjedhore 30 ditore. Jo pse fushata njëjavore a dhjetëditore nuk mund të shkaktojë përhapje të virusit, por për shkak se probabiliteti është më i vogël aty sesa gjatë një muaji.

Nëse duam të sigurohemi pak më mirë, orarin e vaksinimit duhet zgjatur dhe duhet punuar edhe për fundjavë. E dimë se është lodhje për punëtorët shëndetësorë, porse këta i detyron betimi i Hipokratit nëse asgjë tjetër. Dhe nuk ka asnjë arsye që këta njerëz të mos paguhen për punë jashtë orarit - sepse kaq të varfër në para nuk jemi.

Jemi të varfër në ide.

[email protected]