Kur sot e shikon luginën e Lepencit apo atë të Lumëbardhit të Deçanit, ato përshtaten krejtësisht me meloditë e krijimeve që marrin “like”-t e audiencës kosovare. Së bashku pastaj përshtaten me mendësinë institucionale të shtetit të ri, i cili përveçqë është kampion për papunësi, varfëri, arsim të dobët... është edhe për resurse të mangëta të ujit
“An der schönen blauen Donau”, që i bie “Danubi i bukur i kaltër” është një kompozim i Straussit i shekullit XIX me të cilin mburret Austria sot. Mburret jo veç me harmoninë e kënaqësinë që të sjellë melodia, por edhe me lumin që i dedikohet. Ndër shekuj kujdeset e i promovon të dyja. Shumë nga ne, posaçërisht gjeneratat e viteve ’70, ‘80 e ‘90, e njohim këtë vepër të Straussit. E kemi përjetuar pa e ditur se bëhet fjalë për një vepër botërore, të cilën nëse sot e kërkon në YouTube, ta kujton Tomin dhe Xherin.
Nuk të bën të mendosh për lumin e katër e të bukur, sepse përveçqë nuk kemi kulturë perëndimore për muzikë, nuk kemi as për ruajtje të mjedisit.
Kur sot e shikon luginën e Lepencit apo atë të Lumëbardhit të Deçanit, ato përshtaten krejtësisht me meloditë e krijimeve që marrin “like”-t e audiencës kosovare. Së bashku pastaj përshtaten me mendësinë institucionale të shtetit të ri, i cili përveçqë është kampion për papunësi, varfëri, arsim të dobët... është edhe për resurse të mangëta të ujit.
Por ky vend e do Evropën dhe është në gjendje të bëjë çmos që t’ia bëjë qejfin. E keqja është se këtë e bën mbrapsht. Kur Evropa thotë që 20 për qind e energjisë duhet të jetë e ripërtërishme, Qeveria e Kosovës u gjuhet lumenjve, sepse kjo është rruga më e lehtë për të thënë se po punon në atë drejtim, por edhe sepse duket të sjellë ndonjë përfitim korruptues.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik për disa vjet ka studiuar fizibilietetin për hidrocentrale të vogla dhe me mendtë e saj ka futur nëpër gypa thuajse të gjithë lumenjtë e Kosovës. Ka raportuar për mundësi të ngritjes së hidrocentralit me kapacitet prej madje 0.24 megavatesh (MW), sa për të ndezur poçe elektrike. Janë përmendur afro 30 lumenj dhe 77 hidrocentrale që nënkuptojnë zhdukje dhjetërakilometërshe të ujit nga faqja e dheut.
“Politika e Qeverisë së Kosovës është nxitja për ndërtimin e HC-ve të vogla me investime nga sektori privat”, thuhet në dokumentin e MZHE-së. S’ka, megjithatë, studime dhe nxitje të mundësive të tjera, paksa më të vështira, të përfitimit të energjisë, për shembull nga thellësia e tokës, nga era, dielli, plehrat...
Nuk është veç përmes hidrocentraleve që institucionet po e fundosin ujin. Njohës të çështjeve mjedisore që lidhen me ujërat kanë alarmuar javën që shkoi Kuvendin për mungesën e theksuar të ujit dhe për domosdoshmërinë e mbrojtjes së resurseve ekzistuese nga ndotja, shfrytëzimi i pakontrolluar e ndërtimi në zonat e mbrojtura ujore. Është kërkuar edhe zhvillimi i resurseve të reja, por kjo tingëllon fantashkencë krahasuar me meloditë e shtetit të ri. Ai edhe pas dy dekadash nga lufta nuk e ka bërë veten me Strategji për ujërat. Megjithatë, ka masterplanin e ujërave të vitit 1983, të kohës kur zbaviteshim me Tomin dhe Xherin. Por, natyrisht, ekspertët e mjedisit tregojnë se tani gjendja me ujin është më ndryshe: prishja e shtretërve të lumenjve nga nxjerrja e pakontrolluar e zhavorrit, ndërtimi i hidrocentraleve, hedhja e bërllokut dhe derdhja e kanalizimeve në lumenj dhe liqene, ndërtimet përgjatë brigjeve të tyre... e kanë degraduar këtë resurs.
Llapi është lumi që pleqtë tregojnë se dikur kanë pirë ujin e tij. Sot as këmbët nuk i lagin në të. Shtrati i tij nga largësia duket si një bredh i stolisur me ngjyra-ngjyra e nga afër sheh ambalazhe nga më të ndryshmet të produkteve të harxhuara. Vende-vende kyçen edhe gypat e kanalizimeve që e bëjnë këtë lumë, sikurse edhe shumë të tjerë, por edhe liqenet, të ngjajë në kolektor ujërash të zeza. Kosova, siç raporton KD-ja, ka vetëm një impiant të ujërave të zeza, dhe sipas ekspertëve aktualisht vetëm 2 për qind e këtyre ujërave trajtohen. Të tjerat, natyrisht, bashkë me meloditë e shtetit të ri, lëshohen në mjedis dhe e bëjnë atë çfarë është.
Përveç kësaj, nuk mund të thuhet që Kosova nuk u ndërtua. Por edhe këtu shumëçka shkoi mbrapsht. Gurëthyesit i hëngrën bjeshkët e brigjet e lumenjve, kryesisht pa kontroll e pa licenca. Ngjashëm sikurse në rastin e hidrocentraleve, ngase ishte më lehtë kështu, dhe natyrisht përfitimet...
Ndërkohë, si pasojë u rrit rreziku nga vërshimet. Pamje nga Peja, Gjakova, Malisheva të oborreve të përmbytura të shtëpive përsëriten thuajse çdo vit në sezonin e vjeshtës, kur shtretërit e degraduar të Drinit të Bardhë, Lumëbardhit të Pejës, Erenikut, Mirushës... nuk mund të përballojnë reshjet, edhe pse ato, krahasuar me rajonin, janë më të ulëtat për metër kub.
Ligj për ujëra ka, por edhe ai zbatohet po aq sa ligjet e tjera në shtetin e ri të melodive që ilustrojnë pamje të dhimbshme të luginës së Lepencit dhe asaj të Lumëbardhit të Deçanit.