Shpërdorimi i pushtetit dhe i pozitës zyrtare që shpie në korrupsion është shndërruar në krim të zakonshëm.
Edhe pse hyn në kategorinë e veprave penale, “popullariteti” i abuzimit të detyrës zyrtare ka gjetur terren të përshtatshëm në shumë institucione. Kjo për shkak të mosndëshkueshmërisë, joefektivitetit të sistemit të kontrollit dhe mungesës së llogaridhënies.
Një zyrtar fiton shumë pushtet kur mban një pozitë të lartë në administratën shtetërore.
Është pikërisht autoriteti i pozitës dhe mundësitë që ajo ofron të cilat çojnë në shpërdorim të pushtetit apo pozitës zyrtare. Rastet që e dëshmojnë këtë janë të shumta.
Dhjetorin e vitit të kaluar policia i nxori me pranga në duar 30 persona, nën dyshimet për ryshfet, keqpërdorim të autoritetit zyrtar e mashtrim me subvencione. Operacioni me emrin e koduar “Subvencioni” përveç Ministrisë së Bujqësisë u shtri edhe në tetë komuna. Ndërkaq 14 nga 21 zyrtarë të tjerë që u arrestuan në qershor i takojnë Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë shkurtit në pranga përfunduan edhe 12 zyrtarë të tjerë.
Arrestime të tilla si ky me “subvencionet” ka pasur edhe në të kaluarën, por që mbesnin në nivel “spektakli” për shkak të mungesës së vendimeve të plotfuqishme ose shqiptimit të dënimeve që më shumë u ngjajnë kundërvajtjeve në trafik.
Megjithëkëtë, qeveritë rrahagjokse shpresonin të fitonin poenë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, që ndër parakushtet kryesore e ka luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Si rëndom, proceset këputen diku rrugës- në prokurori apo gjykatë- duke dështuar të përmbushet ajo që njihet si “track rekord”. Pra, incizimi i rastit nga faza e hetimit deri në vendim të plotfuqishëm.
konfirmohet në raportet e përvitshme të Komisionit Evropian, ku Kosova renditet në fazën e hershme sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Prandaj kërkohen përpjekje të vazhdueshme për të zhvilluar hetime më proaktive ndaj zyrtarëve që keqpërdorin pozitën, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim të pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.
Por ndjekja vështirësohet kur hetimet përfshijnë kriminalitetin e “jakave të bardha” të cilët i kanë përsosur metodat për kamuflimin e veprave penale.
Pavarësisht miratimit të legjislacionit me përkrahje të ndërkombëtarëve duke adoptuar përvojat më të mira, ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit, veçmas atij të nivelit të lartë, vazhdon të jetë përpjekje e vështirë dhe sfiduese.
Ekzistenca e mekanizmave ligjorë kundër arbitraritetit dhe abuzimit me pozitën zyrtare nuk ka prodhuar efektet e synuara në parandalimin e këtyre dukurive.
Me hyrjen në fuqi të Kodit të ri penal, gjykatat udhëzohen për caktimin e dënimeve plotësuese ndaj zyrtarëve që kanë keqpërdorur detyrën e tyre. Për shkak të shpeshtësisë së veprave penale që lidhen me funksionet zyrtare, janë zgjeruar edhe dispozitat. Mes të tjerash, ato ia heqin të drejtën një personi zyrtar për t’u zgjedhur, si dhe ia ndalojnë ushtrimin e funksioneve në administratën publike.
Largimi i shpërdoruesve të pozitës zyrtare nga institucionet është thelbësor për kthimin e besimit të publikut. Kësisoj, dënimet plotësuese janë hap i rëndësishëm në ruajtjen e integritetit të pozitave zyrtare. Por ka raste kur nuk janë shqiptuar dënimet plotësuese, edhe pse të njëjtat janë propozuar nga prokuroria. Një shembull që konfirmon këtë është ai i ish-kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota. Ai dhe vartësi i tij, në shkurt të vitit 2021 u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga gjashtë muaj burgim me kusht, si dhe dënim me gjobë në shumën prej 1200 eurosh. Ata ngarkoheshin me veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave e dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”. Edhe pse prokurori që përfaqësonte aktakuzën në fjalën përfundimtare kishte propozuar që përveç dënimit kryesor të akuzuarve t’u shqiptohej edhe dënimi plotësues, gjykata nuk vendosi fare lidhur me propozimin e prokurorit. Përveçse nuk e shqiptoi këtë dënim, Dega e gjykatës në Klinë as nuk e arsyetoi mosshqiptimin e tij.
Shqiptimi i dënimeve të ulëta, në njërën anë, dhe mosshqiptimit të dënimeve plotësuese, në anën tjetër, nuk i shërbejnë parandalimit të kryerjes së veprës, si dhe zbehin besimin në institucionet e drejtësisë.
Ligjshmëria në rastet e korrupsionit nuk është e plotë pa e zhveshur krimin nga përfitimet materiale.
Deri tani institucionet janë treguar joefikase në konfiskimin e pasurisë, gjë të cilën e konfirmon nga Bashkimi Evropian. Po ashtu, ka një diskrepancë të madhe mes sekuestrimeve dhe konfiskimeve. Në njërën prej mbledhjeve të Këshillit Prokurorial vitin e kaluar ishte bërë e ditur se nga rreth 20 milionë pasuri të sekuestruara, vetëm 476 mijë euro janë konfiskuar me vendime të gjykatave gjatë vitit 2020. Ndërkaq tremujori i parë i vitit 2021 kishte sjellë ngrirje të pasurisë në shumën prej 1 milion e 677 mijësh, por nuk ka pasur asnjë konfiskim. Pra, sistemi i drejtësisë në tre muaj të plotë pune raportoi zero konfiskim.
Ekziston një gamë e gjerë ligjesh që mundëson parandalimin e abuzimit me pozitën zyrtare.
Është Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave të të gjithë zyrtarëve të lartë publikë; Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik; Ligj për Agjencinë Kundër Korrupsionit; Ligj për Mbrojtjen e Sinjalizuesve; Ligji mbi Financimin e Subjekteve Politike; Ligji për Prokurimin Publik.
Kur këtyre u shtohen dokumentet dhe strategjitë e shumta të cilat janë miratuar ndër vite, japin përshtypjen e një “lëmshi” që nuk i jep zgjidhje problemit të abuzimit me detyrën zyrtare.
Vrullin për rishikim të sektorit të drejtësisë e shpërfaqi edhe Qeveria aktuale.
Ndër projektligjet e iniciuara është ai për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Krahas tij, është duke u zhvilluar edhe procesi për kompletimin e legjislacionit për vetting në drejtësi. Me gjithë qëllimin e mirë të proklamuar nga Qeveria, ndryshimet e iniciuara kanë nxitur dilema për shkelje të Kushtetutës, që si të tilla mund ta cenojnë edhe sigurinë juridike të qytetarëve.
Dyshimeve u dha shtytje edhe Bashkimi Evropian duke rikujtuar se me legjislacionin aktual mund të vlerësohet integriteti i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Shqetësimin e shprehu edhe në Raportin për Kosovën, sipas të cilit ndërmarrja e një rivlerësimi të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve është vendimmarrje brengosëse. Marrë parasysh kohën që merr një rishikim thelbësor i sistemit (Shqipëria e ka nisur qe pesë vjet dhe ende s’e ka përfunduar), fokusi duhet të jetë në zbatimin e legjislacionit dhe në fuqizimin e mekanizmave ekzistues.
Sinjalizuesit brenda institucioneve janë një aspekt i rëndësishëm në denoncimin e abuzuesve të pozitës zyrtare. Shteti i “trimëroi” kur vitin e kaluar miratoi ligjin përkatës, gjë për të cilën Kosova u përgëzua nga Bashkimi Evropian.
Si gazetar shpesh më ka rastisur ta ndiej hezitimin e zyrtarëve brenda institucioneve për t’i nxjerrë dallaveret e kolegëve, për shkak të frikës se kjo mund t’u hakmerret.
Panik të madh kishin shkaktuar zyrtarët e hetuesisë kur vitin e kaluar kishin zbarkuar në njërën prej ministrive.
Mision ishte shprushja e komunikimeve të zyrtarëve për ta zbuluar se prej cilës adresë ishte rrjedhja e informacionit.
“Janë duke na hetuar për rrjedhje të emailave. Për disa ditë po e ndalim komunikimin”, ishte mesazhi i zyrtarit që denonconte shkeljet. Atë e njihja dhe ishim në komunikim të vazhdueshëm.
Por ka edhe “sinjalizues” që asnjëherë nuk kanë pranuar të identifikohen e takohen për shkak të frikës së mund të zbulohen. Por nuk e kanë ndalur dorën në denoncimin e keqpërdorimeve.
Transparenca dhe qeverisja e hapur janë thelbësore për parandalimin e korrupsionit dhe promovimin e etikës së zyrtarëve publikë.
Koncepti i qeverisë së hapur promovon qeverisje me integritet dhe inkurajon vendimmarrje efikase.
Duke zvogëluar korrupsionin dhe promovuar shërbimet efikase, qeverisja e hapur është mjet i fuqishëm për t’i trajtuar problemet me të cilat ballafaqohet administrata shtetërore.
Fundja, demokracia është efektive vetëm nëse qytetarët kanë besim tek ata që qeverisin. Por besimi thyhet e shoqëria bëhet viktimë kur zyrtarët e thirrur për zbatimin e ligjit përfshihen në aktivitete që zgjojnë dyshime për keqbërje dhe korrupsion.
Ky publikim është pjesë e projektit me titull "Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë në bazë të listës së kontrollit të Këshillit të Evropës për Sundimin e Ligjit”, që financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe zbatohet nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).