Sikur qeveritarët e ligjvënësit kosovarë ta konsideronin të ëmbël shtëpinë e tyre të quajtur Kosovë, do të ndryshonin Rregulloren e tarifave të mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit, do t’i ndalnin keqpërdorimet në emër të saj, do të kursenin buxhetin, dhe me ato para do të investonin në fushat ku qytetarët kanë më shumë nevojë. Por nuk e bëjnë asnjërën. Për ta më e ëmbël është mëditja
Sa më shumë bën para, aq më shumë shtohet uria për to, thotë një fjalë e urtë. Politikanët që udhëheqin me shtetin e Kosovës qe gati njëzet vjet, kurrsesi të ngopen së gërryeri “minierën” e quajtur buxhet shtetëror. Sindromën e keqpërdorimit të parave të shtetit për lukset personale e kanë përcjellë nga njëra qeveri te tjetra, e kanë rrënjësor thellë në institucionet publike madje edhe tek zyrtari më i thjeshtë.
Duke parë se si udhëheqësit e shtetit udhëtojnë me një duzinë këshilltarësh e asistentësh pas vetes, shijojnë luksin e hoteleve të shtrenjta dhe kthehen nga vizitat jashtë shtetit me xhepat e fryrë nga mëditjet dhe pa ndonjë të arritur konkrete për të mirën e vendit, pse të mos i imitojë ata edhe zyrtari i thjeshtë. Tekefundit, i njëjti ligj ia mundëson edhe atij që të përfitojë nga mëditja dhe me paranë publike të shijojë sadopak daljen jashtë një vendi të pazhvilluar ekonomikisht dhe pa liberalizim vizash, siç është Kosova.
Ky ligj apo më saktësisht një rregullore ka 15 vjet që “sharritë” buxhetin dhe u krijon beneficione të paarsyeshme qeveritarëve, deputetëve dhe shërbyesve civilë. Rregullorja e miratuar në vitin 2004, në kohën kur Kosova administrohej nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, u mbajt “gjallë” nga të gjitha qeveritë dhe legjislaturat, sepse ishte shumë dobiprurëse për ta.
Asnjë parti, asnjë qeveritar apo deputet nuk mori kurrë iniciativë për ta ndryshuar këtë rregullore që përcakton tarifat e mëditjeve për udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Kjo tregon se kur vjen puna te përfitimet personale, zyrtarët publikë të të gjitha partive flasin me gjuhë të përbashkët.
Avazin e vazhdon edhe Qeveria aktuale. Zyrtarë të saj i kanë thënë gazetës se kjo rregullore do të mbetet histori sikurse UNMIK-u, por në të vërtetë nuk kanë bërë asnjë hap konkret për ndryshimin e saj. Kanë vazhduar të shfrytëzojnë favoret që i parasheh ajo.
Secila parti që ka qenë pjesë e qeverisjes ka ardhur në pushtet me premtimin se do të zvogëlojë shpenzimet për udhëtime, dreka e darka, për telefona e karburante të veturave qeveritare. Por shpenzimet asnjëherë nuk u shkurtuan. Përkundrazi. Trendi i tyre shkoi duke u rritur nga viti në vit.
Raportet e shpenzimeve për udhëtime zyrtare të viteve 2015-2017 tregojnë se nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi 34 milionë euro, kryesisht në mëditje dhe akomodim.
Vetëm në vitin 2017 për udhëtime jashtë vendit janë shpenzuar 4.7 milionë euro, për mëditje mbi 3 milionë euro, akomodim mbi 1.6 milionë euro dhe shpenzime të tjera të udhëtimit 633 mijë euro. Për dreka zyrtare brenda vendit janë shpenzuar 2.9 milionë euro, ndërsa jashtë vendit 25 mijë euro. Shifra të përafërta janë edhe gjatë dy vjetëve paraprakë.
Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, janar-mars, nga buxheti i shtetit për udhëtime zyrtare janë shpenzuar 2.35 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shpenzimet për këtë kategori janë rritur për 27 për qind, apo nga 1.84 milionë në 2.35 milionë.
Këto shifra tregojnë se zyrtarët e shtetit vazhdojnë ta shuajnë pa fije turpi urinë për shëtitje me paratë e qytetarit, i cili ndërkohë vuan pasojat e keqpërdorimeve të tyre, duke u përballur me mungesa të shërbimeve elementare që duhet t’ia ofrojë shteti e nuk ua ofron.
Dhe sikur nuk u mjafton që shëtisin me paratë e shtetit, deputetë e qeveritarë u bëjnë kërkesa stafit të ambasadave që t’u rezervojnë darka e dreka në objekte turistike dhe ekstravagante. Që mandej t’i postojnë në rrjetet sociale fotografitë që ua dëshmojnë farefisit se sa “larg ka mbrri”, se më mirë i njeh vijat ajrore ndërmjet shteteve sesa rrugët e kryeqytetit.
Kështu dëshmojnë edhe sesa joefektive janë vizitat e takimet e tyre zyrtare jashtë vendit. Sikur të angazhoheshin më shumë në studimin e materialeve nëpër seminare e trajnime, apo punëtori të hartimit të strategjive, nuk do të kishin kohë as për shëtitje e as për postime. Ndodh e kundërta. Në konferenca e takime shkojnë të papërgatitur, nuk kanë ide as vullnet që të përfitojnë profesionalisht nga to dhe të sjellin praktika të reja në Kosovë, apo të ndërmarrin iniciativa që shtyjnë përpara probleme të qytetarëve. Prania e tyre në ato mbledhje është sa për sy e faqe. Sa për mëditje.
Pikërisht mëditja është ajo që i stimulon edhe zyrtarët e thjeshtë të marrin pjesë në trajnime e punëtori që organizohen në shtetet e rajonit, sidomos në Shqipëri. Po të mbaheshin në Kosovë dhe mos t’u jepeshin mëditje nuk do të mund t’i mbanin as brenda në sallë. Sipas tarifës për mëditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, të parashikuar me Rregulloren e UNMIK-ut, një ditë e një zyrtari në Shqipëri kushton 209 euro. Shkaku i kësaj rregulloreje dhe leverdisë nga mëditjet shumica e ngjarjeve zhvillohen në Shqipëri. Rezultate nga seminaret e trajnimet në qytete bregdetare pak e vështirë të priten.
Për shkak të jotransparencës dhe mungesës së kontrollit të shpenzimeve, udhëtimet zyrtare dhe mëditjet jo rrallë keqpërdoren nga zyrtarët. Keqpërdorimet me avanca të pambyllura, blerjet e gjësendeve personale me kreditkartela të institucioneve, pagesa për bileta të klasës së parë dhe blerja e biletave në momentet e fundit, janë vetëm disa nga keqpërdorimet që ka evidencuar Auditori i Përgjithshëm gjatë auditimit në institucionet publike. Ndërsa Prokuroria e Shtetit si zakonisht hesht. Asnjë aktakuzë nuk ka ngritur për dyshimet lidhur me këto keqpërdorime.
Përveç keqpërdorimeve për përfitime personale, udhëtimet zyrtare sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile nuk kanë sjellë dobi në zgjedhjen e ndonjë problemi të vendit. Ata konsiderojnë se institucionet e Kosovës tashmë janë etabluar dhe nuk kanë nevojë më për trajnime jashtë vendit. Sugjerojnë që në vend se të dërgohen dhjetëra njerëz jashtë, do të ishte më mirë që të sillen ekspertë të huaj që do t’u ligjëronin atyre në objektet e institucioneve apo në salla hotelesh të qyteteve kosovare. Kështu do të shkurtoheshin mëditjet dhe shpenzimet e transportit e njëkohësisht do të përfitonin bizneset vendore.
Për të ndodhur këto ndryshime së pari do të duhej të ndryshohej Rregullorja 15-vjeçare. Ndryshimi nuk do të duhej të nënkuptonte heqjen e tërësishme të mëditjeve, por përcaktimin më të arsyeshëm të kushteve për ndarjen e tyre.
“Home sweet home” është një shprehje e bukur në gjuhën angleze që në përkthim të lirë në shqip i bie “shtëpi e ëmbla shtëpi” apo “s’ka si shpia jote”. Kjo thënie duket se nuk ka aspak rëndësi për qeveritarët e ligjvënësit kosovarë. Sikur ta konsideronin të ëmbël shtëpinë e tyre të quajtur Kosovë, do të ndryshonin Rregulloren e tarifave të mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit, do t’i ndalnin keqpërdorimet në emër të saj, do të kursenin buxhetin dhe me ato para do të investonin aty ku nevojat e qytetarëve janë më të mëdha: shëndetësi, arsim, kulturë e sport. Por ja që nuk e bëjnë asnjërën. Sepse moti e kanë dëshmuar se më e ëmbël se shtëpia për ta është mëditja.