Sarrazini thotë se askush nuk do të na i kryejë punët, se kjo është punë e jona. Por më pas, kur po merret një vendim që konsiderohet punë e jona, na thuhet se nuk e kemi koordinuar dhe se atë punë duhet ndryshe ta kryejmë
Dhe ata që e nisën sezonin qenë dy deputetët e VV-së, më të zëshmit kundër miratimit të Kodit Civil dhe Ligjit për Frytnimin e Asistuar. Më të zëshmit tek e shpallnin veten mbrojtës të familjes, thuajse familja është pronë e tyre dhe e askujt tjetër dhe se familja o është siç e thonë ata, o s’është fare. Se nuk guxon të jetë ndryshe nga ajo siç e përkufizojnë ata.
Kalimi i tyre në radhët e koalicionit të një partie konservatore, Partisë së Drejtësisë dhe AKR-së nuk befason fare. Në fakt, kalimi i tyre në atë koalicion është lëvizje e natyrshme, ashtu siç nuk ka qenë i natyrshëm qëndrimi i tyre në VV, një parti të deklaruar majtiste – pra aty ku feja nuk çon kandar. Apo nuk do të duhej. Por që në kohën e zgjedhjeve të shkuara çonte kandar, se VV-së i nevojiteshin votat edhe të përkrahësve të këtyre dy deputetëve për ta marrë shumicën. E cila shumicë më pas u bë e pamjaftueshme për të marrë vendime në Kuvend për shkak të “mbrojtësve të familjes”.
Sido që të jetë, lëvizja e Korenicës dhe Rrahmanit nga VV-ja në koalicionin konservator dhe me tipare jo pak të shprehura islamike është në fakt një lloj spastrimi listash brenda VV-së që po nis që tani, një proces që gjithsesi duhet të përfundojë para fillimit të fushatës në janar të vitit që vjen.
E njëjta gjë duhet të vlente, e besoj, edhe për partitë e tjera që kanë nevojë për përtëritje kuadrosh dhe përfaqësuesish në një situatë kur brezat e vjetër duhen zëvendësuar me të rinj, pas gati 25 vjetësh parlamentarizmi të pasluftës. Partitë që e kanë mbajtur pushtetin dikur nuk mund të pretendojnë se mund t’i fitojnë zgjedhjet po qe se në listat e tyre sërish gjenden emrat e po atyre që kanë qenë pjesë e atyre pushteteve apo të atyre kuvendeve që atij pushteti ia kanë dhënë shumicën.
* * *
Derisa këto lëvizje po ndodhnin, ne e kishim kryetaren dhe kryeministrin në New York, duke marrë pjesë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Secili për vete i mbajti takimet – se çfarë doli në fund prej tyre nuk e dimë. Por ajo që përherë e më shumë po bëhet evidente është një garë e kotë dhe e panevojshme mes njërës dhe tjetrit në përfaqësimin ndërkombëtar.
Në vend se të bashkërendohen veprimet, e që të mbërrihet te sa më shumë njerëz e përfaqësues shtetesh që nuk na njohin, në formë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, ne kemi udhëtimin e të dy krerëve institucionalë në SHBA në ngjarjen e njëjtë - takime që me siguri vetëm njëri nga ta ka mundur t’i kryejë.
Kryetarja prej kohësh na e ka bërë me dije që ajo është përgjegjësja e politikës së jashtme – aq shpesh na e ka përsëritur saqë tash e kemi mësuar përmendsh. Por, tashmë e thënë, Kosova nuk mund t’i ketë tri politika të jashtme – të sajën, të ministres apo të kryeministrit. Politika e jashtme duhet të jetë një, e koordinuar mirë, me detyra qartësisht të shpërndara, dhe efikase.
E kjo politikë, në këta katër vjet, mund të quhet dështim që do të duhej t’i përshkruhej kryesisht kryetares Osmani. Dështimi për anëtarësimin në KiE, mosmarrja e as edhe një njohjeje të re dhe komunikimi paralel institucional në raport me shtetet e tjera, jo përherë i koordinuar – janë mungesë e bashkërendimit të politikës së jashtme për të cilën përgjegjëse është kryetarja e shtetit.
Nga ana tjetër, Osmani do të ketë mandat edhe një vit pas konstituimit të Kuvendit që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme të shkurtit. Duke qenë e re dhe ambicioze, nuk kam shumë dyshime se do ta synojë rizgjedhjen për edhe pesë vjet, aq sa ia lejon Kushtetuta. Por me qasjen arrogante që ka zgjedhur ta ketë karshi atyre që e kanë sjellë në këtë pozitë, nuk jam e sigurt se do t’ia dalë ta sigurojë rizgjedhjen lehtë dhe pa përfshirje të ndërkombëtarëve. Natyrisht, deri atëherë ka shumë kohë, e mbase edhe qasja e saj do të ndryshojë ndërkohë, apo mbase edhe do të sigurojë aleatë të rinj për votat që i duhen.
* * *
Ndërkohë në Prishtinë erdhi emisari gjerman, Sarrazin dhe mori pjesë në një tryezë ku na tha se Kosova i kishte vetë fajet se përse nuk u anëtarësua në Këshillin e Evropës. E tha mendimin personal se po të ishte proceduar vendimi për Deçanin disa muaj më herët, kjo punë ishte kryer. Sinqerisht nuk e di po qe se Deçani ka qenë problemi, apo ka qenë futja nëpër kapixhik e çështjes së statutit të “Zajednicës” si edhe një nga kushtet e pafund që Kosova duhej plotësuar. Sido që të jetë, Kosova mbeti jashtë Këshillit të Evropës dhe tash gjithkush mundet me na i ngrehë veshët ngado dhe për çka do.
Që prej disa javësh, aktuale është tema e heqjes së masave të sigurisë që i ka imponuar Qeveria pas kidnapimit të tre policëve në veri, po qe se Kosova do që të jetë pjesë e Procesit të Berlinit. Sërish, qasja ndaj Kosovës pa dyshim se është shumë më e ashpër sesa ndaj krejt të tjerëve, posaçërisht Bosnjë e Hercegovinës (më saktësisht Republikës Serbe), e cila, për shembull, i diskriminon qytetarët e Kosovës, por që për këtë punë as nuk qortohet e as nuk sanksionohet.
Interesi i Gjermanisë për ta shtyrë qeverinë që ta ndërrojë vendimin është super evident: ka të bëjë me mallrat gjermane, që megjithatë prodhohen në Serbi, që do të duhej të plasoheshin në tregun tonë apo në ndonjë tjetër ku Kosova do të shërbente si transit.
Dhe kur e sheh vrullin me të cilin insistohet për këtë temë nuk ka se si të mos kujtohet vizita e Scholzit dhe kontrata me Serbinë për litiumin. Është tepër e qartë se heqja e masave të sigurisë është, në fakt, kërkesë e Serbisë dhe këtë punë duhet ta kryejë Gjermania, sepse ka interes të dyfishtë: ta marrë litiumin dhe ta mbajë Serbinë të lumtur. Ta kthejë Serbinë në tregun e Kosovës prej të cilit tradicionalisht ka mbledhur nga gjysmë miliardi eurosh, për shkak se ne nuk kemi shumë çka të prodhojmë.
Po ky vrull i Sarrazinit të bën të ndihesh i pikëlluar për faktin se për më shumë se dy dekada nuk patëm asnjë investim të huaj substancial, që pos që do të krijonte vende pune, do të na e rregullonte balancën tregtare që e kemi llom.
Aq më tepër të kaplon hidhërimi për shkak se ishin pikërisht evropianët ata që e udhëhiqnin shtyllën e katërt të UNMIK-ut, atë që merrej me ekonominë dhe zhvillimin e saj. Tetë vjet i kanë pasur në duar edhe vendimmarrjen për sjelljen e ndonjë investimi të huaj, porse kjo nuk ndodhi – ose ndodhi si në Han të Elezit, me njëqind telashe.
Sarrazin na tha se askush nuk do t’i kryejë punët tona – sepse, normalisht, kjo duhet të jetë detyrë e jona. Porse nuk ka qenë përherë kështu që nga përfundimi i luftës, kur pikërisht miqtë tanë na i sollën “ekspertët” e tyre që na e mësuan zanatin e moskryerjes së punëve dhe mosdhënies përgjegjësi madje edhe për hajni. Hë për hë dy po më kujtohen: një super ekspert për KEK-un me rrogë prej 25 mijë eurosh të cilit iu dogj termocentrali, kurse ai që e kishte sjellë, Steineri, na thoshte qysh rrufeja kishte qenë shkaktare e zjarrit... apo edhe ai tjetri ekspert për KEK-un që i vodhi 3 milionë dhe i çoi në Gjibraltar.
Natyrisht se nuk do të ishte korrekte të thuhej se të gjithë ekspertët e huaj i kishim të tillë, porse është fakt i pamohueshëm se shanset për investime të huaja të qëndrueshme dhe të suksesshme ka pasur, por nuk kanë ndodhur. Ose ka ndodhur si me “Valën 900” që në vend se të merrej, ta zëmë, nga Deutsche Telekom, iu dha Monakos dhe prodhuesve të pajisjeve franceze... Pjesën tjetër të rrëfimit e kemi shkruar ne, dhe keq.
Por po, fajet për mungesë investimesh i kemi edhe ne, që mbajtëm në pushtet njerëz që nuk lëviznin gishtin pa kërkuar përqindjet e veta. Sa më e madhe përqindja dhe sa më shumë pengesa administrative, aq më pak investime, të cilat thjesht na anashkaluan dhe përfunduan ja në Serbi ja në Maqedoni.
* * *
Pra, edhe njëherë, Sarrazini thotë se askush nuk do të na i kryejë punët, se kjo është punë e jona. Por më pas kur po merret një vendim që konsiderohet punë e jona, na thuhet se nuk e kemi koordinuar dhe se atë punë duhet ndryshe ta kryejmë.
Kjo i bie “me të rrehë, e mos me të lânë me qajtë”.
Sikur te puna e sanksioneve që i hëngrëm ne në vend të Serbisë.