Në fund të korrikut, nga Zürichu në New York një biletë kthyese avioni kushton 373 franga, ndërsa nga Zürichu për në Prishtinë mbi 700 franga. Si është e mundur kjo?
Në prag të një vere të re përsëritet historia e vjetër. Mijëra shqiptarë që jetojnë në Zvicër sërish janë në ethe: si të gjejnë një biletë avioni me çmim të arsyeshëm për të fluturuar nga Zürichu në Prishtinë? Për shembull në fund të korrikut. Është kulmi i sezonit të pushimeve verore, gjithsesi e kuptueshme që çmimet të jenë më të shtrenjta se zakonisht. Por, si është e mundur që në fund të korrikut nga Zürichu në New York një biletë kthyese avioni kushton 373 franga, ndërsa nga Zürichu për në Prishtinë 720 franga?
Shitësit e biletave, pra agjencitë e ndryshme me emra futuristë dhe më pak futurist, mund të kenë shpjegimet e tyre, por nga këndvështrimi i konsumatorit (udhëtarit) ky dallim në çmime është – thënë më së buti – i dyshimtë. Linja më e shkurtër ajrore mes Zürichut dhe New Yorkut ka një distancë prej 6323 kilometra. Linja më e shkurtër ajrore mes Zürichut dhe Prishtinës ka një distancë prej 1119 kilometra. Nëse një familje me pesë anëtarë paguan nga 720 franga për biletë, atëherë matematika nuk gënjen: udhëtimi në Kosovë për vajtje-ardhje kushton 3600 franga. Nga Gjeneva, çmimi për një biletë avioni momentalisht sillet rreth 600 franga. Një grimë më lirë është bileta nga Baseli – pak mbi 500 franga (për ata që duan të fluturojnë me një kompani polake). Duket se aeroporti i Prishtinës është bërë një minierë floriri për gërmues ajrorë nga mbarë Europa.
Sipas portalit zviceran AeroTelegraph, ashtu si në vitet e mëparshme, edhe sivjet gjatë korrikut (më saktë nga 2 korriku) një kompani ajrore zvicerane çdo të hënë, të enjte dhe të premte do të fluturojë nga Zürichu në Prishtinë me një Airbus A340, një avion që zakonisht përdoret për distanca të gjata. Interesimi për të fluturuar në Prishtinë duket shumë i madh. Sipas të dhënave zyrtare, në Zvicër jetojnë rreth 200 mijë njerëz me origjinë kosovare.
Kush mendon se alternativë për të fluturuar në Kosovë mund të jetë Shkupi, e ka gabim. Edhe për në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut një biletë avioni në fund të korrikut nga Zürichu kushton 685 franga. Kush mendon të fluturojë më 24 korrik nga Zürichu për në Ohër dhe të kthehet nga atje në Zürich më 7 gusht, le të mbahet mirë për karrige kur ta shohë çmimin: 728 franga.
A ka alternativa të tjera? Bileta kthyese nga Zürichu në Selanik me një kompani ajrore greke kushton 338 franga, pra 390 franga më lirë se për në Ohër. Edhe në këtë rast, biletashitësit shqiptarë mund të gjejnë shpjegime të llojllojshme, por prapë çdo arsyetim mbetet i dyshimtë. Mund të thonë biletashitësit se jashtë sezonit nga Zürichu në Prishtinë mund të fluturohet me çmime më të lira. Kjo është e vërtetë, por prapë si është e mundur që gjatë korrikut çmimet të kërcejnë në nivele të stratosferës?
Disa shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe ndonjë nga Kosova kanë zbuluar një rrugë tjetër ajrore. Nga Zürichu në Nish (në Serbinë jugore). Jo me kompaninë serbe AirSerbia, por me kompaninë zvicerane Swiss. Me 384 franga vajtje-ardhje, çmimi është bukur i arsyeshëm, sidomos kur krahasohet me Prishtinën, Shkupin apo Ohrin. Nga Nishi në Prishtinë ardhja me taksi me gjasë nuk kushton më shumë se 100 euro. Edhe fluturimi për në Selanik nuk është alternativë që duhet hedhur poshtë, sidomos nëse keni ndonjë kushëri që mund të dalë atje t’ju marrë me veturë. E, kosovarë të Zvicrës pa kushëri në Kosovë nuk ka.
Këto ditë u dha me bujë lajmi se nga 15 korriku AirAlbania do të fluturojë nga Zürichu në Kukës. Çmimet dukeshin marrëzisht të lira, 28 euro ardhja nga Zürichu në Kukës, 12 euro kthimi. Pra, gjithsej 40 euro. Por një kërkim në webfaqen e AirAlbania flet diçka tjetër. Vajtja më 15 korrik dhe kthimi më 29 korrik kushton 254 euro. Megjithatë, ky është çmim i arsyeshëm. Dhe një rast i mirë për taksistët e Kukësit për të fituar pak para duke transportuar shqiptarët e Kosovës drejt vendlindjeve të tyre.
Në prag të një vere të re përsëritet edhe një histori tjetër e vjetër. Shtohet numri i mesazheve telefonike nga agjenci reale apo fantome, të cilat ofrojnë bileta me çmime të lira. Në të shumtën e rasteve duhet pasur kujdes nga këto agjenci. Ndonjëra mund të jetë një bandë mashtruese që shet bileta pa avion, siç ka ndodhur në të kaluarën. Këto agjenci janë duke i siguruar diku numrat e telefonit të shqiptarëve të Zvicrës dhe i terrorizojnë ata orë e çast me mesazhe. Është shkelje e ligjeve përkatëse të Zvicrës, sepse bëhet fjalë për keqpërdorim të të dhënave personale. A mund të ketë gisht Telekomi i Kosovës në shitjen e të dhënave personale?