OpEd

Më nuk mund të rrimë duarkryq

Melburn - Në marsin e vitit 1964, “New York Times” raportonte se 38 dëshmitarë panë ose dëgjuan një sulm brutal dhe përfundimisht fatal ndaj një gruaje të quajtur Kitty Genovese, por asnjëri nuk bëri asgjë që ta ndihmonte, madje askush nuk e thirri policinë. Raporti më vonë u tregua i gabuar, por "efekti i kalimtarit" është real. Siç kanë treguar shumë eksperimente psikologjike, një individ ka më pak gjasa t'i vijë në ndihmë një tjetri nëse mund të shohë se njerëzit e tjerë që mund të ndihmojnë nuk po e bëjnë këtë.

Muajin e kaluar, midis dite në një rrugë të ngarkuar në qytetin italian Civitanova Marche, Alika Ogorchukwu, një shitës ambulant nigerian, u sulmua dhe u vra në duart e një burri. Edhe pse u thirr policia dhe dikush e filmoi sulmin, askush nuk ndërhyri. Mes zemërimit të përgjithshëm, një editorial në gazetën italiane “La Stampa” e quajti këtë si shenjë se ne jemi në "muzgun e qytetërimit".

Nëse do të kishit qenë atje, a do ta kishit ndihmuar Ogorchukwu? Merrni parasysh, përpara se të përgjigjeni, se ndërhyrja do të kishte përfshirë një rrezik personal. Sulmuesi nuk përdorte armë, por si mund ta dinit që ai nuk kishte një të tillë? Dhe, edhe pa armë, ai ishte dukshëm i tërbuar dhe i fortë.

Çfarëdo që mendoni se do të kishit bërë po të ishit të pranishëm, një efekt shumë më i madh i rastit po shfaqet tani. Në këtë rast, ju mund të ndihmoni që të shpëtoni jetën e të tjerëve, pa ndonjë rrezik për vete. Për më tepër, disa nga ata që mund të shpëtoni janë nigerianë, çka e bën të mundur që të mendoni për ndihmën si shenjë të kundërshtimit tuaj ndaj dështimit për të ndihmuar Ogorchukwun.

Një raport i publikuar së fundmi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë dhe Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se nga tani deri në shtator uria mund të prekë 49 milionë njerëz në 46 vende. Vendet më të rrezikuara janë Afganistani, Etiopia, Nigeria, Somalia, Sudani i Jugut dhe Jemeni. Mosmarrëveshjet civile janë një nga faktorët kryesorë të rrezikut për urinë në këto vende, por raporti përmend gjithashtu ekstremet e motit, si stuhitë, përmbytjet dhe thatësia, dhe rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë që lidhen me luftën në Ukrainë.

E, megjithatë, një prirje shqetësuese është bërë evidente: qeveritë e vendeve të pasura po u ofrojnë më pak ndihmë të huajve. Shembulli më tipik është Mbretëria e Bashkuar, vend që gradualisht, me marrëveshje dypartiake, arriti në objektivin e Kombeve të Bashkuara për ndihmën e jashtme prej 0.7% të të ardhurave kombëtare bruto. Ky objektiv u arrit në vitin 2013 dhe u përmbush çdo vit deri në vitin 2020. Megjithatë, në vitin 2021, buxheti i ndihmës së huaj të Britanisë u ul në 0.5% dhe ka shumë të ngjarë të mbetet në atë nivel në 2022-shin.

Siç vuri në dukje Mark Lowcock, ish-sekretar i përhershëm i Departamentit të Mbretërisë së Bashkuar për Zhvillimin Ndërkombëtar në një intervistë të fundit, vendi i tij, i cili dikur ishte lider botëror në kthimin e luftimit të varfërisë ekstreme në prioritet të qartë të programit të vet të ndihmës, tani po vendos më pak theks për të ndihmuar vendet më të varfra dhe më të dobëta. Ndihma për vende si Jemeni, Sudani i Jugut dhe Somalia është shkurtuar, duke rritur humbjet e jetëve nga fatkeqësitë humanitare. Në vend të kësaj, thotë Lowcock, ndihma do të shkojë në vendet me të ardhura mesatare ku ndikimi i saj në jetën e njerëzve nuk është aq i madh sa kur shkon për ata që jetojnë nën kufirin e varfërisë ekstreme të Bankës Botërore prej 1.90 dollarësh në ditë.

Ka dy shtigje të rëndësishme në të cilat mund të shmangni të qenit indiferent ndaj vdekjeve të shmangshme të miliona njerëzve në muajt e ardhshëm.

Së pari, sipas shifrave paraprake të OECD-së, në vitin 2021, vetëm Luksemburgu, Norvegjia, Suedia, Gjermania dhe Danimarka kanë arritur ose tejkaluar objektivin 0.7% për ndihmën e huaj. Shtetet e Bashkuara mbeten ende pranë fundit të tabelës së vendeve donatore, duke dhënë vetëm 0.18%, ndërsa Australia, me 0.22%, nuk qëndron shumë më mirë. Nëse jetoni në një vend të pasur që nuk e përmbush objektivin prej 0.7%, kontaktoni përfaqësuesit tuaj të zgjedhur dhe thuaju atyre se ju vjen turp për dështimin e vendit tuaj për të bërë pjesën e tij për të krijuar një botë në të cilën të gjithë mund të plotësojnë nevojat e tyre themelore. Bashkohuni me të tjerët për të krijuar një lëvizje për më shumë ndihmë për vendet e huaja.

Së dyti, pasi ta keni bërë këtë, mos rrini vetëm duke pritur që qeveria juaj të bëjë gjënë e duhur. Bëje vetë. Nëse jeni mjaft të pasur për të shkuar në një kafene dhe për të porositur një filxhan kafe, me siguri po shpenzoni më shumë para për këtë shprehi sesa një në dhjetë njerëz që kanë në këtë planet për një ditë të tërë.

Nëse nuk dini të nxirrni më të mirën prej asaj që jeni në gjendje ta jepni, ndihma është e disponueshme në internet. Shkoni te www.thelifeyoucansave.org ose www.givewell.org dhe zgjidhni një nga organizatat bamirëse të listuara atje. Të gjitha janë vlerësuar në mënyrë të pavarur si shumë efektive dhe që ofrojnë vlerë të shkëlqyer për para. Atëherë nuk do të jesh më kalimtar indiferent dhe Ogorchukwu nuk do të ketë vdekur kot.

(Autori, profesor i bioetikës në Universitetin e Princetonit, është themelues i organizatës bamirëse “The Life You Can Save”. Librat e tij janë “Practical Ethics”, “The Life You Can Save”, “The Most Good You Can Do” dhe “Ethics in the Real World”.

Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate” , pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)