Dialogu nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka qëllim të qartë. Nëse BE-ja do vërtet të arrijë sukses në dialog, duhet të heqë disa dilema. Duhet ta bëjë të qartë se Kosova, e njohur apo jo nga Serbia dhe 5 vende të BE-së dhe 4 të NATO-s, është shtet. Duhet të thotë se dialogu nuk është për status, por për normalizim raportesh mes dy vendeve. Dhe këtë duhet ta thotë jo vetëm në Bruksel, Prishtinë e Berlin, por edhe në Beograd, Bratislavë, Madrid e Athinë. Duhet të thotë qartë se duhet të sigurohen të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë, përfshirë edhe Asociacioni, por kjo duhet të ndodhë në Kosovën si shtet, ku qytetarët do të kenë edhe të drejtat, por edhe obligimet si shtetas të saj
Kur kishte nisur dialogu para gati 13 vjetësh, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që u vendosën në pozitën e lehtësuesit zgjodhën të kenë si parim në qasje atë që u quajt në fjalorin diplomatik si “ambiguiteti konstruktiv”. Tash 13 vjet më vonë kjo qasje mbetet. Por ajo ka dëshmuar të jetë destruktive më shumë sesa konstruktive. Ka krijuar më shumë probleme sesa që i ka zgjidhur. Në vend që t’i sqarojë gjërat i ka bërë edhe më pak të qarta. Në vend që të ndihmojë në njohjen e realitetin ka krijuar edhe më shumë iluzione. Dhe në fund me këtë qasje vetë BE-ja e ka fundosur dialogun, deri në atë masë që të flitet për një mundësi të një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë. Pra ky dialog për “normalizim” e ka arritur të kundërtën, i ka bërë raportet mes Kosovës dhe Serbisë edhe më pak normale sesa që ishin para dialogut. E ku ka më pak normalitet sesa aty ku flitet për luftë.
Me “ambiguitetin konstruktiv” në BE kanë menduar në lënien e qëllimshme të mundësive për palët që, sipas nevojave, t’ia prezantojnë opinionit të tyre përkatës në mënyra të ndryshme gjërat. Këtë qasje e kishin zgjedhur bashkëpunëtorët më të ngushtë të baroneshës Catherine Ashton në mandatin e së cilës në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së kishte nisur dialogu. Gjithçka në atë proces kishte dykuptimësi apo shumëkuptimësi. Vetë fjala “lehtësues” (fasilitator) ishte zgjedhur qëllimisht për të mos thënë se BE është “ndërmjetësuese” (mediator). Sepse ndërmjetësohet mes palëve të barabarta, e për BE-në Kosova e Serbia nuk ishin, e nuk janë as sot formalisht, palë të barabarta. Sepse Serbia për BE-në është shtet e Kosova nuk është. Edhe vet dialogu për të njëjtën arsye është quajtur si dialog mes “Beogradit dhe Prishtinës”, po ashtu qëllimisht për të pasur kuptime të ndryshme dhe për të mos përmendur emrat e shteteve. Asnjëherë në Bruksel nuk i kemi parë duke u takuar Kryetarët e këtyre dy qyteteve. Ai është emëruar ashtu, për shkak se Serbia dhe 5 shtete të BE-së nuk pranojnë se Kosova ekziston si shtet. Qeveria e Serbisë vazhdon edhe pas 13 vjetësh të pretendojë se po bën dialog me “përfaqësuesit e Prishtinës”, apo “përfaqësuesit e shqiptarëve” apo me “autoritetet vetëqeverisëse nga Prishtina sipas Rezolutës 1244”. E ky emërtim ishte një zgjidhje e mirë edhe për BE-në, sepse me këtë u adresuan shqetësimet e 5 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Pa marrë parasysh shumë parulla që janë dëgjuar nga shumë liderë të Kosovës se këto vende “po lëvizin”, asnjë milimetër nuk kanë lëvizur ato. Kjo u pa edhe në votimin e tyre në Këshillin e Evropës për nisjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës ku asnjëra prej tyre nuk votoi në favor, dy abstenuan dhe tri votuan kundër. U pa edhe në shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE kur ish-presidenca suedeze nuk arriti të krijojë konsensus për të bartur mandatin te Komisioni Evropian për të vazhduar procedurën. Ambiguiteti mbeti dhe kjo u shërbeu më shumë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën sesa atyre që e kanë njohur, edhe pse shumica e madhe e ka njohur.
Më qasjen e “ambiguitetit konstruktiv”, siç kishte thënë disa herë në të kaluarën një ish-diplomat shumë i lartë i BE-së, ishte krijuar mundësia që Kosova të bindet se çështja e statusit është çështje e përmbyllur dhe nuk ka kthim prapa. Por në të njëjtën kohë, edhe Serbia dhe 5 vendet e BE-së mbajtën mundësinë për të pretenduar se çështja e statusit nuk është e kryer, pasi kjo, sipas tyre, mund të bëhet vetëm me pajtimin e Serbisë”.
Kjo qasje, pos që u dëshmua e pasuksesshme, është edhe manipuluese. BE-ja me këtë qasje është bërë edhe pjesë e mashtrimeve. Janë mashtruar edhe Serbët e Kosovës se “dialogu është për interesin e tyre” dhe se “ata po jetojnë në Serbi, sepse Kosova dhe Metohia janë pjesë e Serbisë”. Por edhe pjesë e mashtrimeve të qytetarëve të Kosovës se dialogu “është mes dy shteteve” dhe se “qëllimi i dialogut është njohja e ndërsjellë”. Shtetet liderët e të cilave po thonë se qëllimi i dialogut është njohja e ndërsjellë e kanë thënë këtë edhe më herët. Por ato nuk kanë ndikim në Serbinë që ajo ta pranojë se ky është qëllimi i dialogut. Dhe në fund ajo që u paraqit si “Marrëveshje” hoqi nga agjenda njohjen e ndërsjellë si qëllim, së paku për një periudhë të pacaktuar. Edhe këtu “lehtësuesit” e dialogut po i bëjnë favor Serbisë dhe 5 vendeve që nuk e kanë njohur duke injoruar kërkesat dhe qëndrimet e vendeve që kanë njohur Kosovën.
Kjo qasje e BE-së në dialog bëri shumë dëme për Kosovën në skenën ndërkombëtare. Serbia e shfrytëzoi për të parandaluar disa njohje dhe për të tërhequr disa prej tyre. Sepse shumë vendeve u është dukur e logjikshme kur Beogradi u ka thënë se “sikur çështja e statusit të ishte e kryer, pse atëherë po ndodh dialogu në Bruksel?”. E disa shtete të largëta kanë vendosur të mos e njohin Kosovën nëse “BE-ja nuk ka qëndrim të qartë”. Disa herë kur e kemi parashtruar këtë çështje te zyrtarët e BE-së janë irrituar, duke thënë se “nuk është ashtu”. Por nuk ka mundësi më të lehtë për të konfirmuar këtë. Le të thonë zyrtarët e BE-së formalisht se “Çështja e statusit të Kosovës për BE.-në është e kryer” dhe se “Kosova dhe Serbia po bëjnë dialogu për normalizimin e raporteve të tyre si dy shtete”. Në vend të kësaj zëdhënësi i BE-së ka thënë disa herë se “Kosova për BE-në nuk është shtet” dhe se “njohja e Kosovës nuk është qëllim i dialogut”.
Por dëmi më i madh ka qenë krijimi i konfuzionit në terren që ka shkaktuar edhe paqartësi, panik, dhunë dhe shpërthim të tensioneve. Kjo ka ndodhur sidomos me Serbët në veri të Kosovës. Ata akoma nuk e dinë se a duhet ndërruar apo jo targat e veturave, a jetojnë në Kosovë apo në Serbi, apo në “Kosovën e Metohinë si krahinë jugore e Serbisë”. Nuk e dinë a është policia e Kosovës polici e tyre apo “okupatore” siç u thotë Serbia e BE-ja heshtë. A janë Serbët që i bashkohen policisë së Kosovës profesionistë që duan t’u shërbejnë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike apo janë “tradhtarë të cilët do t’i mbulojë turpi dhe t’i gjykojë historia”.
Në vend që t’i jepet fund kësaj qasjeje destruktive, e cila u dëshmua e rrezikshme, BE-ja vazhdon të prodhojë edhe më shumë ambiguitet. Është e paqartë a ka apo nuk ka “marrëveshje të Shkurtit” dhe “aneks të Ohrit” të muajit mars. Me një logjikë të shëndoshë do të duhej të thuhet se nuk ka marrëveshje. Atë e ka fundosur ambiguiteti. Për më tepër, e ka fundosur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke refuzuar që ta nënshkruajë, duke thënë publikisht se nuk e ka pranuar e as miratuar, por vetëm është pajtuar “për një koncept normalizimi”. E BE-ja me ambiguitet është munduar të lërë përshtypjen se marrëveshja ekziston, dhe bile se ajo na qenka ”ligjërisht obliguese”, duke përdorur akrobacione gjuhësore dhe improvizime të ndryshme. Analiza e fjalorit të përdorur nga BE-ja e nxjerr atë si joserioze. Kur ka kumtuar se palët kinse na e paskan arritur marrëveshjen përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, ka thënë se “palët janë pajtuar se nuk ka më nevojë të bisedohet për tekstin”. Sipas BE-së, del që palët ishin pajtuar për tekstin. Por presidenti i Serbisë nuk vonoi të thotë se “le të thonë ata çfarë të duan”. Disa herë i quajti “gënjeshtarë” dhe “hipokritë”. E se kinse na qenka “ligjërisht obliguese” marrëveshja, BE-ja u mundua të na bindë, duke thënë se obligimi për zbatimin e saj do të jetë pjesë e kushtëzimeve për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në BE në kapitullin 35 që e ka emrin “çështjet e tjera”, e ku është vendosur kushti i normalizimit të raporteve me Kosovën. Por kjo nuk ka kuptim, pasi as negociatat e anëtarësimit, e as anëtarësimi në BE në fund të procesit, nuk janë ligjërisht obliguese. Ato janë vetëm qëllime politike dhe çështje e vullnetit të lirë demokratik.
Edhe vetë emri i marrëveshjes është plot ambiguitet. Ai nuk flet për normalizimin e raporteve, por për “rrugën drejt normalizimit të raporteve”.
tash është në një fazë të përpjekjeve të shpëtimit të dialogut. E irrituar me sjelljen e Kosovës e ka sanksionuar Kosovën. Nuk ka bërë asnjë gjë ndaj Serbisë. Dhe nuk shihet ndonjë vullnet për të ndryshuar qasjen. E dialogu nuk mund të ketë sukses nëse nuk ka qëllim të qartë. Nëse BE do vërtet të arrijë sukses në dialog duhet të heqë disa dilema. Duhet ta bëjë të qartë se Kosova, e njohur apo jo nga Serbia dhe 5 vende të BE-së dhe 4 të NATO-s, është shtet. Duhet të thotë se dialogu nuk është për status, por për normalizim raportesh mes dy vendeve. Dhe këtë duhet ta thotë jo vetëm në Bruksel, Prishtinë e Berlin por edhe në Beograd, Bratislavë, Madrid e Athinë. Duhet të thotë qartë se duhet të sigurohen të gjitha të drejtat e serbëve në Kosovë, përfshirë edhe Asociacioni, por kjo duhet të ndodhë në Kosovën si shtet, ku qytetarët do të kenë edhe të drejtat, por edhe obligimet si shtetas të saj. Përderisa vazhdon të fshihet prapa “qëndrimit neutral” ndaj statusit, që në praktikë është qëndrim negativ ndaj statusit, dialogu nuk mund të krijojë normalitet. Ndërsa ato që quhen “marrëveshje” do të kenë vetëm iluzione të krijuara të kokat e diplomatëve në Bruksel që do të injorohen nga palët dhe të krijojnë edhe më shumë probleme në terren.