OpEd

Mbrojtja e mbrojtësve të demokracisë

Përpjekje të tilla do të nevojiten më shumë se kurrë në vitet e ardhshme. Për t'u përballur me kërcënimet në rritje ndaj lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, përfaqësuesit e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare duhet të kombinojnë forcat dhe të operacionalizojnë rezultatet e konferencës së nivelit të lartë të Vjenës. Ne do të duhet të rishikojmë ligjet tona për mbrojtjen e gazetarëve dhe të nxjerrim sulmuesit para drejtësisë. Ne kemi nevojë gjithashtu për raportim më sistematik në lidhje me sulmet kundër gazetarëve, në mënyrë që t’i mbajmë mediat tona të sigurta. Vetëm duke mbrojtur gazetarët mund të mbrojmë lirinë e shtypit dhe demokracitë tona

Kur gazetarët e pavarur raportojnë për pushtimin ushtarak rus në shkallë të plotë të Ukrainës, tregojnë realitetin e luftës. Përshkruajnë barbarinë, mizorinë dhe tragjeditë humanitare që e shoqërojnë atë në mënyrë të pashmangshme. Ata u ofrojnë shikuesve raportim të saktë mbi zhvillimet në terren dhe kontribuojnë në mbledhjen e provave të krimeve të luftës për mekanizmat e ardhshëm të llogaridhënies.

Për këtë, gazetarët dhe punonjësit e medias shpesh paguajnë çmim të rëndë – madje edhe më të lartë. Më 19 shtator, gazetarja 54-vjeçare ukrainase, Zhanna Kyseliova, u rrëmbye nga shtëpia e saj në qytetin e Kakhovka. Më 30 maj, gazetari francez 32-vjeçar, Frédéric Leclerc-Imhoff, u vra ndërsa udhëtonte me transport humanitar plot me civilë të arratisur. Dy javë më parë, Oleksii Vorontsov, inxhinier i transmetuesit publik UA, u rrëmbye në Kherson. Në mes të marsit, kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski, dhe kolegia e gazetarja ukrainase, Oleksandra Kuvshynova, u vranë kur automjeti i tyre u qëllua. Në të njëjtën kohë, fotoreporteri ukrainas, Maks Levin, u zhduk dhe më vonë u gjet i vrarë pranë Kievit.

Të paktën tetë gazetarë dhe punonjës të tjerë të medias janë vrarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre që kur Rusia filloi luftën e saj të agresionit në Ukrainë, në shkurt. Shumë të tjerë janë plagosur, rrëmbyer dhe keqtrajtuar.

Lufta është situatë ekstreme. Por gazetaria nuk është e sigurt edhe në mjedise paqësore. Shumë gazetarë e kryejnë punën me frikë të vazhdueshme nga kërcënimet dhe sulmet. Dhe mos bëni gabim: kërcënimi akut për punonjësit e medias nuk është problem i largët. Globalisht, duke përfshirë edhe rajonin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), siguria e punonjësve të medias është nën presion të vazhdueshëm dhe në rritje. Gazetarët përballen me një breshëri kërcënimesh online dhe offline, mbikëqyrje, frikësim, sulme fizike dhe burgosje. Është shqetësues fakti se gazetaret femra janë gjithnjë e më shumë në shënjestër si gazetare dhe si viktima të dhunës seksuale dhe të dhunës me bazë gjinore, veçanërisht në internet.

Kur gazetarët kërcënohen, kërcënohen edhe komunitetet dhe shoqëritë tona. Kur ata që ofrojnë faktet për të informuar qytetarët sulmohen, themeli i shoqërisë është në rrezik. Mediat e lira, të pavarura dhe pluraliste janë po aq të nevojshme për demokracinë sa zgjedhjet, parlamentet dhe gjyqtarët e pavarur.

Pandemia tregoi nevojën për informacion të besueshëm. Çdo politikë e madhe e qeverisë ka nevojë për të paktën një pjesë të vogël të mbështetjes publike në një demokraci. Në të njëjtën kohë, pandemia shkaktoi mosbesim të thellë te gazetarët, me demonstruesit, trollët në internet dhe aktorët politikë oportunistë që nxisin dhunën kundër "mediave kryesore" të urryera ose atyre që i perceptojnë si furnizues të "lajmeve të rreme".

Ne duhet ta ndryshojmë këtë prirje. Fati i demokracive tona varet nga aftësia e gazetarëve për t'u shprehur lirisht dhe për të punuar në mënyrë të sigurt. Sigurimi i kësaj nuk është detyrë e lehtë dhe qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare nuk mund ta bëjnë të vetme. Ndryshimet e mëdha shoqërore kërkojnë përpjekje të përbashkët në të gjitha nivelet e shoqërisë. Ndërsa kjo përpjekje është pa dyshim e vështirë për t'u realizuar, ne duhet të fillojmë diku duke i kushtuar më shumë vëmendje çështjes dhe duke forcuar mbështetjen për iniciativat që mbështesin këtë punë vendimtare.

Dhjetë vjet më parë, Kombet e Bashkuara miratuan Planin e Veprimit të OKB-së për Sigurinë e Gazetarëve dhe Çështjen e Mosndëshkimit, përpjekja e parë e bashkërenduar globalisht për të krijuar mjedis të lirë dhe të sigurt për punonjësit e medias. Është koha për t'u mbledhur sërish për të diskutuar sfidat e reja dhe në zhvillim dhe për t’i dhënë shtysë të re zbatimin të planit.

Për këtë, Ministria e Jashtme e Austrisë, së bashku me Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) dhe Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut organizuan një konferencë të nivelit të lartë më 3 dhe 4 nëntor në Vjenë. Qëllimi është të riafirmohet angazhimi ndërkombëtar për sigurinë e gazetarëve dhe të krijohet një platformë për avancimin e objektivave të planit.

Njëzet e pesë vjet më parë, OSBE-ja vendosi Mandatin e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias (RFoM). Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së kishin nevojë për një mbikëqyrës të pavarur për t'i shqyrtuar dhe ndihmuar në punën drejt qëllimit të lirisë së vërtetë të medias. Që atëherë, ROM-i ka mbrojtur me vendosmëri kontributin e rëndësishëm të lirisë së mediave për sigurinë. Ndërhyrje të panumërta janë bërë ku gazetarët janë sulmuar për punën e tyre, kufizohet pluralizmi mediatik, është penguar raportimi investigativ apo është kriminalizuar fjala e lirë. Shumë ligje janë përmirësuar dhe janë ngritur masa të shumta mbrojtëse.

Përpjekje të tilla do të nevojiten më shumë se kurrë në vitet e ardhshme. Për t'u përballur me kërcënimet në rritje ndaj lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve, përfaqësuesit e shteteve dhe organizatave ndërkombëtare duhet të kombinojnë forcat dhe të operacionalizojnë rezultatet e konferencës së nivelit të lartë të Vjenës. Ne do të duhet të rishikojmë ligjet tona për mbrojtjen e gazetarëve dhe të nxjerrim sulmuesit para drejtësisë. Ne kemi nevojë gjithashtu për raportim më sistematik në lidhje me sulmet kundër gazetarëve në mënyrë që të mbajmë mediat tona të sigurta. Vetëm duke mbrojtur gazetarët mund të mbrojmë lirinë e shtypit dhe demokracitë tona.

(Alexander Schallenberg është ministër i Jashtëm austriak. Teresa Ribeiro është përfaqësuese për lirinë e medias në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)