Në këtë debat, i cili nuk i konvenon askujt, pos atyre që e kërkojnë shtrenjtimin, përvidhet një informatë që të bën të mendosh se a ta qet më lirë të punosh me gjenerator sesa të detyrohesh të blesh rrymë në “tregun e liberalizuar”, që askush nuk e kupton se si funksionon, nëse ke kompani me mbi 50 punëtorë dhe ke qarkullim mbi 10 milionë euro. Pra kompani me mbi 50 punëtorë janë mediumet. A mund të trajtohen njësoj sikur ndërmarrjet prodhuese, të dyerve ta zëmë? Normalisht nuk do të duhej. Ama këtu, krejt bën edhe kështu. E bën edhe ashtu
Çka na solli java e kaluar? Certifikimin e rezultateve (çfarë lumturie); klasifikimin e Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve, me një hat-trick për mbamendje të Muriqit; njohja e shtetit nga Kenia dhe betimin e brezit më të ri të rekrutëve të FSK-së.
Por e solli edhe nisjen e serisë së përkujtimeve të masakrave që ndodhën posa nisi bombardimi i NATO-s kundër caqeve serbe më 1999; një rënie skandaloze të Kurtit në kurthin e dy komedianëve rusë; raportimin e pandërprerë për mungesën e barnave esenciale në institucionet shëndetësore publike, faturat zhvatëse të “Termokosit”, si dhe debatin e pafund për shtrenjtimin ose jo të rrymës.
E mes rreshtash në këtë debat, i cili nuk i konvenon askujt, pos atyre që e kërkojnë shtrenjtimin, përvidhet një informatë që të lë gojëhapur e të bën të mendosh se a ta qet më lirë të punosh me gjenerator sesa të detyrohesh të blesh rrymë në “tregun e liberalizuar”, që askush nuk e kupton se si funksionon, nëse ke kompani me mbi 50 punëtorë dhe ke qarkullim mbi 10 milionë euro.
Pra kompani me mbi 50 punëtorë janë mediumet. A mund të trajtohen njësoj si ndërmarrjet prodhuese, të dyerve ta zëmë? Normalisht nuk do të duhej. Ama këtu, krejt bën edhe kështu. E bën edhe ashtu.
* * *
Pra, rezultatet më në fund u certifikuan një muaj e gjysmë pasi që u mbajtën zgjedhjet. Ankesë pas ankese, krejt u refuzuan, por VV-ja e vazhdon betejën tash në Kushtetuese, ani që kjo nuk e ndal zbatimin e vendimit për certifikimin e rezultateve.
Osmani u lajmërua dje për të thënë se së shpejti do të caktohet dita kur do të thirret seanca konstitutive e Kuvendit, edhe pse Kuvendi do të konsiderohet i konstituuar në çastin kur zgjidhet kryesia e Kuvendit, e për të cilën gjë nuk ka afat të përcaktuar.
Pra, deputetët edhe do të mund ta japin betimin, porse jo domosdo do të konstituohet legjislatura e radhës, nëse ashtu vendoset të veprohet. Por mbase këto parti e këta deputetë nuk do të duheshin harruar, për shkak se legjslatura e shkuar nuk e ka ratifikuar si marrëveshjen për kredi me BE-në, nuk do të mundet t’i marrë nja 60 milionë parafinancim nga BE-ja, që mund të jenë edhe grante.
* * *
Nga shifrat e dala pas certifikimit, është e qartë që VV-ja nuk do të mund të qeverisë vetë, as me pakicat, se nuk i dalin numrat. Kjo medoemos na shtyn në situatën ku kjo parti duhet të peshkojë deputetë nga partitë e tjera, po qe se e do një shumicë shumë të brishtë, ose duhet seriozisht të ulet e të bisedojë me partitë opozitare për të gjetur zgjidhje. Ose duhet të vendosë të dalë në opozitë.
Që të gjitha këto kombinime do të duheshin pasur parasysh në rend të parë interesin e qytetarëve të Kosovës – a na konvenon të jetojmë në një limbo, ku nuk e dimë nëse kemi apo s’kemi madje qeveri në detyrë, sepse supozohet se duhet dhënë dorëheqje ata që janë në detyrë për ta marrë postin e deputetit.
Tash, është e vërtetë se kjo është hera e parë që një qeveri e kryen mandatin e plotë dhe se nuk dihet se si do të duhej vepruar. Mbase për këtë do të duhej një interpretim i Kushtetueses, ashtu siç na e pati bërë lëmsh me zgjedhjen e qeverisë para sa vitesh, kur interesi politik i momentit ka qenë që PDK-ja të mbetej në pushtet.
Nejse, besohet se deri nga mesi i prillit do të kemi Kuvend të konstituuar. E për qeveri, me siguri aty nga mesi a fundi i këtij muaji. Nëse ka marrëveshje. Çfarëdo. Në të kundërtën, shumë lehtë shkojmë në zgjedhje të reja, për kot.
* * *
Certifikimi e solli një deklaratë të re nga bartësi i listës i PDK-së. Bedri Hamza hoqi dorë nga posti i deputetit, për të mbetur kryetar komune në Mitrovicë, apo për t’u bërë eventualisht anëtar kabineti qeveritar.
Deklaroi se ishte i gatshëm ta merrte detyrën për ta formuar qeverinë, por e formuloi asisoj që kjo më shumë i referohej një qeverie të mundshme krijuar nga opozita, ndërkohë që nuk tërhoqi vija të kuqe as me VV-në. Topin e hodhi te VV-ja, e cila do të duhej të reflektonte dhe të vendoste se çka është më e mira për qytetarët: një krizë e kotë politike, apo një qeveri stabile me numra të mjaftueshëm për të kaluar ligje e marrë vendime shtetërore.
Se a do të ishte një qeveri e mundshme VV-PDK më e mira për Kosovën, këtë nuk e di. Porse qeveria solo e VV-së me pakicat në katër vjetët e fundit u dëshmua e ngathët, jo efikase dhe një që e humbi rastin historik për ta bërë ndryshimin rrënjësor. E pati pushtetin, por nuk diti.
Këto dy parti bashkë do t’i kishin 72 ulëse, plus 8 ulëset e pakicave do ta siguronin kuorumin dhe votat për të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe për zgjedhjen e kryetarit/kryetares vitin tjetër, dhe kështu do të shmangeshin zgjedhjet e reja.
* * *
Pra, derisa partitë tona të vendosin se si do t’ia bëjnë me formimin e qeverisë së re, ne qytetarët jemi të ftuar të marrim pjesë në një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës, sot një javë, pra me datën 5 prill.
Dje doli një letër e gjatë nga zyra e kryetares në të cilën argumenti më i fortë është që ZRRE-ja nuk do të duhej ta shkelte ligjin – një diçka që miku im Shenolli, qytetari më aktiv në argumentimin se ky vendim i ZRRE-së ka shumë bishta pas, e thoshte që nga fillimi: se ligji e detyron ZRRE-në që vendimin ta marrë në interes të qytetarëve.
Përderisa nga zyra e kryetares propozonin që të hiqej TVSH-ja prej 8% nga faturat e rrymës, Shenolli e bëri një paraqitje me 40 argumente, pasi i analizoi shifrat dhe konstatoi se me vite të tëra, ZRRE-ja u ka mundësuar kompanisë së distribuimit dhe asaj të transmisionit që t’i mbulonin humbjet e tyre (reale apo imagjinare, ec e dije) nëpërmjet fryrjes së faturave.
Njëra nga to konstatonte se po qe se aplikohet rritja e propozuar, atëherë del se nga viti 2021, çmimi i rrymës do të ishte 126% më e shtrenjtë.
Shumë do të doja që edhe rrogat në sektorin privat të na ishin rritur bile kaq, por jo. E këtë fakt as ZRRE e askush nuk e merr parasysh. Kështu do ta shpjegonte Shenolli: “Kur argumentohet se Kosova e ka energjinë më të lirë në Evropë”, pohimi është i pajustifikueshëm në praktikë. Në një vend të BE-së, ku paga mesatare është 5,000 euro dhe fatura e rrymës 100 euro, kjo përfaqëson vetëm 2% të të ardhurave mujore. Në Kosovë, ku paga mesatare është rreth 500 euro dhe fatura mund të jetë gjithashtu 100 euro, energjia përbën 20% të të ardhurave. Ky nuk është thjesht një dallim teknik. Është një pabarazi, nuk mund t’i krahasosh dardhat me mollët. Rryma nuk është e lirë nëse qytetari mesatar duhet të shpenzojë një të pestën e të ardhurave vetëm për ta paguar atë”.
Pra, në këtë kontekst, edhe duhet shikuar obligimin e ZRRE-së që ta ketë parasysh mirëqenien e qytetarëve kur i merr vendimet. Pra duhet ta mbrojë konsumatorin. E me ta mbrojtur atë, e mbron edhe komplet strukturën ekonomike të Kosovës. Rritja e propozuar do të shkaktojë inflacion dhe pasoja të rënda në ekonomi. Për ta shmangur atë, Shenolli e jep një propozim shumë praktik, që për dallim nga ndarja e 100 eurove gjatë fushatës zgjedhore, është pragmatike dhe jopopulliste: “Pas rishikimit të të hyrave të lejuara për KOSTT-in dhe KEDS-in, ndërkohë që të hyrat për KESCO-n mbeten të pandryshuara, dhe pas propozimit për një subvencion prej 72 milionë eurosh nga Qeveria, ZRRE-ja nuk ka më arsye të propozojë rritje tarifash për vitin 2025. Këto shuma nuk duhet t’u kalojnë qytetarëve përmes faturave - ata dhe ekonomia duhet të mbrohen nga tarifat dhe rritja e sidomos nga inflacioni tjetër. Kjo është zgjidhja që ruan stabilitetin ekonomik dhe fuqinë blerëse të qytetarëve, pa i dëmtuar as operatorët. E ruan nderin dhe kredibilitetin e ZRRE-së”.
* * *
Shumë vjet merremi me punën e rrymës, që do të thotë se nuk e kemi zgjidhur, pra është problem që e zvarrisim me vite. Më në fund u gjet një mik që ua çmontoi skemën, pra edhe e falënderoj për që u bë autor (pa dashje tijen) i këtij shkrimi.
Po ta kishim humbur gjithë këtë energji për ta zhvilluar veten në të gjitha këto vite, kushedi se ku do të kishim mbërritur deri tash.
Po ja që ende merremi me tarifa që shkaktojnë inflacion, e me inate që kurrë nuk pësuan defacion.