OpEd

Mbrojtja dhe zbatimi i markave tregtare në Kosovë

Pronësia intelektuale përbën një komponent kyç për zhvillimin ekonomik dhe nxitjen e inovacionit. Megjithatë, në Kosovë, kjo fushë ende gjendet në një fazë të palakmueshme të zhvillimit. Edhe pse legjislacioni është përmirësuar dhe është harmonizuar me standardet evropiane, sfidat në zbatimin praktik vazhdojnë të jenë të pranishme.

Pavarësisht këtyre vështirësive, ekziston një potencial i madh për përmirësim. Kosova mund të ndërtojë një kulturë më të fortë të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale përmes veprimeve konkrete si:

- Edukimi i bizneseve – Zhvillimi i programeve trajnimi dhe edukimi për rëndësinë dhe funksionimin e pronësisë intelektuale.

- Rritja e ndërgjegjësimit publik – Organizimi i fushatave për të theksuar rolin e pronësisë intelektuale në inovacion dhe zhvillim.

- Forcimi i zbatimit të ligjit – Ndërtimi i kapaciteteve institucionale për zbatim më të efektshëm të ligjeve dhe mbrojtje të drejtave të autorëve dhe pronarëve.

Nëse keni një biznes aktiv në Kosovë apo planifikoni të hyni në treg, atëherë regjistrimi i markës tregtare duhet të jetë një nga prioritetet tuaja kryesore.

Shpesh, marka tregtare ngatërrohet me emrin tregtar, por është e rëndësishme të kuptojmë se bëhet fjalë për dy koncepte të ndryshme. Emri tregtar është emri zyrtar i biznesit që regjistrohet pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), ndërsa marka tregtare është një shenjë dalluese që identifikon produktet ose shërbimet e një kompanie dhe regjistrohet pranë Agjencisë për Pronësi Industriale (API).

Duke qenë se këto janë dy kategori të ndara dhe me rëndësi të veçantë, rekomandohet që, paralelisht me regjistrimin e biznesit, të bëhet edhe regjistrimi i markës tregtare.

Marka tregtare është një shenjë (si p.sh. emër, logo, simbol ose kombinim i tyre) që dallon produktet ose shërbimet e një kompanie nga ato të një kompanie tjetër konkurrente.

Markat tregtare luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e imazhit dhe reputacionit të një biznesi, duke tërhequr klientë të rinj dhe forcuar marrëdhëniet me ata ekzistues. Ato janë thelbësore për suksesin afatgjatë të një kompanie, pasi ndihmojnë në identifikimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve. Për këtë arsye, çdo kompani duhet të konsiderojë investimin në menaxhimin dhe mbrojtjen e markave të saj tregtare si një hap strategjik.

Marka tregtare është një shenjë dalluese që përdoret për të identifikuar produktet ose shërbimet e një kompanie nga ato të kompanive të tjera. Ajo u mundëson konsumatorëve të njohin burimin e një produkti dhe luan një rol kyç në ndërtimin e identitetit dhe besueshmërisë së biznesit në treg.

Markat tregtare mund të përfshijnë një gamë të gjerë elementesh të dallueshëm, si: fjalë, shkronja dhe numra, simbole, skica apo logo, shenja tredimensionale (si forma ose paketimi i produktit), shenja dëgjimore (si tinguj ose melodi karakteristike), ngjyra apo aroma specifike, nëse ato përmbushin kriteret dalluese.

Të drejtat mbi markat tregtare janë të natyrës territoriale, që do të thotë se ato vlejnë vetëm brenda juridiksionit ku janë regjistruar. Në Kosovë, një markë e regjistruar mbrohet nga legjislacioni vendor dhe konsiderohet pronë intelektuale me të gjitha të drejtat përkatëse brenda territorit të saj.

Nëse planifikoni të zgjeroni biznesin në tregje ndërkombëtare, duhet të aplikoni për regjistrimin e markës edhe në ato vende ku planifikoni të veproni. Një markë e regjistruar në Kosovë nuk gëzon mbrojtje automatike edhe në vende të tjera, përveç nëse regjistrohet sipas legjislacionit përkatës të atyre vendeve.

Aplikimi për regjistrimin e një marke tregtare në Kosovë bëhet pranë Agjencisë për Pronësi Industriale (API), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë

Me qëllim që një shenjë të njihet dhe të mbrohet si markë tregtare, ajo duhet të përmbushë disa kushte thelbësore. Një ndër kushtet esenciale është dallueshmëria, pra të jetë në gjendje të identifikojë qartë një produkt apo shërbim në treg dhe të dallojë nga të tjerët. Kriter tjetër po aq i rëndësishëm është që marka të mos jetë e ngjashme ose identike me ndonjë markë tjetër të regjistruar më parë. Po ashtu, markat nuk duhet të jenë mashtruese pra nuk duhet të çorientojë apo mashtrojë konsumatorin dhe të mos shkelë rendin publik ose moralin.

Për të shmangur konfliktet ligjore dhe refuzimin e aplikimit, rekomandohet që përpara se të dorëzoni aplikimin, të kryeni një hulumtim paraprak në regjistrin online të markave të regjistruara/aplikuara, për të parë nëse ekziston ndonjë markë identike ose e ngjashme me atë që ju planifikoni të regjistroni. Regjistrimi i një marke tregtare fillon me paraqitjen e aplikacionit pranë Agjencisë për Pronësi Industriale (API). Aplikuesi duhet të plotësojë të gjitha të dhënat e kërkuara në formularin zyrtar dhe të dorëzojë dokumentacionin përkatës.

Pasi aplikacioni të shqyrtohet nga API-ja, marka publikohet në Buletinin Zyrtar të Agjencionit për Pronësi Industriale. Ky hap i publikimit u jep mundësinë palëve të treta – përfshirë pronarët e markave të regjistruara më herët – të paraqesin kundërshtime ndaj regjistrimit të markës së re, nëse konsiderojnë se ajo bie ndesh me të drejtat e tyre ekzistuese.

Pasi të jetë regjistruar, marka tregtare i garanton pronarit të saj mbrojtje ligjore dhe të drejtë ekskluzive për përdorimin e saj, si për qëllime tregtare ashtu edhe për identifikimin e mallrave apo shërbimeve që përfaqëson. Pronari  i markës nder te tjera, gëzon:

- Të drejtën ekskluzive për përdorimin e markës në lidhje me produktet ose shërbimet për të cilat është regjistruar;

- Të drejtën për të ndaluar palët e treta nga përdorimi i markës ose i shenjave të ngjashme pa autorizim;

- Të drejtën për të licencuar markën tek palë të treta (p.sh. nëpërmjet marrëveshjeve të licencimit apo franshizës);

- Të drejtën për ta transferuar pronësinë e markës, duke ia shitur ose dhuruar një pale tjetër që më pas bëhet pronari i ri.

Këto të drejta i mundësojnë pronarit të ruajë kontroll të plotë mbi mënyrën e përdorimit të markës dhe mbi reputacionin që ajo ndërton në treg dhe forcimin e pozitës konkurruese.

Pas regjistrimit, fillon edhe zbatimi praktik i të drejtave, ku pronari mund të ushtrojë këto autorizime në mënyrë aktive për të mbrojtur interesat e tij dhe për të siguruar pozicionin konkurrues të markës në treg.

Në rastet e shkeljes së të drejtave mbi markën tregtare, pronari ka të drejtë të ndërmarrë masa ligjore për mbrojtjen e interesave të tij. Këto masa mund të ndërmerren përmes disa rrugëve ligjore. Pronari i markës mund të paraqesë padi pranë Gjykatës Komerciale në Prishtinë, konkretisht në Departamentin për Çështje Ekonomike, për të ndaluar përdorimin e paautorizuar të markës tregtare.

Në rastet kur shkelja përbën vepër penale, si p.sh. rast falsifikimi ose përdorimi i paautorizuar me qëllim mashtrimi, pronari mund të kërkojë ndjekje penale të kryesve dhe aplikimin e ndëshkimeve ligjore përmes organeve kompetente të drejtësisë.

Institucionet si Agjencioni për Pronësi Industriale (API), Dogana e Kosovës dhe Inspektorati i Tregut luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen administrative të markave tregtare. Dogana ka të drejtë të ndalojë importin ose eksportin e mallrave që dyshohet se shkelin të drejtat e pronarëve të markave, ndërsa  API dhe Inspektorati i Tregut mund të ndërhyjnë në raste të përdorimit të markave në mënyrë të paligjshme.

Zbatimi i të drejtave mbi një markë të regjistruar është një proces që përfshin bashkëpunimin me disa institucione ligjore dhe administrative. Pronari i markës duhet të jetë i informuar dhe aktiv në mbrojtjen e saj për të siguruar integritetin dhe vlerën komerciale që marka përfaqëson në treg.

Mbrojtja e pronësisë intelektuale, është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës. Ajo inkurajon inovacionin dhe kreativitetin duke rritur kështu edhe besimin e investitorëve për një ambient më të qëndrueshëm dhe të ndershëm për bizneset dhe artistët.

Bizneset duhet t’u kushtojnë rëndësi të veçantë aseteve të paprekshme si markat tregtare sepse përmes tyre kanë mundësi të krijojnë identitet të veçantë duke dalluar produktet ose shërbimet e tyre në treg nga konkurrentët. Duke forcuar brendin dhe imazhin e kompanisë, bizneset mund të përfitojnë nga  mundësi të reja shfrytëzimi, si licencimi apo franshiza.

Pra, regjistrimi i markës tregtare nuk është vetëm një formalitet – është një hap strategjik për ndërtimin e një brendi të fortë dhe të mbrojtur. Krijo identitetin e kompanisë tënde sot!

(Autorja është avokate dhe agjente për marka tregtare dhe patenta)