OpEd

Mbrojtja boshe e fjalës së lirë e Trumpit

Masat mbrojtëse fundamentale që e ruajnë dinjitetin individual, autonominë dhe lirinë e shprehjes duhet të bazohen në një vlerësim të kujdesshëm të kushteve që gjenerojnë nivele të papranueshme të dëmit shoqëror dhe politik. Shikuar nga ky këndvështrim, akuzat federale kriminale kundër Trumpit për konspiracionin e zmbrapsjes së rezultatit zgjedhor të 2020-s u shërbejnë interesave vitale kombëtare, përfshirë integritetin e vetë Amendamentit të Parë të Kushtetutës

Në përgjigjen ndaj aktakuzës që e ngarkon Donald Trumpin për konspiracionin e zmbrapsjes së zgjedhjeve presidenciale të 2022-s në SHBA dhe të mbetjes së tij në pushtet, avokatët dhe mbrojtësit e ish-presidentit argumentojnë se ai thjesht e ka ushtruar të drejtën për fjalë të lirë, të garantuar me Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Për ta kuptuar rastin duhet që para së gjithash të kuptohet se ku mbaron fjala e lirë dhe ku nis mashtrimi kriminal.

Vetë fakti se veprimet e Trumpit konsistuan prej fjalëve nuk i bën ato të mbrojtura me Kushtetutë. Përkundrazi, krimet e shumta i nënkuptojnë kufijtë në lirinë e shprehjes. Për shembull, është e paligjshme të gënjehen zyrtarët e zbatimit të ligjit apo të një jurie, dhe që një produkt të keqprezantohet si i sigurt, kur në fakt nuk është. Ju mund të mos e nxisni qëllimshëm një dhunë në ardhje, ta diskreditoni me vetëdije reputacionin e dikujt apo t’i paraqisni të miturit në mënyra eksplicite seksuale. Ligjet për këto dhe çështje të tjera ekzistojnë për një qëllim të mirë: e mbrojnë shoqërinë nga dëmet evidente.

Në një demokraci liberale, rrezikimi i qëllimshëm i sistemit elektoral mund të jetë dëmi më i madh nga të gjithët. Kjo edhe është arsyeja përse ka ligje që e mbrojnë legjitimitetin dhe paanësinë e zgjedhjeve, duke e ndaluar përhapjen e vetëdijshme apo të pamatur të deklaratave demonstrativisht të rreme. Në shumë shtete ju nuk mund të ndërhyni qëllimshëm në dhënien e së drejtës për votë, duke gënjyer për mënyrën se si duhet të jepet vota apo duke krijuar fletëvotime të rreme. As nuk mund të gënjeni rreth përkatësisë së fushatës apo në deklarata fushate a reklamime politike. Në akëcilin rast, çorientimi i qëllimshëm apo ngatërrimi i votuesve rreth çështjeve apo kandidatëve mund të rezultojnë të jenë të paligjshme.

Teksa fjalimi, i vlerësuar mes shoqërisë, kurrë nuk duhet të minimizohet nga Qeveria, aktet e fjalimit që përmbajnë mashtrim moral apo komercial – të cilat, në fakt, operojnë si “akte të antifjalimit” – duhet të dekurajohen dhe mund të ndalohen në interes të parandalimit të dëmeve domethënëse shoqërore e politike.

Askush nuk mendon se liria individuale pëson për shkak se është e paligjshme që të gënjehet FBI-ja apo të jepen qëllimshëm deklarata të rreme rreth fitimeve apo produkteve të korporatave. Vlera për shoqërinë, e ofruar nëpërmjet këtyre mbrojtjeve, peshon theksueshëm mbi koston. Siç kam argumentuar kudo, rregullimi i akteve të fjalimit që kanë për synim trazimin e proceseve demokratike e pason një logjikë të ngjashme.

Shpesh, shqetësimet rreth rreziqeve të mbrojtjes së fjalimit e eklipsojnë nevojën po aq bindëse, por ndonjëherë konkurruese, për t’i ruajtur kushtet minimale për treg të fortë të mendimeve dhe ideve.

Nganjëherë, veprimi i shprehur që e rrezikon fjalën e lirë përnjëmend shkakton dëm të papranueshëm; por ndonjëherë, siç është rasti me ligjet që i rregullojnë aktet e fjalimit që nxit dhunë të pashmangshme apo që ngërthen mashtrim për publikun, parandalimi i dëmit të papranueshëm kërkon qasje të kufizuar në informacion apo kufizim të shprehjes.

Ruajtja e integritetit të procesit elektoral është një imperativ që e tejkalon përkatësinë politike të palës.

Shoqëritë liberale demokratike janë të thirrura të ndërmarrin hapa të duhur për ta mbrojtur integritetin e zgjedhjeve. Ato janë njashtu të thirrura që të demonstrojnë mostolerim kundruall mostolerimit, ngase, le ta parafrazoj gjykatësin e Gjykatës Supreme, Robert Jackson, demokracia nuk është pakt i vetëvrasjes. Udhëzimi parësor i çdo kushtetute duhet të jetë krijimi dhe mbrojtja e kushteve minimale që kërkohen ashtu që regjimi kushtetues të mbijetojë dhe të avancojë. Ata që, në emër të fjalës së lirë, do të humbin fuqinë për t’i rregulluar praktikat joliberale që e pengojnë ushtrimin kuptimplotë të fjalës së lirë, mbështeten në një paradoks që as nuk munden dhe as nuk do të duhej ta pranonin.

Rregullimi shtetëror i akteve të antifjalimit nuk ka të bëjë me censurimin e ideve jopopullore apo me shtypjen e mendimeve mospajtuese. Ka të bëjë me sigurimin e infrastrukturës së demokracisë, ashtu që një gamë e ndryshme e mendimeve dhe e ideve të mund të qarkullojë lirshëm. Kjo është mënyra e vetme se si diskutimi i informuar (kolektiv dhe individual) mund të vazhdojë.

Prioriteti kryesor i një demokracie duhet të jetë garantimi i një ekosistemi të komunikimit, në të cilin mund të marrin pjesë të gjithë qytetarët, pa qenë të ngarkuar nga përpjekjet e qëllimshme (të huaja apo të brendshme) për ta rrëmbyer kuptimin e komunikimit politik. Nëse një demokraci nuk mund ta ruajë besimin në procesin e diskutimit, atëherë ditët e saja janë të numëruara.

Ata që e kërkojnë një avantazh të padrejtë në zgjedhje, me anë të përmbysjes së qëllimshme të diskursit demokratik, e humbin mbrojtjen në të cilën thirret diskursi demokratik. E drejta kushtetuese për liri të shprehjes nuk është mburojë për fjalën e rreme. Ruajtja e integritetit të zgjedhjeve dhe e idealit demokratik për diskurs diskutues, jo më pak sesa ruajtja e tregut ekonomik, e kërkon këtë kufizim.

Premtimi për liri pa një kornizë të duhur ligjore e politike për ta siguruar atë, është i kotë.

Masat mbrojtëse fundamentale që e ruajnë dinjitetin individual, autonominë dhe lirinë e shprehjes duhet të bazohen në një vlerësim të kujdesshëm të kushteve që gjenerojnë nivele të papranueshme të dëmit shoqëror dhe politik.

Shikuar nga ky këndvështrim, akuzat federale kriminale kundër Trumpit për konspiracionin e zmbrapsjes së rezultatit zgjedhor të 2020-s u shërbejnë interesave vitale kombëtare, përfshirë integritetin e vetë Amendamentit të Parë të Kushtetutës.

(Richard K. Sherwin, profesor emeritus në Shkollën e Drejtësisë në New York, është autor i librit: “When Law Goes Pop: The Vanishing Line between Law and Popular Culture”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)