OpEd

Mbreti dhe mesha - me ortodoksë, katolikë dhe myslimanë

Si e pritën shqiptarët Princin Wilhelm zu Wied në Durrës në mars të vitit 1914?

Në vjeshtën e vitit 1913, vetëm disa muaj para se të shpërthente Lufta e Parë Botërore, shtypi në gjuhën shqipe raportonte me simpati mbi kandidaturën e princit gjerman Wilhelm zu Wied për sundimtar të Shqipërisë. Shqiptarët e quanin “Mbret” para se ai të vinte në Shqipëri. Sipas publicistit austriako-çek, Leo Freundlich, gazeta “Atdheu” shprehte dëshirën që Wilhelm zu Wied të bëhej sa më shpejt Princ i Shqipërisë me bindjen se fati dhe nderi i atdheut do të jenë të sigurta në duart e tij. 
Gazeta “Atdheu” shpresonte se Wilhelm zu Wied do të arrijë të zgjerojë Shqipërinë dhe të jetë pasardhës i denjë i Skënderbeut. Kur nga fundi i nëntorit 1913 u bë e ditur se Fuqitë e Mëdha kanë përzgjedhur Wilhelm zu Wied për kreun e shtetit shqiptar, jo vetëm qeveria e përkohshme në Vlorë e priti me gëzim këtë lajm. Gazeta “Perlindja e Shqipëniës” njoftonte se tashmë po zhvilloheshin bisedime që Kalaja e Kaninës, seli e familjes Vlora, t’i vihej në dispozicion Mbretit Wilhelm zu Wied.
Por Mbreti nuk erdhi së pari në Vlorë. Më 7 mars 1914 ai zbarkoi në Durrës bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tyre. Ishte nisur nga Triesta në bordin e “Taurus”-it, një anije e marinës luftarake austro-hungareze. Atasheu konsullor austro-hungarez Theodor von Hornbostel raportoi në Vjenë se shfaqjet e besnikërisë së shqiptarëve “nuk lanë asgjë për të dëshiruar sa i përket entuziazmit... Ndriçimi festiv i qytetit, fishekzjarrët, demonstratat patriotike dhe parakalimet i dhanë fund programit të festimeve, të cilat lanë një përshtypje të thellë dhe të kënaqshme te të gjitha shtresat e popullsisë”. Siç shkruan publicisti Ilir Ikonomi në veprat e tij mbi Esad Pashë Toptanin dhe Fan Nolin, ditën kur erdhi Wilhelm zu Wied, një orkestër italiane luajti në Durrës himnin austriak, gjerman, francez dhe italian. 
Dy ditë më vonë, më 9 mars 1914, në qytetin bregdetar shqiptar erdhi një personalitet tjetër prominent: Fan Noli. Një ditë më vonë Noli mbajti një meshë për nder të princit gjerman, i cili tash ishte edhe zyrtarisht monark i Shqipërisë. Pasi që Metropoliti i Durrësit, Jakovi, nuk kishte lejuar mbajtjen e meshës në kishën ortodokse, Noli e mbajti atë në një tribunë të sajuar. Para meshës, foli Dervish Hima, i lindur në Strugë, pjesëmarrës i Kongresit të Alfabetit në Manastir dhe më vonë mërgimtar patriot në Zvicër. Ai nënvizoi rëndësinë e harmonisë dhe bashkimit të feve në Shqipëri. Pastaj krerët fetarë, besimtarët dhe aktivistët kombëtarë dhanë një shembull mbi tolerancën fetare. Në tribunë, siç shkruan Ilir Ikonomi, u ngjitën Atë Noli dhe Atë Damiani nga Berati, katoliku Dom Nikollë Kaçori, myftiu dhe dinjtarë të tjerë. Gazeta “Ushtima e Krujës” raportonte se kur Noli i lutej Perëndisë, “përfaqësuesit e feve katolike dhe myslimane, hoxhët dhe priftërinjtë, me një ultësi të madhe drejtonin lutjet e tyre tinzore para Perëndisë… Gjindja thoshte Amin dhe entuziazmi rritej, kur gjindja shifte një bashkim ndërmjet hoxhëve dhe priftënve… Korrespondentët habiteshin kur shikonin në tribunë priftën e hoxhë të bashkuem për mbushjen e një akti të shenjtë”.

Wilhelm zu Wied pati pak çaste gëzimi gjatë 200 ditëve sa i kaloi në Shqipëri. Xhaxhai i tij, Perandori Wilhelm II, e vlerësonte natyrën e tij “fisnike, kalorësiake, të ndjeshme”. Por Wilhelm zu Wied nuk i njihte rrethanat në Ballkan, aq më pak ishte i shkathtë për t’ia dalë mbanë me intrigat dhe ngatërresat e mëdha mes bajraktarëve shqiptarë. Në kujtimet e tij (“Kujtime dhe figura nga vitet 1878-1918”) Perandorit Wilhelm i dukej “e pakëndshme që një princ gjerman të turpërohej atje” (në Shqipëri).
Wilhelm zu Wied nuk ishte i përgatitur për detyrën delikate në Ballkan, por ai s’qe fajtori i vetëm. Austro-Hungaria dhe Italia penguan daljen e Serbisë në det dhe rrjedhimisht shmangën dobësimin përfundimtar të Shqipërisë, por pastaj përplasja e interesave mes Fuqive të Mëdha ishte aq e madhe, saqë Wilhelm zu Wied mbeti pothuaj i vetmuar. 

Më 3 shtator 1914, familja princërore ia ktheu shpinën Shqipërisë. Një muaj më vonë Esad Pashë Toptani u kthye nga ekzili Italian në Shqipëri. Atje, në Itali, e kishte shtyrë të shkonte vetë Wilhelm zu Wied për shkak të lojërave të dyfishta: në njërën anë Esad Pasha bëhej sikur mbështeste Mbretin, në anën tjetër organizonte kryesisht fshatarësinë kundër gjermanit të ngathët. Esad Pasha u vendos në dhomat private të çiftit princëror dhe nuk pranoi t’ia kthente Wilhelm zu Wied të paktën pasuritë private. 

Ndonëse larg Shqipërisë, ai s’hoqi dorë nga froni. Në gusht të vitit 1917 botoi një memorandum përmes të cilit kërkoi nga Vjena që ta mbështesë dhe t’ia japë një shans të dytë për t’u kthyer në Shqipëri. Wilhelm zu Wied nuk abdikoi as kur Ahmet Zogu më 1928 e shpalli veten Mbret të Shqipërisë. Wilhelm zu Wied vdiq në vitin 1945. I biri i tij, i cili vdiq më 1973, nuk ngriti pretendime për fronin shqiptar. Vajza e Wilhelm zu Wiedit, Marie Eleanora, u dënua nga komunistët rumunë me 15 vjet punë të detyrueshme dhe vdiq më 1956. Duncan Heaton-Armstrong, një aventurier austriako-irlandez, të cilin Wilhelm zu Wied e kishte punësuar si sekretar privat, në fund të kujtimeve të tij shkroi: “Besoj se austriakët ishin të vetmit miq tanë të vërtetë. E mjera Shqipëri!”